Nga Enver Robelli
Politikani gjerman Cem Özdemir nga Partia e Gjelbër ka njoftuar se është infektuar me koronavirus.
Politikanë të të gjitha partive në Gjermani, gazetarë, personalitete të tjera publike kanë shprehur solidaritet dhe i kanë uruar atij shërim të shpejtë.
Özdemir është me origjinë nga Turqia.
Ai është përmendur edhe si kandidat për ministër të Jashtëm të Gjermanisë nëse një ditë të Gjelbrit vijnë në pushtet.
Özdemir është mbrojtës i fuqishëm i vlerave perëndimore dhe disa herë e ka kritikuar ashpër autoritarizmin e Rexhep Taip Erdoanit.
Kjo nuk u pëlqen militantëve të Erdoanit në Gjermani.
Özdemir ka treguar se shpesh ka pasur probleme kur ka marrë taksinë në Berlin.
Shoferët turq e kanë fyer dhe trajtuar keq. Banesa e tij në Berlin është gjuajtur me gurë.
Tash, pasi ka bërë të ditur se është infektuar me virusin e rrezikshëm, militantët e Erdoanit dhe të ashtuquajtur patriotë të tjerë turq i janë vërsulur Özdemirit me fyerje e kërcënime të rënda.
Ata komentet e tyre makabre i kanë postuar në faqen në gjermanisht të televizionit shtetëror turk TRT.
Disa shembuj: “Kur është dita e varrimit”, “Vrite thjeshtë”, “Mirë e ke, bastard”, “Happy corona”, “Çok sevidinim”…
Özdemir sapo njoftoi në Twitter se një verifikim i shpejtë i emrave të komentuesve ka treguar se disa prej tyre banojnë dhe punojnë në Gjermani.
Özdemir tha se ka dorëzuar padi, ka njoftuar shërbimin sekret gjerman dhe do t’i njoftojë edhe punëdhënësit.
“Presioni pati efekt dhe autoritetet po punojnë gjithnjë e më mirë në zbulimin e fanatikëve”.
– Vlen edhe për militantët politikë dhe fundërrinat e tjera nga bota digjitale shqiptare: kërcënimet dhe llomotitjet nuk ju çojnë askund. Vetëm tregojnë sa nuk keni kapacitet për debat me argumente bindëse.