Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e kësaj të hëne do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Bruksel, ku do të ketë një takim me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Klan News ka mësuar se në fokus të këtij takimi do të jetë procesi i negociatave të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Takimi i sotëm i Ramës me Costa-n pritet të jetë një mundësi për të diskutuar sfidat e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm në rrugën drejt anëtarësimit.
Sjellim ndërmend se një nga çështjet kryesore të mbetura pezull është Raporti i Vlerësimit të Standardeve për Reformimin e Gjyqësorit, i njohur si IBAR, i cili lidhet me kapitujt 23 dhe 24 të procesit të negociatave.
Deri më tani, Shqipëria nuk ka mundur ta marrë këtë raport të plotë dhe të miratuar nga shtetet anëtare të BE-së. Pa aprovimin e këtij dokumenti, procesi i mbylljes së kapitujve nuk mund të ecë përpara.
Në diskutimet e mëparshme në nivel ambasadorësh, është kërkuar që Shqipëria të ofrojë prova konkrete mbi ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të akuzuar, përfshirë vendime përfundimtare të gjykatave dhe sekuestrime të pasurive. Ky është një nga kushtet që konsiderohen jetike për të treguar progresin në reformën në drejtësi.











