Intervistë me studiuesin e Kadaresë, Dr. Anastas Kapurani. Si e shikon ai veprën e shkrimtarit të njohur shqiptar, pikëlidhjet me letërsinë bashkëkohore, kontributet në pasurimin e saj, si edhe shumë elementë të tjerë që e veçojnë veprën e Kadaresë
Intervistoi Ben Andoni
Libri juaj “ Kadare ose Liria e Fjalës së Penguar “, megjithëse është i ardhur në një lëmë të tërë studimesh për shkrimtarin e njohur, ka zënë një vend të veçantë falë trajtimit tuaj. Ju lutem, a mund të shpjegoni për publikun metodologjinë në këtë studim?
Unë nuk vajta tek Ismail Kadare ngaqë një ditë të bukur thashë: sot do shkruaj për Kadarenë. Në fakt dëshira kish qenë atje për shumë kohë dhe më fliste e pagojë. Në tavolinën e punës ishin përherë një emër dhe një libër që nuk shkuleshin së andejmi, por me një kusht të lumtur: duke qenë aty, bënin më shumë vend për emra të tjerë të mëdhenj nga bota e artit. Ky emër dhe ky libër ishin një: Kadare. Sa zgjati kjo? Shumë zgjati, gjer në çastin kur, jo unë, por foli libri dhe më çoi te sivëllai i tij më i afërt, aty ku libri rrëfehet si në pasqyrë. Nga libri – tek libri, kështu nisi rrugëtimi im me Kadarenë në botën e tij të paanë, duke shkelur jo në atë rrugë që na thotë kalendari i hapur i botimit, por atë shteg të vështirë që çel filli i padukur që digjet i mbuluar dhe që lidh së brendshmi fjalën dhe të vërtetën e shkrimtarit të madh. Ja, këtë bëra unë: mblodha mençurinë që digjet mbi këtë fill të përrallshëm dhe kjo mençuri e vështirë u rrit dhe një ditë u bë libër. Po ky libër erdhi në këtë botë me një kusht ekzistencial të habitshëm: erdhi si dy libra në një. Ngaqë, në të njëjtën frymë, libri foli jo një po dy herë: një herë shqip dhe herës tjetër anglisht. Ishte e pamundur të vinte ndryshe. Apo që të guxoja të mos i bindesha këtij urdhëri të frikshëm. Libri thjesht më kthente krahët. Kish gjëra që thuheshin më mirë në shqip dhe gjëra që thuheshin më mirë në anglisht. Ndaj, veçmas, libri është përherë më shumë se një. Ngaqë është bashkë me vëllain e tij siamez. Sa vajti kjo punë? Më shumë se tre vjet, dhe me një regjim spartan që nuk pranonte ditë në mes, gjithmonë paradite, nga ora nëntë gjer në dymbëdhjetë. Në fund libri zgjodhi edhe emrin e vet, edhe të pjesëve që e ndërtojnë. Tani ju më pyesni për shtegun me dritë që shkela, me fjalë të tjera, asaj që greku i lashtë i thotë methodos. Nuk e dija. Këtë e mësova kur libri ndërkohë erdhi. Ma tha James Wood, një nga mendjet letrare më të ndritura sot, me librat e tij të mrekullueshëm. Është një qasje, thotë ky njeri i shquar i letrave, që këto vitet e fundit po bën ballë dhe po zë vend rëndë-rëndë. E vështirë, vërtet, por nga më të mençurat që i janë shfaqur botës së kërkimit letrar. Dhe pastaj ai i vë emrin kësaj methodos dhe e quan kështu: të shkruash jo p ë r librin e aksh autori por të shkruash p ë r m e s librit të tij ( through his book ). Ja, pikërisht këtë bëra me Kadarenë dhe ky është shtegu i vështirë që shkela dhe që mua m’u shfaq në të bërë, si praxis dhe shumë më vonë si emër. Kur mësova që qasja ime nuk ish jetime dhe kish emër, kënaqësia ishte e jashtëzakonshme.
Në veprën e Kadaresë koha e tij letrare në disa raste e tejkalon kohën reale. Si e shikoni elementin e kohës që përdor shkrimtari në veprën e tij dhe përballjen me njeriun shqiptar?
