STUDIMI/ Nxehja e klimës do shkatërrojë turizmin në Mesdhe
Ka turistë që nuk dorëzohen. Marrin me vete kapele, çadra, kremëra plazhi dhe nisen drejt Jugut. Por ka të tjerë të cilët vapa e vendeve mesdhetare po i bën gjithnjë e më pak entuziastë. Një studim i Komisionit Europian me titull “Time is of the essence: adaptation of tourism demand to climate change in Europe”, thotë se ndryshimet klimatike po venë në provë të vështirë kurajon e turistëve për të ardhur në jug të kontinentit. Vende si Italia dhe Spanja, sipas studimit, mund të kushtëzohen në të ardhmen, nga rënia e numrit të turistëve, për shkak të kohës tejet të nxehtë. “Rritja e temperaturave e bën më të pakëndshëm pushimin dhe qëndrimin në zonat në fjalë, gjatë disa periudhave të vitit”, thotë studimi.
Studimi ka marrë parasysh efektet në term të gjatë kohor, të këtij fenomeni. Kështu, ai parashikon se në vitin 2100, shumë nga zonat e nxehta të Mesdheut do të penalizohen rëndë në industrinë e tyre turistike, për shkak të ndryshimeve klimatike. Bullgaria dhe Spanja do të penalizohen më rëndë: kjo e fundit parashihet të humbasë 5.6 miliard euro në vit. Kurse Letonia, Estonia, Sllovenia dhe Sllovakia do të njohin një bum të vërtetë turistik, për shkak të klimës më të freskët.