Qeveria e Kosovës është në dëshirë për luftë, duke taksuar mallrat serbe dhe duke u zotuar të krijojë “ushtrinë” e saj, por po ndjek objektivat e gabuara.
Nga Marcus Tanner/
“Hakmarrja është një pjatë që serviret e ftohtë”, thotë një proverb i vjetër anglez. Ai nuk ka arritur të arrijë në Kosovë. Pak orë pasi Serbia bllokoi përpjekjet e Kosovës për t’iu bashkuar Interpolit, Kosova goditi me një taksë 100 për qind për mallrat serbe, nga 10 për qind që ishte më parë.
Vetëm kjo nuk është pikë në favor. Shpata e Kosovës është e vjetër dhe e ndryshkur, pistoleta e saj e pambushur.
Kosova nuk mund “të përdorë si armë” importet e saj nga Serbia.
Serbia fiton më pak se 500 milionë euro në vit nga shitja e mallrave në Kosovë, nga një vlerë totale e eksportit prej vetëm 13 miliardë eurosh në vit.
Me pak fjalë, rreth një në çdo 26 euro që Serbia fiton në eksporte vjen nga Kosova.
Italia dhe Gjermania së bashku marrin më shumë se një të katërtën e eksporteve serbe, pasuar nga Bosnja, Rusia, Rumania, Mali i Zi dhe Sllovenia. Kosova renditet në vendin e dhjetë.
Humbja e tregut të Kosovës është e rëndësishme për Serbinë, por jo mjaftueshëm e rëndësishme për ta bërë atë të braktisë një nga politikat e saj kryesore – mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Fakti se Serbia mbetet eksportuesi më i madh në Kosovë thjesht nënvizon se sa e vogël mbetet ekonomia e Kosovës. (Eksporti total i saj në vit është rreth 300 milionë euro.)
Ndërkohë, refuzimi i Serbisë për të njohur Kosovën është një as që ajo është e vendosur të mbajë. Ajo mund ta luajë atë as në këmbim të çmimit të artë të anëtarësimit në BE. Ajo nuk do ta përdorë atë në këtë fazë, vetëm për të ndihmuar disa prodhues serbë.
Ndërkohë, Serbia hiqet si pala e dëmtuar. BE-ja po dënon Kosovën, jo Serbinë, për thyerjen e kushteve të anëtarësimit të saj në zonën rajonale të tregtisë së lirë, CEFTA.
Taksat doganore nuk e vetmja lëvizje e keqe e qeverisë së Kosovës. Plani tjetër i saj i madh, për të përmirësuar forcën aktuale të sigurisë, FSK-në, në një ushtri të rregullt është një lëvizje shumë më e çmendur.
Ajo ka zemëruar Serbinë, serbët në Kosovë dhe NATO-n gjithashtu. Aleanca e ka dënuar këtë veprim pa mëdyshje.
Një vend pa miq si Kosova duhet të jetë e sigurt se ia vlen të paguash çmimin e armiqësimit me NATO-n dhe BE-në në të njëjtën kohë.
A është me vlerë të kesh një ushtri? Është e diskutueshme nëse një shtet me madhësinë e Kosovës ose ka nevojë apo mund t’ia mbajë xhepi një ushtri.
Shumë shtete më të vogla në Europë i kanë braktisur praktikisht forcat e tyre të armatosura, me përjashtim për qëllime dekorative.
Luksemburgu, i cili është shumë më i vogël sesa Kosova, por shumë më tepër i pasur sesa ajo, mund të përballonte me lehtësi një ushtri të mirë, nëse do ta donte një të tillë. Ai mund ta marrë me qira një të tillë, ashtu si shtetet e vogla italiane bënë gjatë Rilindjes.
Në vend të kësaj, ai mban një forcë simbolike prej rreth 340 vetës maksimumi – mjaftueshëm për të pasur një rojë ceremoniale jashtë pallatit të Dukës.
Ideja që një “ushtri” e vogël dhe e nënfinancuar e Kosovës do të ishte e dobishme për të zmbrapsur një pushtim, është e çuditshme.
Një pushtim i tillë mund të vijë vetëm nga Serbia, pasi të gjithë fqinjët e tjerë janë miqësorë, por as që andej s’do të ndodhë.
Me NATO-n fizikisht të pranishme në Kosovë, Serbia do të ishte e çmendur të rrezikonte një konfrontim fizik me të apo një luftë të dytë guerilase në terren armiqësor.
Megjithatë, ekzistenca nominale e ushtrisë së Kosovës do të krijojë mundësi të reja për fërkime me Serbinë, të cilat Beogradi mund t’i shfrytëzojë, dhe të mërzisë NATO-n, e cila është e qartë që nuk do ta financojë apo pajisë atë.