Kështu ndodh tek Kadare ngaqë kështu ndodh gjithmonë me artin e madh. Koha, reale ( me fjalë të tjera: e njëmendtë ) qoftë apo letrare ( me fjalë të tjera: imagjinare ) qoftë, në thelb është një: kuptimi qenësisë. Megjithatë, brenda këtij kuptimi universal, shkrimtari i madh përherë ndërton lidhjen e tij të mëvetësishme që të mund të shpërfaqë begatinë e personalitetit të tij krijues. Ndaj që të mund të mësojmë lidhjen e vështirë të Kadaresë me kohën na duhet të pyesim: Cili është njeriu i tij? Dhe që të mësojmë këtë, na duhet të pyesim më parë tjetrën: Cila është bota e tij? Kadare ngriti më këmbë botën e vet, nga më të begata të ndërtuara ndonjëherë në letrat e mëdha europiane. Kjo botë është e tëra e tij. Ndaj ai i vë emrin asaj. Si e quan? Mosjeta. Me këtë fjalë-koncept madhore, Kadare i bën të dyja të vështirat: edhe e rrok këtë botë me gjithësej, edhe e mban në pëllëmbë të dorës. Në këtë botë koha rrjedh ndryshe. Kjo kohë nuk flet gjuhën e njeriut. Ngaqë kjo kohë nuk i thotë njeriut: hajde të bëjmë bashkë. Kjo kohë flet gjuhën e terrorit politik dhe i thotë njeriut: tutje nga unë. Kjo kohë nuk e qas njeriun pranë, kjo kohë e përzë njeriun. Qysh mund të hyhet në këtë kohë? Kjo është çudia që bëri Kadare me artin e tij të pashoq. Ai mbeti në vijën e parë të kësaj kohe që i ngjeth mishtë njeriut, mbërriti gjer në ashtin e saj, gjer aty që nuk guxonin të shkonin as xhindet, me një fjalë, shkoi gjer në afrinë më të afërt. Si e mbajti fjala e Kadaresë këtë barrë që ngjan e prerë për zotat? Ngaqë Kadare guxoi dhe bëri tjetrën, me art gjithaq të madh: ai u shty më larg se gjithkush tjetër, gjer në rajonin e epërm homerik, me një fjalë, mbërriti gjer në larginën më të largët. Kjo është lidhja e Kadaresë me kohën: nga largina më e largët gjer në afrinë më të afërt. Ky është zembreku i kohës së tij, mekanizmi i saj i gjallë. Pastaj mbi këtë shpirt të gjallë mbahet vet fjala e tij, ashtu sikundër mbahen dhe veç rriten edhe liria, edhe e vërteta e tij e vështirë.
Personazhet e Kadaresë vazhdimisht pikëtakohen në vepra të ndryshme. Ka qenë një ndikim i letërsisë klasike apo autori e ka menduar, në mendimin tuaj, se kështu mund të kapte më mirë pulsin e jetës shqiptare?
Ju bëni fjalë për ndikim. Një shkrimtar, aq më tepër kur është i madh, nuk bën dot pa ndikim. Ngaqë mjeti i tij themelor: gjuha, e tillë është, tejet e ndikuar, e mbushur plot, saqë tjetri është në hall të gjejë qoftë edhe një fjalë që është e gjitha e tij. Ndërsa ndikimi tjetër, ai që thotë: kjo është tek tjetri i madh ndaj është tek Kadare, këtë ndikim mediokër Kadare nuk e njeh. Për arsyen e thjeshtë se shkrimi i tij është elitar ndryshe, ai pranon të flasë vetëm gjuhën dhe shpirtin e të zotit. A ka shtegtim të personazheve në botën e paanë të Kadaresë? Natyrisht, për shembull, të marrim motrat Krasniqi. Edhe sikur ky të ishte i vetmi shembull, ne do t`i përgjigjeshim pozitivisht pyetjes. E tillë është pesha e tyre pa të dytë. Pse, ç`bëjnë motrat Krasniqi? Prania e tyre ngjan të jetë bari çudibërës që nuk e lë njeriun të egërsohet. Aura që vjen prej tyre është mirësi tjetër, dora e padukur që e ngre njeriun, ndaj lule e rrallë në hatanë që zien rrotull. Megjithatë, mendoj, që shtegtimi i personazheve nuk është dukuri që e shenjon botën e Kadaresë. Më tepër se prani fizike, tek ai shtegtimi është prani e psikikës dhe e një formati shpirtëror lehtësisht të identifikueshëm ngaqë janë rritur në klimën e sertë të Mosjetës.
Ju flisni për lirinë e fjalës së Kadaresë dhe e lidhni me të vërtetën. A mund ta shpjegoni me pak fjalë për publikun shqiptar?
Është kjo që ju ndërkohë e keni thënë. Ngjan që për Kadarenë është shkruajtur shumë, në gjuhën e mëmës, por mbase më shumë dhe më mire nga njerëz të ditur jashtë. Po të mbajmë vesh mire ato që dëgjojmë, biem mbi një të vërtetë që çudit jo pak. E tërë energjia e këtij rrëmeti të paepur mblidhet dhe na flet nga një frazë e vetme: Kadare është shkrimtar I madh. Kështu e zënë kuvendin me Kadarenë thuajse të gjithë, edhe në vendin e tij, edhe jashtë. E keqja nuk është me këtë frazë, që është më se e vërtetë. E keqja është se kjo e thënurë nuk di se ç`thotë. Këndej dalin vetiu jo një po dy pyetje. Pse është Kadare shkrimtar i madh? Ngaqë ndodhka kështu: Fjala e Kadaresë flet që të sjellë në dritë të Vërtetën e saj. Cila është kjo e vërtetë me shtat të ndritur europian tek Kadare? Pastaj e Vërteta e Kadaresë rritet dhe bën përpara në botën që ngre më këmbë dhe që është e tëra e saj. Cila është kjo botë pa të dytë tek Kadare dhe si quhet? Më në