Hapen procedurat për të gjithë kandidatët që dëshirojnë të vijojnë një fakultet të dytë apo ata studentë që duan të bëjnë transferimin e studimeve nga një universitet në tjetrin. Ministria e Arsimit ka miratuar udhëzimin për kriteret dhe procedurat që duhet të ndjekin kandidatët për fakultet të dytë dhe transferim studimesh. Sipas afateve të përcaktuara nga MAS-i, afati i fundit i aplikimit është data 19 shtator. Po ashtu, në udhëzimin e saj Ministria e Arsimit ka përcaktuar edhe kriteret dhe dokumentet e aplikimit për kandidatët, të cilat duhet t’i dorëzojnë pranë sekretarive mësimore të fakultetit përkatës. Studentët që do të fitojnë të drejtën për të ndjekur një program të dytë studimi, kanë tarifa të tjera në krahasim me studentët që ndjekin po atë program studimi por e kanë fakultet të parë. Shembull: Në Universitetin e Mjekësisë kandidatët që do ndjekin Farmacinë si program të parë studimi e kanë tarifën 45.000 lekë në vit, ndërsa ata që e kanë program të dytë e kanë tarifën 233.916 lekë. Në Fakultetin e Drejtësisë në UT, tarifa e studimit për program të parë të studim është 40.000 lekë, ndërsa për program të dytë studimi tarifa është më e kripur, 63.341 lekë.
PROCEDURAT E APLIKIMIT
Kush kërkon të ndjekë një program të dytë studimi apo të transferojnë studimet, ka të drejtë të aplikojë pranë institucioneve të arsimit të lartë deri në datën 19 shtator 2016. Kandidatët që aplikojnë për program të dytë studimi apo transferim studimesh, kanë të drejtë të aplikojnë deri në 5 programe studimi. Në udhëzimin e MAS-it përcaktohet se kandidatët që aplikojnë për program të dytë studimi, duhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendimin nr. 407, datë 01.06.2016 të Këshillit të Ministrave. Po ashtu në udhëzim është e përcaktuar se nuk mund të pranohen aplikime për transferime të studimeve gjatë vitit akademik. Kandidatët që aplikojnë për transferim të studimeve apo program të dytë studimi, duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara nga universitetet për programet e studimit për të cilët aplikojnë.
Kandidati nuk duhet të jetë duke ndjekur një tjetër program studimi. Të gjithë kandidatët për program të dytë studimi, që kanë mbaruar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, duhet të kenë të njohur diplomën/certifikatën e arsimit të mesëm të lartë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Kandidati që aplikon për program të dytë studimi apo transferim studimi paraqet dokumentacionin pranë sekretarive mësimore që mbulojnë programin përkatës të studimeve: Kërkesa për programin e studimit në të cilin aplikon për program të dytë studimi (ose formulari i aplikimit) apo transferim studimi; kopje e noterizuar e diplomës së studimeve universitare të kryera më parë, të shoqëruar me suplementin e diplomës; vërtetim të listës së notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, i cili do të shërbejë për ekuivalentimin e notave të lëndëve të programit të studimit të ndjekur (nëse kërkohet njohja e provimeve të shlyera dhe/ose e krediteve përkatëse); kopje të noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave, ose të një dëftese/diplome tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të në Shqipëri dhe të njohur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS); fotokopje e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë); dy fotografi personale etj. (Dokumentet e plota janë në tabelën bashkangjitur shkrimit.)
FITUESIT
Në udhëzimin e ministrisë përcaktohet se universitetet duhet që brenda datës 21 shtator të bëjnë publikimin e kandidatëve që aplikojnë për program të dytë studimi apo për transferim studimesh. Më tej përcaktohet se aplikimet për transferim studimesh dhe program të dytë studimi shqyrtohen nga komisionet e posaçme që ngrihen nga universitetet brenda datës 30 shtator 2016. Komisionet kryejnë vlerësimin e dosjeve si dhe të kritereve të tjera të shpallura prej tyre. Universitetet publikojnë listat me renditjen e kandidatëve brenda datës 3 tetor 2016. Në lista kandidati i fundit përcaktohet me vijë të kuqe. Kandidatët kanë të drejtën e ankimimit brenda tri ditëve nga shpallja e rezultateve. Po ashtu edhe universitetet duhet të shprehen me vendim të argumentuar brenda dy ditëve nga dita e ankesave. Lista përfundimtare e fituesve në program të dytë studimi dhe transferim studimesh bëhet në datën 10 tetor, ndërsa regjistrimi i fituesve do të bëhet nga data 10 tetor deri më 14 tetor 2016. Kuotat bosh plotësohen me kandidatët poshtë vijës.
BW/d.i.