Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike (PD), njëkohësisht nënkryetarja e Komisionit të Kuvendit për Ekonominë, tha sot se buxheti i vitit 2019 pasuron një grup të vogël njerëzish dhe rrit taksat për shumicën.
Në një deklarate për mediet, Tabaku u shpreh se “metoda e shpikur nën këtë qeverisje me emrin Partneritet Publik Privat (PPP) u ka kushtuar deri më tani shqiptarëve 2.2 miliardë euro. Një shifër që është e barabartë me 31% të Produktit të Brendshëm Bruto”.
“Në mënyrë të paprecedent, në vitin 2019, për koncesionet do paguhet një vlerë prej 105 milionë eurosh, duke ia hequr këtë shumë investimeve në infrastrukturë, ujësjellës dhe shkolla. Kushdo që voton buxhetin 2019, në fakt ka votuar një buxhet në interesin e oligarkëve dhe një pakice që dëshiron të skllavërojë shqiptarët njësoj si dikur diktatura famëkeqe moniste bëri me prindërit tanë”, – tha Tabaku.
Tabaku theksoi se Partia Demokratike është e vendosur që të bëjë gjithçka “që ky buxhet skllavërues për shqiptarët të jetë buxheti i fundit i kësaj qeverie”.
/b.d