fund, e Vërteta dhe Bota e saj zihen për dore në vallen e pakëputur të kuptimit që nuk ngjan të mbarojë një ditë. Cila është kjo valle e mahnitshme e kuptimit te Kadare dhe ç`demonë të dëgjuar e mbajnë më këmbë? Shikojmë përreth në ato që dëgjojmë të thuhen dhe nuk shikojmë gjëkafshë. Këto janë gjërat që gjykojnë artin e madh dhe, natyrisht, për Kadarenë janë të rëndësisë së pare. Pastaj është tjetra: Ku është Kadare shkrimtar I madh? Jo në rrugë, ku përditshmëria fjalëshumë rreket ta bëjë mik, sikundër bëri më parë me Tolstojin, tek thoshte: është cari aty ku është, por është edhe Tolstoj. Tolstoj nuk u vuri kurrë veshin banaliteteve të tilla. Kadare është i madh në Librin e tij të shquar, por jo në ato katër-pesë vende që kritika ka qëmtuar shkarazi gjermë tani. Kadare është i madh në botën e tij të dëgjuar që ngeriti më këmbë dhe që i thotë me përbujë kështu: Mosjeta, këtë botë që ai e ndërtoi me art të pashoq, me vizion të ndritur europian, me angazhim qytetar ndryshe. Kadare zgjodhi me sens të vërtetë krijues një dorë ngrehash sublime që patën qenë aty qysh nga kohët që s`mbahen mend dhe që quhen: Kali i Trojës, eposi homerik, ura, baesa, piramida, vajza e Agamemnonit dhe pikasi në to me syrin e gjeniut një gjë të madhe: këto ngreha bartin europianizmin e mirëfilltë. Pastaj ai bëri atë të vështirë që bën arti i madh: i zbrazi ato me gjithësej, i ngriti nga e para me themel, i bëri kështu krejtësisht të tijat, dhe me ato bëri të padëgjuarën: arriti zemrën e mbyllur në hapsanë të njeriut të Mosjetës, duke përmbushur me vetëdijë krijuese tjetër, kushtin suprem të artit të madh: edhe njeriu, edhe fjala duhej të mbeteshin përherë përtej goditjes vrastare të tiranisë. Kjo është liria që na u shfaq dhe një ditë na tha se quhet: Liria e Fjalës së Penguar. Kadare është shkrimtar i madh i kësaj lirie pa të dytë në letrat europiane. Pastaj nga maja e kësaj lirie, Kadare pikasi tjetrën: e Vërteta që ngrihej rrotull tij ishte e zënë me energjinë e ur– krimit, në dy pamjet e tij të zanafillta: edhe si ur-krim i qiellit, edhe si ur-krim i tokës. Pasi jo një po dy përbindsha bëhen bashkë që të sjellin në jetë këtë krim të ri, të padëgjuar më parë: përbindëshi i Tebës dhe përbindëshi i Trojës. Kadare është shkrimtari i madh i kësaj të vërtete, përsëri, pa të dytë në letrat europiane. Kështu që e vërteta nuk është asnjëherë vetëm. Është e vërteta bashkë me lirinë e saj. Ngaqë nuk ka asnjëherë liri që varet mbi humnerë. Liria është përherë drita e së vërtetës që mblidhet në zemër dhe bëhet gjaku i saj, që mblidhet në sy dhe bëhet dritë e tij.
Figura e Enver Hoxhës spikat në korpusin e veprës së tij. Një element që Kadare e ka justifikuar me peshën e vërtetë të Hoxhës në jetën shqiptare. A mundet shkrimtari që mendon të krijojë gjini korale të tilla si romani, në kuptimin tuaj, t`i shpëtojë figurës së diktatorit?
Jo, – është përgjigjja, madje me sëpatë dardhare. Është koha që historia, po ashtu dhe arti që rëndon, të kuptojnë një të vërtetë të thjeshtë por të qëruar: me Enver Hoxhën nuk mund të luhet me atë amatorizëm ulëritës, sikundër ka kohë që po ndodh në Shqipërinë tonë të gjorë. Sepse, ç`po ndodh? Gjëma po mblidhet sërish, nxin fare pranë, na shikon dhe nuk kemi sy ta shikojmë. Hoxha, në vend të tret në askund ku i takon, mbetet në sofrën e parë të fjalës. Pikërisht këtu, dhe askund gjetkë, duhet kërkuar lidhja e vështirë e Kadaresë me diktatorin. Pse, ç`bëri Kadare? Atë që mund të bëjë vetëm arti i madh. Ai i hapi shtëpinë e tij të fisme me dritë diktatorit. Pastaj, këtë tjetrën, që vetëm shkrimtari i madh di të bëjë. Nuk e vuri në bimcën e kësaj shtëpie hijerëndë, por i hapi odën e saj të parë, larë me dritë ndriçonjëse, që ta shikojnë të tërë. Në Kadare diktatori është në librin e tij të madh, një epope brilante, nga më të bukurat të shkruara ndonjëherë në letrat e mëdha europiane. Po si arrin Hoxha të gjendet aq lart, aty ku rrinë zotat? Fare thjesht: ai hidhet nga zyra e tij e madhe dhe bie drejt e në sarajet e artit të madh. Kadare nuk vë fare dorë mbi të. Është po ai Hoxha i rrugës së madhe, përherë mbathur me pallton e tij të zezë shumë të gjatë, me borsalinën e zezë në kokë, me buzën e poshtme plumb të rëndë… Kjo është mençuria e artit të madh: me një të goditur të vetme, qenia e vështirë e Hoxhës shkrep vetëtimthi në dritë, si këto dy gjëra në një: në zyrën e madhe: diktator; në libër: një personazh i plotësuar së gjithash, që do ta lakmonte vet Shekspiri. Hoxha është kjo çudi, ndaj mund të bënte gjëmën që bëri. Kadare këtë pikasi me syrin