Ndonëse nuk e arriti synimin e tij kryesor për një armëpushim në Ukrainë, Donald Trump duket se mori propozime konkrete nga Vladimir Putin në takimin e Alaskës për mënyrat si mund t’i jepet fund luftës. Mediat amerikane citojnë burime të brendshme në Shtëpinë e Bardhë se shefi i Kremlinit ka propozuar që Ukraina t’i japë Rusisë kontrollin e plotë të rajoneve të Donjeckut e Luhanskut. Në tre vite e gjysmë luftë, ushtria ruse ka pushtuar 70% të këtyre rajoneve, ndërsa me kushtetutë i ka njohur ato si pjesë territoriale të Federatës Ruse pas referendumit të 2022-shit.
Në këmbim të këtyre rajoneve, Putin ka premtuar garanci me traktate se nuk do të përparojë më me ushtrinë në Ukrainë dhe se nuk do të sulmojë asnjë vend tjetër në Europë, ndërsa frontin e luftës do ta ngrijë sipas kushteve aktuale.
Po ashtu, flitet se Putin ka kërkuar që rusishtja të jetë sërish gjuhë zyrtare në Ukrainë, si garanci për rusët dhe për kishat ortodokse ruse atje.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, pas takimit të Alaskës, si Trump ashtu dhe Putin nuk dhanë detaje për atë çfarë ishte diskutuar, por dolën optimistë prej andej.
“Kishim një takim jashtëzakonisht pozitiv dhe shumë pika për të cilat ramë dakord. Kanë mbetur vetëm pak gjëra, jo dhe aq domethënëse. Njëra prej tyre është më e rëndësishmja, por kemi një mundësi të mirë ta arrijmë. Nuk e arritëm, por kemi mundësi të mira për ta arritur”, tha Trump.
Në një intervistë për Foks Njuz pas takimit, Trump nuk e mohoi se ishte diskutuar për lëshime territoriale.
“Mendoj se ato janë pika që i kemi negociuar dhe për të cilat kemi rënë gjerësisht dakord, tashmë.”
Ndërsa Putin u tha zyrtarëve të lartë gjatë një takimi në Kremlin se takimi i Alaskës ishte i dobishëm dhe në kohën e duhur.
“Vizita ishte në kohën e duhur dhe shumë e dobishme. Folëm ndër të tjera për zgjidhjen e krizës ukrainase mbi baza të ndershme. Patëm mundësi të diskutonim për shkaqet e krizës. Respektojmë kërkesën e administratës amerikane për një armëpushim si fillim. Këtë duam edhe ne dhe besoj se do të ecim drejt këtij qëllimi.”
Gjatë kthimit në Uashington, Trump zhvilloi edhe një videokonferencë me Zelenskin dhe liderët e vendeve kryesore europiane për t’i informuar mbi këtë takim.











