E ftuar në emisionin Tonight Ilva Tare, Ministrja e Shtetit për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri ka theksuar se nuk do të ketë avancim të krijimit të asosacionit të komunave serbe në Kosovë nëse nuk zgjidhet marrëveshja për telekomin dhe për energjinë. Ministrja Tahiri ka folur edhe për situatën në Kosovë duke i bërë përgjegjës gjithë klasën politike për shkak se kanë vënë axhendën vetjake përpara axhendës kombëtare.
Pjesë nga intervista:
Në çfarë faze janë negociatat tani që flasim me Serbinë? Kur jeni takuar për herë të fundit, kur e keni lënë takimin e radhës?
Dialogu në këtë fazë ka tri çështje të mëdha që duhet të zgjidhen, në kuptimin e zbatimit sepse marrëveshjet janë arritur. E para, ne kemi një bllokadë nga ana e Serbisë apo një mosrespektim të marrëveshjeve për çështjen e kodit telefonik të Kosovës dhe për çështjen e pavarësisë së sistemit transmetues të energjisë. Serbia po i shmanget zbatimit, i ka bllokuar, pra edhe ne e kemi kushtëzuar me mosnisjen e asnjë veprimi zbatues për asosacionin. Kemi thënë qëndrimin që pa e marrë Kosova kodin telefonik dhe pa e marrë pavarësinë për çështjen e energjisë në pjesën e trasmisionit, ne nuk lëvizim drejt, pra asosacioni ka disa veprime, hartimin e statutit, duhet të jetë në pajtim me kushtetutën, por desha t’ju them se kjo është situata e deritashme.
Çfarë pretendimi ka Serbia, si mund të vazhdojë ta mbajë të bllokuar prefiksin, kodin e Kosovës?
Serbia në fakt, edhe në kohën kur ka hyrë në bisedime për prefiksin, gjithmonë ka qenë në një shmangie. Kanë shkuar 5 vjet negociata deri sa kemi mbërritur tek marrëveshja, pra është parë që nuk e dëshiron këtë marrëveshje, mirëpo marrëveshja është bërë, është e nënshkruar, Austria ka aplikuar në emër të Kosovës, tani është koha që Serbia të kryejë obligimet e veta. Bashkimi Evropian është i njohur me këtë bllokadë. Natyrisht sic po e shihni, prandaj edhe ne nuk kemi presion që të ecim me asosacionin sepse kemi qartësi pra në këtë pozicion.
Mund ta themi se nëse Serbia nuk lejon zhbllokimin e situatës me kodin telefonik të Kosovës, nuk mund të ketë negociata dhe a po bën presion Brukseli për këtë?
Nëse vonohet kodi telefonik edhe pavarësimi i kostit, do të vonohet edhe çështja e asosacionit.
Ju mund të vazhdoni dialogun për çështje të tjera?
Besoj se Bashkimi Evropian e sheh që nuk do të kishte logjikë nëse ne nuk do të zbatonim këto tri çështje të mëdha.
A do të kishte qenë më mirë që përpara se të miratonit tekstet përfundimtare në Bruksel bashkë me Serbinë, ta diskutonit me parlamentin të paktën, me partitë që janë të përfaqësuara në Kuvend në Kosovë?
Natyrisht do të ishte më mirë por ne kemi një marrëveshje me parlamentin prej kohës kur kemi nisur dialogun. Parlamenti ka autorizuar qeverinë e Republikës së Kosovës që të bëjë negociata dhe të arrijë marrëveshje Janë dy rezoluta që kanë dalë nga kuvendi i Kosovës në mbështetje të kësaj dhe prej nesh kërkohet vetëm raportim për këto çështje dhe kur ne shkuam të raportojmë për marrëveshjen për asosacionin, opozita nuk e lejoi debatin.
Pretendimi i opozitës është se ju shkoni në parlament kur gjërat janë të përfunduara dhe ato nuk kanë as mundësi që të ndryshojnë diçka?
Po nuk mund të quhet e përfunduar marrëveshja në Bruksel nëse pika e dytë e marrëveshjes kërkon që të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Supozojmë se Gjykata do ta gjente se e ka shkelur Kushtetutën, u desh të kthehet apo jo, në Bruksel. Prandaj nuk ka qenë ajo frikë, por më tepër ka qenë një përpjekje që të krijohet një kauzë me qëllim rrëzimin e qeverisë etj, sepse jo vetëm në këtë rast por unë kujtoj që debati në sistemet demokratike, është i domosdoshëm, pra opozita e ngriti, e bëri kauzë asosacionin por edhe demarkacionin, ndërkohë që nuk e lejoi debatin në parlament, filloi me përdorimin e dhunës dhe çdo gjë mori kahje tjetër.
Ka ndonjë mundësi që Kosova ta bllokojë rrugën e integrimit europian të Serbisë?
Në fakt ne integrimin e Serbisë në Bashkimin Europian e shohim si zhvillim pozitiv por ne nuk mendojmë se Serbia mund të integrohet në BE pa e njohur Kosovën dhe që BE duhet t’ia pamundësojë Serbisë bllokimin eventual të integrimit të Kosovës. Nëse do të ndodhnin gabime të tilla do të komplikohej situata në Ballkan sepse ja ku e kemi Shqipërinë e cila së shpejti do të marrë datën e hapjes së bisedimeve.
Ju jeni shprehur se Presidenti Thaçi duhet të vazhdojë të jetë në krye të bisedimeve, edhe pse është zgjedhur President por ka qenë për një kohë të gjatë në bisedime. Nuk ka një kapacitet tjetër për ta zëvendësuar?