e shqiponjës. Dhe kjo është punë e gjeniut. Ndaj te Kadare ndodh një gjë e madhe që nuk ndodh te Tolstoj. Jo Tolstoj por, përkundrazi, është Napoleoni që fiton mbi tekstin e tij, edhe pse narratori i Tolstojit mbetet mbase arritja sipërane e artit novelistik. Ndërsa te Kadare ndodh tjetra. Fiton teksti mbi diktatorin. Dhe kjo është ngjarje e lumtur për lirinë e artit të madh.Po ç` bën Hoxha në librin e madh të Kadaresë? Këtu, edhe pse vendin e kemi me krëk, nuk bëjmë dot pa thënë këtë tjetrën. Të shumtë janë ata, në vendin e tij dhe gjetkë, që i qajnë hallin Kadaresë dhe heqin në shpirt se qysh e bëri këtë,, në këtë libër aq të mirë, pse t`i bënte vend Hoxhës? E quajnë lëshim, mëkat të pafalshëm që e rëndon. Ndërsa përditshmëria, me zuzarët e saj të rrugës, këtu gjen bukën e saj të parapëlqyer që të thur e të shthur turpe të padëgjuar. Po vet Kadare? Askush nuk mund të trondisë fillin e pakëputur që lidh Kadarenë me këtë libër të tij të dashur, ashtu sikundër u duk kjo edhe në incidentin e famshëm me të venë e diktatorit. Po, do ti, ndën trysninë e kësaj energjie të verbër, qëllon që edhe shkrimtari të lodhet, i largohet bisedës, ashtu siç bëjmë pak a shumë kur gjendemi pranë vendit ku ka ndodhur një aksident i rëndë. Nuk është për t`u çuditur atëherë pse Dimri i famshëm i Kadaresë zemërohet me të tërë. Po zemërimi i tij të kujton mërinë me dritë të Akilit. Të gjithë e kanë një fjalë për të sharë zemërimin e tij, por kur i gjenden pranë, si pa kuptuar, zgjasin duart ta puthin në ballë por nuk e arrijnë dot. Po të mbash veshin mbi zemrën ku mblidhet mençuria e rrallë e këtij libri, është e pamundur të mos thuash këtë: edhe sikur sot ta shkruante këtë libër Kadare do të dilte po ky libër që erdhi në jetë dje. Pasi ky libër nuk njeh sot, apo dje. Ai është punë e artit të madh dhe shkruhet vetëm një herë, që të mund të flasë gjithmonë. Tani mund t`i kthehemi pyetjes: Ç` bën Hoxha në librin e madh të Kadaresë? Shumë gjëra bën, dhe çdonjëra nga këto rëndon më shumë se tjetra, ngaqë të tëra janë larë në dritën e artit të madh. U bë plot një qindvjeçar që Europa bën fjalë mbi atë që ajo ndryshe i thotë kështu: Komunizmi i Lindjes. Historianë të dëgjuar, shkencëtarë me një barrë mend, burrashteti me emër shkruajnë e flasin. Po ç` mbetet mbi shoshë dhe ç` vjen në dritë këndej? Pak, zhgënjyeshëm fare pak nga kjo përpjekje thuajse planetare. Duket sheshit që ky përbindësh fshihet në një terr tjetër. Dhe në këtë terr nuk hyn dot historia, por as edhe shkenca. Ky muzg i paudhë është punë e artit të madh. Shkrep epifania nga qielli i paanë dhe zgjedh Kadarenë për njeriun e saj të parë. Pse, ç` vëren ai? Këtë të thjeshtë të vështirë: ky muzg është me shtat perandorak por një ditë mblidhet sa gishti i dorës dhe zë vend në Shqipërinë e tij të vogël dhe të paemër. Ngaqë pikërisht këtu ky muzg gjen njeriun e tij që e ka kërkuar për shekuj me radhë. Nga ky muzg del Hoxha dhe i flet njeriut europian. Ç`i thotë? I thotë se kush është. E çë pastaj? _ mund të thuhet. Kjo është shumë. Ngaqë Hoxha nuk është më udhëheqësi vogëlan i një vendi të vogël dhe të paemër. Tani Hoxha është njeriu i Moskës dhe, kur kthehet në shtëpi, e gjen veten këngë. Pse, ç` ka ndodhur ndërkohë? E Keqja lë Kremlinin dhe zë vend brenda Hoxhës, bëhet qenia e tij dhe ai streha e saj pa të sharë. Hoxha bëhet kështu njeriu i parë i Komunizmit të Lindjes, diktatori i tij. Ky është momenti unikal që pikas Kadare dhe që pastaj bëhet zemra me dritë e librit të tij të madh. Më tej, Kadare i hap udhë kësaj metamorfoze të vështirë të vijë në dritë, me drit-hijet e saj të njohura dhe të panjohura tragjikomike. Dhe pastaj ajo që vjen në dritë është vërtet shumë, saqë mund të thuhet pa frikë kjo: metamorfoza e përrallshme e Hoxhës është mbase paradoksi i parë i shekullit të kaluar. Më në fund, kjo mençuri e vështirë, pasi kullon nëpër struktura brilante, mblidhet në vendstrehimin e famshëm që më shumë se gjithçka të kujton Guvën e dëgjuar të Platonit. Ç` bën këtu? Na flet nga një frazë e vetme dhe thotë se quhet kështu: diçkaja e panjohur. Ç` është kjo enigmë? Përsëri, është shumë. Është terri i Hoxhës që i ngjeth mishtë njeriut europian. Këtu fshihet e Vërteta që Kadare do sjellë në dritë. Ndaj Kadare dhe fjala e tij këtu hyjnë që njeriu të mund të bëjë prapa. Ky është projekti i tyre, kthesa që ushqen spiralen e pandalur në tërë veprën e Kadaresë. Në se në pak fjalë vepra e Kadaresë është kronika e murtajës komuniste, burimi dhe drita e saj këtu i kanë rrënjët, brenda kësaj fraze të padëgjuar më parë.