Një zv/ministër për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, foli rastësisht për BIRN në lidhje me “donacionet” e mundshme të armëve dhe pajisjeve.
Ai duhet të sqarojë se kush mund të jenë këta donatorë. Edhe Turqia miqësore ka gjasa ta mendojë dy herë dhurimin e armëve në Kosovë kundër këshillave të NATO-s – pjesë e të cilës ajo është.
Sigurisht, Kosova mezi po pret të marrë njëfarë hakmarrjeje ndaj Serbisë për përdorimin e paskrupullt të marrëveshjes CEFTA për të sjellë mallra në Kosovë dhe për taktikat e saj bllokuese në përgjithësi.
Por një formë më efikase hakmarrjeje do të ishte që konsumatorët kosovarë të blejnë diku tjetër, nga prodhuesit e tyre ose nga vendet e tjera të CEFTA-s.
Vendosja e një takse të madhe për mallrat e Serbisë thjesht e bën Kosovën të duket si një shkelëse rregullash të cilës s’mund t’i besosh se mund të sillet me përgjegjësi.
Serbia ia hedh paq plotësisht, e cila është edhe arsyeja pse Beogradi nuk ka marrë masa reciproke – kjo dhe fakti se Serbia gjithsesi nuk blen pothuajse asgjë nga Kosova.
Gabimi kryesor i qeverisë në Kosovë – jo se partitë e opozitës janë ndryshe – është një obsesion për t’u marrë me zbukurimet e shtetësisë dhe jo me thelbin e kësaj të fundit.
Njësoj si një mbret që shqetësohet se nuk ka një kurorë – kur problemi i vërtetë është se nuk ka një mbretëri – ajo shkon pas qëllimeve të rangut të dytë.
Ajo mundohet shumë që “të njihet” nga shtete të vogla në Paqësor ose në Amerikën Qendrore, favoret e të cilëve janë – surprizë – në shitje dhe që mund të blihen lehtësisht nga Serbia apo Rusia.
Përpjekja për të tejkaluar Serbinë apo Rusinë për vëmendjen e tyre është thjesht një luks dhe një luks i tillë që Kosova nuk mund ta përballojë.
Ajo që do ta linte vërtet keq Serbinë do të ishte krijimi i një ekonomie më të mirë funksionale dhe sistemi arsimor – në mënyrë që të rinjtë të mos iknin automatikisht nga vendi – dhe në mënyrë që disa kompani të huaja ta transferonin prodhimin atje.
Sot kompanitë e mëdha të Europës janë të zëna duke zhvendosur operacionet nga Perëndimi i kushtueshëm për krahë pune në Lindje, në vende si Sllovakia, Republika Çeke, Hungaria dhe Rumania.
Kur Jaguar Land Rover njoftoi se po e lëvizte të gjithë prodhimin e tij nga Britania e Madhe në Sllovaki këtë vit, kjo zor se doli në titujt kryesorë të lajmeve. Shumë kompani të tjera kanë marrë të njëjtën rrugë.
Kur ka dëgjuar ndonjëri për ndonjë kompani të madhe që i ka zhvendosur operacionet e veta në Kosovë? Nëse jo në prodhim, në IT, ose turizëm. Në cilin sektor ka pasur shenja të vërteta rritjeje?
Përgjigjja është: asgjë. Ajo që është edhe më shqetësuese është se partitë politike në Kosovë nuk duken të shqetësuara.
Ishte tipike për politikën e Kosovës që partia opozitare Vetëvendosja dukej më pak e interesuar për ekonominë (joekzistuese) vitin e kaluar sesa për humbjen e mundshme të disa lëndinave në Mal të Zi si pjesë e një zgjidhjeje kufitare.
Kosova duhet të bëhet realiste dhe të mos bëjë me gjeste që s’i bëjnë përshtypje askujt dhe thjesht irritojnë partnerët e saj.
Nëse ajo dëshiron të taksojë mallrat serbe, duhet të largohet nga CEFTA. Nëse ajo është e vendosur të formojë një “ushtri” – në kundërshtim me NATO-n dhe Serbinë – bënte mirë të sigurohej që mund ta financojë dhe pajisë atë.
Ndërkohë, ajo mund të pyesë veten përse Serbia – me një popullsi katër herë më të madhe sesa ajo e Kosovës – fiton 45 herë më shumë sesa Kosova nga eksportet e saj.
Kjo mund të jetë një temë më e dobishme për t’u përqendruar më shumë sesa formimi i një ushtrie.