Tirana është zgjedhur si një nga stacionet e turit të “Gumball 3000”, marka e suksesshme globale e rally-t rrugor, e cila solli në kryeqytetin shqiptar më shumë se 150 skuadra sportive me makinat e markave më të njohura botërore.
“Gumball 3000”, që rikthehet në Shqipëri pas 10 vitesh, ndjek këtë vit itinerarin Riga-Varshavë-Budapest-Dubrovnik-Tiranë-Athinë dhe për të përfunduar në ishullin Mykonos të Greqisë. 150 supermakinat luksoze të drejtuara nga persona VIP të artit, muzikës, biznesit, mbërritën mbrëmjen e së mërkurës në sheshin “Nënë Tereza”, ku ofruan një shfaqje spektakolare për qytetarët shqiptarë.
Të gjithë të apasionuarit e makinave të garave sportive dhe të veçanta kishin mundësinë të shihnin nga afër performancën e disa prej ekzemplarëve më të bukur të automobilizmit botëror. DJ me famë botërore Afrojack është pjesë e këtij karvani, ndërsa do të ketë edhe një performancë surprizë në mesnatë në sheshin “Nënë Tereza”.
Tirana është përfshirë si destinacion në “Gumball 3000”, pas përpjekjeve të vazhdueshme që janë bërë nga autoritetet vendase për promovimin e Shqipërisë turistike. “Një perlë e fshehur. Shqipëria është vendi i disa prej rrugëve të makinave dhe peisazheve më mahnitëse në Europë, por duhet thënë që ka ndryshuar shumë që nga xhiroja jonë e fundit në vitin 2007”, thuhet në faqen zyrtare të “Gumball 3000” për ndalesën e tyre në Tiranë.
Makinat do të largohen nga Tirana paraditen e së enjtes për të udhëtuar drejt Greqisë ku do të finalizojnë turin e tyre./a.ç