Si e mbajti bashkëkohësinë e letërsisë vepra e tij? Ku qëndrojnë ato elementë që e bënin të tillë letërsinë e Kadaresë?
Kjo pyetje plotëson atë që ndërkohë kemi thënë mbi kohën. Tek Kadare nuk është që bashkëkohësia thjesht mbahet mbi elementë të veçantë. Ngaqë këtu bashkëkohësia është vet shpirti i veprës. Ku qendron kjo bashkëkohësi dhe ç` e mban më këmbë? Është parimi që përmendëm atypari: nga afria më e afërt në larginën më të largët. Kadare u shty gjer në agun e fillimit europian por vetëm që të mbetej në ballkonin e parë të kohës së madhe të njeriut. Në një vështrim më të rrokshëm, koha te Kadare ngërthen segmentin që përcakton kohën moderne të shqiptarit, gjysëm – mijëvjeçarin që fillon me pushtimin otoman e këndej. Në këtë mynxyrë shqiptarët nuk hyjnë si mjeranë apo të paemër. Ata hyjnë me torbën plot ngase janë bij të Motit të Madh të Skënderbeut. Pastaj, kur është fjala për bashkëkohësinë, te Kadare ndodh një diçka që rrallë piqet në të mëdhenjtë e tjerë. Nuk është që koha e librit dhe koha e njëmendtë thjesht janë pranë e pranë. Këtu kufiri thuajse fshihet, tjetri kalon nga njera anë në tjetrën pa asnjë kokëçarje, natyrshëm, ngaqë këtë e bën se kjo është mënyra e tij e ekzistencës. Kjo shpjegon faktin e njohur por që flet aq shumë. Kur arrin rrugëtimi epik i Kadaresë në bregun e tij? Njësh në kohë me njeriun që del nga nata llahtarë e Hoxhës. Ndaj qytetarë të zakonshëm, më shumë se nga shtëpia e tyre, ngjajnë të dalin nga librat e Kadaresë në ditën e parë të lirisë, kur, mes fjalëve të para që shqiptojnë në gjuhën e lirisë së re, janë këto: Kadare është me ne.
Kadare nuk heziton të përdorë në letërsinë e tij dhe kategori sociale, që në shoqërinë tonë janë disi tabu. Në një moment flet incestin, në të tjera për tabu të tjera. Është ky një provokim për të shpluhurosur shoqërinë shqiptare apo për t`i dhënë frymëmarrje letërsisë së vet?
Mendoj se është edhe njera edhe tjetra, dhe pastaj diç më shumë se të dyja këto bashkë. Si shkon një shkrimtar i madh te njeriu i tij? Është kjo që thotë Shklovsky: befas njeriu harron të çuditet. Pastaj vjen arti i madh që njeriu të mësojë të çuditet përsëri. Po qysh e kujton njeriu këtë zeje që e harron në mënyrë që ta mësojë më mirë? Përherë përmes keqkuptimit të fisëm, çlironjës. Po ky i fundit nuk është keqkuptimi banal i përditshmërisë. Ai është i epërm, nuk njeh kohë, dhe ndaj i duhet artit të madh. Për shembull, mbase keqkuptimi më i fisëm Shekspirit i erdhi shekuj më vonë, nga Tolstoj i madh. Tabutë që ju zutë ngoje këtu e kanë vendin. Në këtë terren të vështirë është Migjeni ai që hapi hullinë me dritë ne letrat shqip, me thirrmën e tij legjendare: Hiqi bragashat. Fjala e Kadaresë në këtë mes këndej ngrihet, nga ky vizion i epërm europian. Pastaj ju bëni fjalë për incestin, dhe bëni mirë. Pasi incesti i Kadaresë vazhdon të dergjet në të errtin e keqkuptimit banal, edhe sot e gjithë ditën. Pse, – thotë njeriu shqiptar, edhe ai që di pak, edhe ai që di shumë, – ka incest te Doruntina? Dhe harron që përgjigjja është dhënë me kohë nga Shekspiri. Po të mbetej te kronikat daneze, Hamleti i tij nuk do të vinte kurrë në jetë. Ku kronikat daneze, e ku Hamleti i Shekspirit. Madje, Shekspiri bën tjetrën, që njeriu europian të mësohet të çuditet edhe më shumë. Robert Green ishte bashkëkohës i Shekspirit. Shkruante edhe ky tragjedi, por nuk qulloste gjëkafshë. Ishte i mësuar, kish mbaruar Oxfordin, ndryshe nga Shekspiri, ndaj nuk e kish për gjë t`i nxirrte gjuhën këtij të fundit, e quante të pamësuar. E