Covid-19 është më vdekjeprurës nëse shkakton dëmtim të dyfishtë të mushkërisë. Ky është rezultati i një studimi italian i publikuar në revistën e njohur mjekësore “Lancet”.
Në studim janë përfshirë 301 persona të prekur nga koronavirusi në 6 spitale të ndryshme të Italisë. “Covid-19 mund të dëmtojë të dy komponentët e mushkërisë: alveolat, njësitë që përthithin oksigjen dhe japin dioksid karboni dhe kapilarët, enët e gjakut ku ndodh shkëmbimi mes dioksidit karbonik dhe oksigjenit.
60% e pacientëve kanë humbur jetën kur virusi ka dëmtuar këto dy përbërës të rëndësishëm të mushkërive.
Ndërsa kur dëmtohet vetëm njëri komponent, niveli i vdekshmërisë zbret në 20%.
Gjendja e mushkërisë së pacientëve zbulohet lehtë me matjen e një parametri të funksionimit të këtij organi kaq të rëndësishëm të njeriut.
Ndërkohë, mjekët që kanë kryer studimin theksuan se rezultati do të mundësojë identifikimin e shpejtë të pacientëve, tek të cilët duhet të testohen trajtime eksperimentale me anti-koagulantë për të shmangur dëmtimin e kapilarëve pulmonarë.