Tirana kalon Flamurtarin e rënë nga kategoria dhe tashmë mund të mendojë e qetë për sfidën e Laçit, ku me shumë gjasa mund të jetë dhe ndeshja e titullit, gjithnjë nëse Kukësi fiton të dielën ndeshjen e tij përballë Vllaznisë.
Bardheblutë kanë shënuar nga një gol për çdo pjesë loje për të siguruar tre pikët dhe për t’u ngjitur momentalisht në kuotën e 69 pikëve, 7 më shumë sesa Kukësi, por me një ndeshje më pak. Në “Selman Stërmasi” vulosën golat e Muçit në të 20-tën nga pika e bardhë e penalltisë dhe perla e Ismailgecit në të 67-ën.
Në ndeshjen tjetër të luajtur në Gjirokastër, Skënderbeu ka vuajtur jo pak përballë Luftëtarit të vendit të fundit duke fituar me rezultatin e ngushtë 1-0. Blerim Krasniqi në të 75-ën shënoi golin trepikësh për ekipin e Dajës, që ngjitet në vendin e katërt dhe mban gjallë shpresat për Kupat e Europës.