dëgjoi Shekspiri dhe në vend të përgjigjes bëri këtë: mori librin e Robert Green- it dhe me këtë libër shkroi librin e tij: Përrallë Dimri. Ç`ndodhi? Ndërsa librin e Green – it nuk e zuri njeri me dorë, libri i Shekspirit ngriti gjithë Londrën më këmbë. Tani të kthehemi te Doruntina dhe incesti i saj. Është e vërtetë që Doruntina e Baladës nuk e ka incestin të shkruar ne ballë. Ndaj nuk e shikonin dot të gjithë. Po kjo nuk do të thotë se incesti nuk ishte dhe u soll me përdhunë nga jashtë. Incesti ishte, thellë qenies me dritë të Doruntinës, por duhej syri i gjeniut që ta pikaste. Këtë bëri Ismail Kadare. Dhe që nga ky çast fatlum për artin e madh, Doruntina u bë e tëra e tij. Mos humbi Doruntina nga kjo? Ç`thotë incesti i saj me gjuhën e tij të ndritur? Thotë këtë: njeriu nuk vete në Europë me torbën bosh. Njeriu vete në Europë duke mbetur, në thelb, aty ku është. Kapërcimi, për në Europë, ndodh brenda qenies së njeriut. Po qysh? Njeriu bën bashkë me burimin mëmë këtë që ka brenda vetes, të trashëguar brez pas brezi, dhe që Doruntina na mëson ta quajmë kështu: e ngjashmja e qenësishme. Doruntina e merr këtë të fundit dhe e bën bashkë me kontinentin mëmë. Ky është incesti me dritë i Doruntinës, Doruntina është zogu i përrallshëm i këtij pjalmimi të mahnitshëm. Aq sa mund të themi këtë: çdo popull, rrugës për në Europë, ka Doruntinën e vet. Ja se qysh Doruntina rritet në strukturë sublime, me shtat të ndritur europian.
Gjirokastrës i kthehet shpesh, por aty duket edhe sfida më e madhe për lokucione reale e kur qytetin e identifikon gati në vetën e parë të disa personazheve. A mundet që lokaliteti në vepër, përdorur në kohën dhe mënyrën e duhur, t`i japë një shikim ndryshe veprës dhe më tepër realitet…
Është pyetja që ngjan se nuk kënaqet asnjëherë me përgjigjen që merr, përherë pret diç më shumë. Ngaqë prek lidhjen e vështirë të autorit me vendlindjen. Pse, ç`është vendlindja për autorin e shquar? Vendlindja bën atë që ngjan punë e prerë për zotat: mbledh dhe mban gjallë fëmijërinë e autorit dhe kësisoj mbetet përherë e gjallë për vete në kujtesën e tij. Si arrin të përmbushë këtë mrekulli aq të vështirë? Në të vetmen rrugë të mundshme: me vendlindjen, fëmijëria mbetet një tani e përjetshme që i vjen autorit përherë nga e ardhmja. Ndaj kjo është lidhja që ushqen rrënjën e fjalës ngaqë më parë ushqen rrënjën e kohës. Pa këtë lidhje fatlume fjala e autorit thahet, ndërsa koha që kalon kthehet thjesht në kohë të zbrazur, një djerrinë e pagjë. Në se Gjirokastra është aq shumë për Kadarenë, përgjigjja është vetëm një: askush si Kadare nuk arriti të hyjë aq thellë në misterin e saj të gurtë dhe me aq mençuri. Aq sa themi pa frikë këtë: kudo që fjala e Kadaresë flet, ajo vjen përherë larë me dritën mitike të gurit të lashtë gjirokastrit. Dhe pastaj, në çastin e duhur, Gjirokastra dhe biri i saj i madh, bëhen bashkë dhe ngrenë më këmbë figurën brilante që rrok dhe mban gjallë në lulëzim lidhjen e vështirë me vendlindjen dhe që kushdo që e këndon, shqiptar qoftë a i huaj, mbeten pa mend: “ Nëpër qytete të huaja, duke ecur nëpër bulevarde të gjëra dhe plot drita, më ka qëlluar shpesh të më pengohen këmbët atje ku s`pengohet askush. “ Kjo perlë mahnitëse, është një nga venat me dritë që e çojnë shkrimin e Kadaresë në elitën europiane, atje ku rrinë vetëm një grusht emrash të dëgjuar. Këtë e kanë vënë re edhe studiues të shquar në përtejdet. Për shembull, James Ëood.
A mendoni se hija e madhe e Kadaresë e pengon disi emrin e autorëve të tjerë shqiptarë?
