Nën drejtimin e Prefektit të Tiranës, Shkëlqim Hajdari këtë të enjte u mbaj mbledhja e parë sensibilizuese dhe koordinuese e Taskforcës për zbatimin e Planit të Veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit 2025-2026 në Qarkun e Tiranës.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Bashkive Tiranë, Vorë dhe Kamëz, Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, prokurore nga Prokuroria e Tiranës, si dhe përfaqësues të OSHEE-së, UKT-së dhe inspektorateve mjedisore e të punës. Pjesëmarrësit shprehën angazhimin për një kontroll rigoroz dhe të koordinuar të territorit, në funksion të parandalimit dhe goditjes së çdo veprimtarie të paligjshme.
Gjatë diskutimeve, drejtuesit e institucioneve vlerësuan se rezultatet e qarkut për goditjen e kanabisit, si në terren ashtu edhe në ambiente të mbyllura, janë ndër më të mirat në rang vendi. Njëkohësisht, u theksua rëndësia e bashkëpunimit për fushata informuese në shkolla dhe komunitete rurale, me qëllim mbrojtjen e të rinjve nga ky fenomen dhe parandalimin e përfshirjes së tyre në aktivitete të paligjshme.
Prefekti Hajdari njoftoi se do të krijojë një taskforcë ndërinstitucionale për goditjen e të gjitha grupeve të shpërndarjes së narkotikëve pranë mjediseve arsimore parauniversitare, duke synuar një angazhim të koordinuar dhe efikas në luftën kundër trafikut të drogës.