“Objektivi ynë është transformimi i mëtejshëm i qytetit dhe së bashku me ju do ta arrijmë këtë gjë. Kështu është shprehur kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit në takimin e zhvilluar më banorë të rajonit nr 1. Kryebashkiakja Sako shpalosi shkurtimisht programin elektoral, i cili do të zbatohet në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar. Sako tha gjithashtu se: “projekti për zbulimin e plotë të amfiteatrit, projekti për stadiumin e ri, marina turistike, porti tregtar në Porto Romano dhe marrëveshja me skuadrën e Manchester City për hapjen e akademisë sportive në Durrës, janë baza e zhvillimit të mëtejshëm të qytetit tone”.
Në fjalën e saj para banorëve të rajonit nr 1, Sako tha se në sajë të investimeve që po kryejmë dhe projekteve madhore, do ta bëjmë Durrësin arenë të ekonomisë dhe turizmit. “Projekti i marinës turistike i jep një dimension të ri qytetit dhe është një mundësi për hapjen e mijëra vendeve të reja pune. Ai është gjithashtu edhe një investim që do të ndikojë në rritjen e vlerës së pronës për të gjithë zonën përreth ku do të shtrihet në portin aktual”.
Në këtë takim kryebashkiakja Sako shoqërohej edhe nga drejtuesi politik i qarkut Durrës Adrian Çela dhe deputetja Klodiana Spahiu. Drejtuesi politik Adrian Çela tha se: “ kur shohim qytetin e Durrësit sot, ai ka shumë vende që janë bërë atraksion për shumë vizitorë dhe nuk thua dot se ku është pjesa më e bukur e tij. Prandaj për këtë ka meritë kryetarja Emiriana Sako dhe gjithë stafi i bashkisë për punën që ka kryer me mbështetjen edhe të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama”. Duke folur më tej, Çela iu referua kandidatit kundërshtar se jo shumë vite larg, ai u bë bllokues për rrugën paralel me murin e portit, në një kohë që bashkia kishte gjetur fondet dhe kishte gati kontratën për ndërtimin e saj. “Në vitin 2009 ne në bashki kishim gati projektin dhe ishim bërë gati për lidhjen e kontratës për ndërtimin e rrugës paralel me portin, por në këshillin bashkiak të asaj kohe zërat që ishin më të ashpër kundër atij projekti ishin ai që sot është kundërshtari në këto zgjedhje bashkë me drejtorin e portit. Ju e shikoni pas vitesh se sa të drejtë kemi pasur për ndërtimin e kësaj rruge, se shihet ndikimi i saj për një tjetër vizion që i ka dhënë qytetit. Pra, ai person është kundër shvillimit dhe po përdoret nga Berisha dhe Meta për të mbajtur peng qytetin”.
Deputetja Klodiana Spahiu në përshëndetjen e saj iu bëri thirrje banorëve të votojnë nr 2, kryetaren Emiriana Sako, pasi ajo ka punuar për të gjithë qytetarët njëlloj, pa i ndarë ata në të majtë dhe të djathtë.