Duke folur në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s që iu kushtua dialogut Prishtinë-Beograd-lëvizjes përtej rrugëve të bllokuara, ministrja pa portofol Edita Tahiri tha se njohja duhet të vijë në fund të këtij dialogu, ashtu si paqja në fund të luftës.
“Ne e konsiderojmë këtë dialog si dialog për fqinjësi të mirë dhe vlera e tij lidhet me aspiratën tonë euroatlantike e përkushtimin tonë për stabilitet dhe me vizionin që pas luftës vie paqja. Kjo paqe nënkupton qe në fund te dialogut duhet të ndodhë njohja mes dy shteteve. Çështje kryesore, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, bazë për krijimin e marrëdhënieve paqësore mes dy popujve,” tha Tahiri.
Ajo deklaroi se dialogu i Brukselit po jep rezultate.
“Dialogu i Brukselit ka dhanë rezultate mjaft të randësishme, madje rezultate historike,” tha Tahiri, duke i argumentuar këto fjalë me faktin se Kosova e Serbia biseduan dy herë në Rambuje në vitin 1999 dhe në Vjenë në vitet 2006-2007, por atëherë sipas saj Serbia nuk nënshkroi ato marrëveshje.
“E ky dialog që po zhvillohet edhe sot rezultoi në nënshkrim të marrëveshjeve,” tha Tahiri, shkruan Kallxo.com.
Ministrja për Dialog tha se integrimi i vendeve të Ballkanit në BE duhet të përshpejtohet.
“Ka disa faktorë që nuk e kanë të qartë çështjen e vizionit euroatlantik, Qeveria e Kosovës mendon që BE-ja duhet të përshpejtojë procedurat e integrimit për vendet e Ballkanit, e kështu do të krijohej stabilitet,” tha Tahiri.
Ministres pastaj iu shtruan pyetje nga të pranishmit.
Xhavit Haliti e pyeti Tahirin se për cilat marrëveshje që nuk është duke i zbatuar Kosova po akuzon Serbia.
“Direkt po ju them: Kosova nuk ka zbatu marrëveshjen për kthimin e dokumenteve kadastrale nga Serbia, se jemi vonuar me ligjin dhe marrëveshjen për asociacionin, e të tjerat i ka zbatuar me përpikëri. Serbia nuk ka zbatu marrëveshjen për kodin telefonik, marrëveshjen për KOSTT-in, marrëveshjen per diplomat universitare, nuk ka shuar ende edhe një numër të strukturave paralele,” tha Tahiri.
Tahiri u pyet edhe për strukturat paralele.
“Ka fusha që ne i kemi zhbërë, një prej tyre është policia. Ka ekzistuar edhe një strukturë e quajtur ‘mbrojtja civile’, që i kanë shqetësuar qytetarët. Ata kanë qenë të armatosur, por tani janë shpërbërë dhe ne kemi punësuar pjesëtarë të saj. 483 pjesëtarë të të ashuquajturës ‘mbrojtjes civile’ janë punësuar në insitucionet tona,” iu përgjigj tahiri një pyetjeje për strukturat paralele të Serbisë në Kosovë.
Tahiri formimin e Asociacionit të Komunave Serbe e lidhi me shuarjen e plotë strukturave paralele.
“Pa u shuar të gjitha strukturat e mbetura paralele në Kosovë nuk mund të funksionojë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Tahirit iu shtrua edhe një pyetje se si Qeveria e Kosovës do t’i motivojë serbët e vendit për t’u integruar, kur ata më me dëshirë do të ishin pjesë e Serbisë.
“Në fakt serbët e Kosovës pas luftës janë integruar në sistemin institucuonal, por me ta vazhdimisht kemi ndërhyrje nga ana e Serbisë, duke i penguar të bëhen e ardhmja e Kosovës e ta ndërtojmë shtetin e ri. Në të gjitha qeveritë e parlamentet kemi pasur përfaqësues të tyre që nga paslufta. Plani i Ahtisaarit ka parapa më shumë të drejta sesa komunitetetet tjera, si një diskriminim pozitiv për motivimin e tyre,” tha Tahiri.
Se situata në Kosovë po ndryshon, Tahiri u mundua ta shpjegojë me përvojat personale.
Tha se është hera e tretë që merr pjesë në seminaret Rose-Roth. Herën e parë tregoi se mori pjesë në një seminar të tillë të zhvilluar në Ohër të Maqedonisë në vitin 1998 kur Kosova po e zhvillonte luftën e saj për çlirim, herën e dytë tha se ishte në seminarin e zhvilluar në Tiranë në vitin 2000, kur Kosova tashmë është e çliruar dhe tash po merr pjesë në 2016-ën në një Kosovë me vizion euroatlantik.
“Shpresoj që herën tjetër kur të marr pjesë në këtë seminar, Kosova të jetë pjesë e NATO-s,” tha Tahiri.