Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka reaguar për sulmin me vezë sot ndaj Kryeministrit Isa Mustafa në sallën e Kuvendit nga deputetët e opozitës. Përmes një deklarate për mediat, Jahjaga dënon këtë sulm duke e quajtur të papranueshëm.
Sipas saj, sulmi ndaj kryeministrit Mustafa nuk ndihmon përpjekjet e Kosovës për të fuqizuar demokracinë dhe institucionet në vend.
Deklarata e plotë e Atifete Jahjagës:
Deklaratë e Presidentes së Republikës së Kosovës
Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga e dënon sulmin ndaj kryeministrit Isa Mustafa gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.
Presidentja Jahjaga e quan këtë sulm të papranueshëm dhe në kundërshtim me frymën e demokracisë së mirëfilltë, me përpjekjet tona për të fuqizuar institucionet e Republikës ë Kosovës dhe vlerat që po i ndërtojmë. Akte të tilla të shëmtuara e vështirësojnë diskutimin e mirëfilltë publik dhe zbehin besimin e qytetarëve në institucionet e vendit.
Presidentja Jahjaga ka ftuar të gjithë deputetët dhe subjektet politike që t’i respektojnë institucionet e vendit ku përfaqësohet vullneti i popullit, të denoncojnë dhunën dhe që mospajtimet politike t’i shprehin përmes rrugëve institucionale në respektim të plotë të parimeve të demokracisë.