Nuk ngjan të jetë kështu. Po të mbash vesh mitomanët trushkulur shqiptarë, dëgjon që ata bëjnë fjalë për dhjetëra vepra që kanë shkruar, madje që i kanë kaluar të njëqindtat, dhe që, në vështrimin e tyre të sëmurë, duhej të kishin marrë gjermë tani jo një po dy çmime Nobel. Qytetërimi europian ka një paradigmë të paarritshme në këtë që thoni ju. Dhe ky është Aristoteli. Kontinentit plak iu desh plot një mijëvjeçar e gjysmë të shtonte një fjalë në ato që kishte thënë Aristoteli. Nuk ngjet kështu me letërsinë e madhe ngaqë liria e saj është tjetër. Është e vërtetë që kjo liri është me rrënjë tiranike ngaqë flet nga krenaja, por sodoqoftë bën një gjë të madhe. Çë? Ndërsa flet përherë hap një mundësi të re. Me këtë shpirt të shenjtë çlironjës, ajo qas pranë, nuk largon. Pastaj është tjetra e qenësishme. Idetë, sado të mëdhaja qofshin, janë të dhënëshme. Ato nuk mbesin tek i zoti. Vetiu kërkojnë syrin e njeriut, mezi ç`presin të hyjnë në shpirtin e tij. Veç nuk është kështu me si– në e tyre, me atë që i thonë methodos, me teknikën e shprehjes. Kjo është mrekullisht e vetmbrojtur, ndaj mbetet përherë e padhënëshme. Autori e merr me vete. Dhe është shumë mirë që është kështu. Pasi me këtë autori ngjan t`i bëjë shërbimin më të vyer lirisë së tij. Të gjithë kanë marrë nga vizioni i ndritur i Kadaresë. Dhe fjala nuk ka të keq nga kjo. Përkundrazi, liria e saj rritet, bëhet më shumë. Por askush nuk mund të verë dorë mbi shpirtin e fjalës së Kadaresë. Pasi ky është vetëm i tij dhe i askujt tjetër. Dhe shumë mirë që është kështu. Kjo i bën mirë lirisë së fjalës, e mbron nga e keqja mbase më vrastare e saj. Pastaj, këtu ka dhe diçka tjetër që nuk bëjmë dot pa e thënë. Kadare nuk është vetëm. Ai është bashkë me dy gjigantët e tjerë: me Lasgushin dhe me Migjenin. Hollë-hollë, kjo është çudia që ka ndodhur në letrat shqip, në një kohë që nuk ka ndodhur në letërsi të tjera më të mëdha apo me traditë më të pasur. Bie fjala, në Angli. Këtu, mbas Shekspirit, u deshën më shumë se dyqind vjet të vinte një tjetër, jo aty ku ishte Shekspiri, po së paku t`i qasej, larg e larg. Dhe ky ishte Dickens. Këtij tani së fundi i kremtuan dyqindvjetorin dhe presin ende të vijë një dikush që t`i bëhet shok. Nuk ndodh kështu me letërsinë tonë. Ajo është nga të pakta fatlume. Pasi ç`ndodh këtu? Jo një por tre gjigantë ranë nga qielli, fare pranë sho-shokut, si për të zbutur disi shortin e ashpër të shqiptarit. Letërsia e fisme e kujt vendi të madh europian nuk do të ndihej paq me Lasgushin? Por kjo që thuhet për Poetin e Liqerit mund të thuhet plot gojën edhe për Migjenin. Atëherë kritika u zu ngushtë dhe nisi të bëlbëzojë: Lasgushi apo Migjeni? E dëgjoi Ismaili këtë katrahurë dhe vuri rregull me dy fjalë të mençura që tha. Kanë ndarë mes tyre qiellin dhe tokën. Ka tjetër masë më të epërme që të mbajë gjeninë e tyre krijuese si në pëllëmbë të dorës? Po mirë që themi këtë, po pyetja është atje: Ç`mbetet për të tjerët? Këtu shfaqet Kadare dhe ardhja e tij është zgjidhja e lumtur e këtij udhëkryqi thuajse të pamundur. Çfarë bën ai? Ai është hallka e artë që edhe lidh dy skajet e kësaj mase të paanë, edhe i kapërcen ato me spiralen e paepur të fjalës së tij të madhe. Sepse – le ta theksoimë këtë – nga Lasgushi dhe Migjeni, shtegu me dritë çon vetëm tek Kadare dhe tek askush tjetër.
Ka një simbolikë të tërë përdorur në veprën e tij. A mendoni se interpretimi i tyre ka qenë ndihës për zhvillimin e shoqërisë shqiptare?
Natyrisht që ka ndihmuar dhe ju keni të drejtë ta pohoni këtë. Pasi kjo është simbolikë që rron dhe flet në një vepër të madhe, ndaj rëndon dhe është vlerë e shquar. Studiues të njohur e kanë pikasur këtë dhe e kanë trajtuar jo në një po në disa libra të rëndësishëm. Po pyetja është atje dhe ende pret përgjigje: a duhet të mbetet kjo përpjekje më se e dëshiruar vetëm gjer këtu? Ngaqë nuk ka simbolikë thjesht per se. Aq më tepër në një vepër të madhe. Pasi, ç`është në punë në një vepër të madhe? Përgjigjja është një: e Vërteta. Ndaj ka simbolikë si dritë mbi të vërtetën. Kjo, po, ka munguar gjermë tani.
Pse ju, personalisht, jeni kaq i dhënë pas Kadaresë?