Unë kam thënë kështu: Formati i bisedimeve është mes dy Kryeministrave, ata drejtojnë bisedimet. Ne kryenegociatorët negociojmë marrëveshjet të cilat aprovohen në nivel të kryeministrave. Unë kam thënë që Presidenti Thaçi duhet të jetë pjesë e bisedimeve sepse kam parasysh që formati është mes kryeministrave por kam theksuar rëndësinë e tij në proces sepse ka qenë i involvuar që nga fillimi.
Po si mund të përfshihet ai në bisedime? Në statusin që ka aktualisht si president?
Ne jemi në një fazë debati për këto çështje dhe po japim mendimet por pasi të formulojmë një qëndrim institucional, sigurisht duhet ta diskutojmë me BE, këtu do të ketë edhe Serbia fjalën e vet, si e dëshirojnë ata, është proces trepalësh, fundja ky dialog është i njohur që asnjë palë s’mund të vëjë diçka në axhendë apo të ndryshojë nëse s’ka pajtim tripalësh.
Dialogu i brendshëm në Kosovë? Ka nsiur? Po ndodh? Çfarë parashikon?
Për dallim prej shumë fazash në Kosovë që kemi qenë mjaft kreativë dhe të lehtë që të ulemi për çështjet madhore dhe të gjejmë gjuhën e përbashkët, kjo është hera e parë që nuk arritëm.
Për faj të kujt?
Më duket se na mbizotëruan interesat e vogla, axhendat partiake, grupore. Pra, harruam axhendën nacionale, interesat kombëtare.
E keni me opozitën?
Jo.
Me kë tjetër?
Fakti që nuk gjetëm gjuhë të përbashkët, fajësia është e të gjithëve neve
Edhe juaja personalisht apo ju keni bërë maksimumin?
Jo, të gjithëve. Pjekuria shtetformuese, nënkupton që të gjithë ata aktorë që marrin pjesë në procesin e ndërtimit dhe qeverisjes së shtetit, kanë obligim që të gjejnë rrugët për t’i tejkaluar sfidat.
Çfarë lidhje mendoni se kanë shqiptarët me korrupsionin që duket sikur kemi një lidhje të pandashme dhe tunduese ndaj njëri-tjetrit?
Korrupsioni është një dukuri e cila dominon shtetet të cilat janë të dobëta, ose kanë nisur procesin e dobësimit apo shtetet e dështuara sepse korrupsioni dhe suksesi i shtetit janë të lidhura drejtpërsëdrejti dhe rrinë zhdrejt në këtë raport. Sa më shumë korrupsion, aq më i dobët shteti. Nuk besoj se korrupsioni është i lidhur me një komb apo me një shoqëri apo me një grup. Përgjithësisht korrupsioni vjen sidomos në shoqëritë e tranzicionit, atëherë kur ligjet nuk janë të fuqishme për shkak të vetë tranzicionit dhe vjen për faktin se individët, të cilët kanë marrë përsipër që të udhëheqin një vend, e të japin shërbime sa më të mira publike për qytetarët dhe mbrojnë interesin e qytetarëve, fatkeqësisht përfundojnë në pozita të tilla korruptuese. Nuk do thoja që veç shqiptarët janë të korruptuar, por është e vërtetë që të dyja shtetet, edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri ka korrupsion, ka pasur. Përshembull, unë kam braktisur partinë e përparshme pikërisht se e shihja që jo vetëm që s’po e lufton korrupsionin por hapi rrugë për korrupsionin. Pra jam një prej luftëtareve kundër korrupsionit sepse e lidh me interesat shtetërore kombëtare. Ose do të luftojmë korrupsionin me rezultate të prekshme, ose do të mbyllim shansin vendeve tona që të zhvillohen ekonomikisht por kjo është e lidhur edhe me integrimet europiane.
Gjykata Speciale, a do të shërbejë për pastrimin e çdo dyshimi dhe çdo hije të hedhur mbi UÇK, apo do të shërbejë për të prerë disa koka individësh që mund të kenë qenë të angazhuar në UÇK dhe që janë sot në politikë?
Në aspektin moral kjo është një padrejtësi e madhe që i është bërë luftëtarëve për liri të Kosovës, përkatësisht të UÇK, mirëpo ne vazhdimisht kemi treguar bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare, pra edhe në të kaluarën kur ishte rasti i Gjykatës së Hagës, edhe tash e kemi treguar këtë bashëkpunim. Unë jam e bindur që bashkëpunimi me drejtësinë i shërben ndriçimit të drejtësisë.
Edhe nëse aty mund të akuzohen personalitete të ish UÇK dhe që sot janë në politikë?
Tani, drejtësia do ta thotë fjalën e saj. Mos ta paragjykojmë sonte por ajo që është me rëndësi është që këta njerëz që kanë qenë pjesë e UÇK kanë bërë një luftë të drejtë për çlirimin e Kosovës dhe popullit të saj siç e bëmë edhe rezistencën paqësore në atë kohë, prandaj lufta e tyre për liri, do të ketë vendin në histori.
Vitin e kaluar kishit marrë gjobë, 50 euro për pirje të duhanit në lokal. E vazhdoni duhanin me të njëjtin ritëm apo keni respektuar ligjin kohët e fundit?
Unë pi duhan, mirëpo nuk dëshiroj të keqkuptohem por dua të them ashtu siç e them zakonisht kur ndonjëherë e pi duhanin aty ku nuk lejohet. Në momentin kur të gjitha ligjet në Kosovë zbatohen 100% në të gjitha fushat, edhe unë do e respektoj 100% ligjin e duhanit.