Studimi i ri: Duhanpirësit janë të prirur për vetëvrasje
Duhanpirësit janë më të prirur për të kryer vetëvrasje sesa ata që s’e kanë pasur këtë ves dhe fajtore duket se janë kimikatet në cigare. Kërkimet e mëparshme kanë treguar se duhanpirësit janë më të prirur për t’i dhënë fund jetës, por mendohej se kjo ndodhte pasi edhe personat me probleme mendore janë të prirur për të pirë cigare.
Tashmë kërkimet e reja tregojnë se nikotina tek duhani mund të nxisë çrregullimet mendore ose t’i rëndojë ato. Studimi bëri një krahasim mes shteteve në SHBA të cilat kanë rritur taksat mbi duhanin dhe kanë ndaluar duhanpirjen në vende publike me ato që nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Përqindja e vetëvrasjeve ishte më e ulët tek vendet që praktikonin “antiduhanin”.
Shtetet që kishin rritur taksat mbi duhanin dhe nuk lejonin duhanpirjen në vendet publike mes viteve 1990 dhe 2004 kishin një ulje të vetëvrasjeve me 15%. Përfundimet u nxorën pasi analizuan politikat e duhanpirjes në shtete të ndryshme.
Studiuesit thanë se duhen aplikuar më shumë kufizime lidhur me duhanpirjen dhe se përveç problemeve shëndetësore fizike që sjell pirja e duhanit, duhen prezantuar dhe problemet e shëndetit mendor. Këto kërkime të reja, të cilat sugjerojnë rritjen e rrezikut për çrregullime mendore ose mund t’i rëndojnë ato, ndikojnë në rrezikun për vetëvrasje.