Jean Baudrillard mbase ka të drejtë. Njeriu në jetë ka vetëm një shkrimtar, një filosof, një ide të madhe. Nuk është punë e lehtë të zbresësh në pusin e thellë të këtij mendimi të mençur. Ngaqë kjo një nuk është ajo e aritmetikës. Përkundrazi, kjo një edhe hap udhë, edhe kërkon vetiu shumësi të tëra. Në letrat shqip hyra në fillim me Lasgushin, pastaj me Migjenin, dhe drita që vinte syresh më çoi pashmangshëm tek Kadare. Këtë nuk e dija, e mësova një ditë krejt papritur kur Ismaili, si pa kuptuar, – do të thoshte Lasgushi – m`u shfaq nga brenda rrënjës së fjalës së tij ku rrinte fshehur, dhe nisi të më flasë. Dhe, si e këputur nga qielli, hodhi shtat kjo një e magjishme që thotë Baudrillard. Sepse që nga ky çast ndodhi kjo që shenjon lidhjen e vështirë me shkrimtarin e madh: unë kisha më shumë vend për të mëdhenjtë e tjerë. Ndaj tek unë gjithçka fillon ditën kur Ismaili i fshehur në rrënjë të fjalës së tij të madhe nisi të më flasë. Pse, ç`erdhi në dritë pas këtij çasti fatlum në jetën time krijuese? Shumë, aq sa është vendi të them këtë plot gojë: këtë dritë të epërme nuk do ta këmbeja jo me një Harvard por as me dy. Pastaj është tjetra në lidhjen e trazuar me shkrimtarin e madh. Dhe kjo është e tëra imja, ngaqë ma mësoi përvoja ime e vështirë. Unë rroj në mërgim dhe libri atje erdhi në jetë. E çë pastaj? – mund të thuhet. Po, ja, është kjo që i themi: s t r e h ë. Ç`është ajo? Jeta këndej fillon, me strehën: mëma është e para, pastaj familja, plotësohet më tej me fqinjërinë, me vendlindjen, gjer tek shteti dhe më gjerë. Mbase jeta, në një kuptim, nuk është veçse ky plotësim i pakëputur i strehës. Mirë, jemi në rrugë dhe ndihemi të mbrojtur: ku është streha? Njeriu hedh sytë rrotull dhe zihet ngushtë ngaqë nuk sheh gjëkafshë. Ndryshe ndodh me kërmillin që e mban shtëpinë me vete. Këtu ndërhyn mërgimi pasi ai ngjan se është zoti i kësaj pyetje. Ngaqë mërgimi këtë bën në thelb: rreket të ngrejë më këmbë strehën që është shembur me gjithësej. Po ku kërkon ta ngrejë strehën mërgimi? Atje ku ajo nuk është, në dhe të huaj. Këtu zë fill kalvari i hidhur i mërgimit. Ndodh ajo që pikasi vienezi i madh, Alfred Polgar. Ky është shorti i emigrantit, thotë ai. Dheu i huaj nuk i bëhet mëmëdhe, ndërsa dheu mëmë i bëhet i huaj. Unë gjithashtu, si plot të tjerë, nëpër këtë kalvar kalova, u mbajta me thonj e me dhëmbë më këmbë, gjeta një punë të fisme, zura shtëpinë time, çova fëmijët në shkolla të mira, kishim për të ngrënë mirë, vura dhe diçka mënjanë. Dhe megjithatë ndodhte kjo që më zbrazte ligsht: kur ecja në rrugë dhe qëllonte të rrokullisej diku mbi pullaz qoftë dhe një guriçkë, mes dhjetra kalimtarëve të shkujdesur, i vetmi që e dëgjonte këtë dhe vinte duart në kokë për t`u mbrojtur, isha unë. Ç`më thoshte kjo? Vazhdoja të isha në thelb i pa – strehë. Streha e vërtetë nuk ishte kjo që dukej, ishte tjetra që ndërkohë kishte zënë të ngrihej në të errët, nga pak e përditë, me mund. Kishte nisur të ndërtohej me Lasgushin, pastaj me Migjenin, më tej me Kadarenë. Gjer kur zgjati kjo? Gjer ditën kur, si pakuptuar, streha la muzgun e saj dhe në një çast të vetëm shkrepi në dritë dhe më foli e pagojë qenien e saj të vështirë kështu: pashë drejt në sy, si i barabartë, jo grekun e rëndomtë por grekun e mësuar. Kjo është streha. Madje një ditë ajo më foli edhe më shkoqur, me gjuhën e një rrebeshi të tërë emocionesh. Para disa vjetësh im bir ishte në shkollë të mesme, një shkollë e mirë dhe me mësues të dalluar. Një ditë, mësuesi i letërsisë hyn në klasë me një libër në dorë. Ishte Prilli i Thyer i famshëm i Kadaresë. Themi prill i thyer, dhe aty për aty shikimi na merr tjetër teh. Është drita verbonjëse e kësaj metafore të rrallë, nga më të bukurat të ngritura ndonjëherë. Ndaj gjuhët e tjera zihen ngushtë dhe nuk e mbajnë dot rrëmetin e saj me dritë. Francezët diç kanë bërë kur thonë avril brisé, ndërsa anglezët s`kanë qullosur gjëkafshë kur thonë broken April. Po grekët? Këtu ndryshon puna. Nuk thonë thjesht spasmenos, ndaj kanë qëlluar aq mirë në shenjë. Rimagmenos, thonë me shijë e sharm. Fjala është tek Seferis dhe bën fjalë për shkatërrim të gjëmshëm por jo nga ata që vijnë për të gremisur njeriun në humnerë. Përkundrazi, ky shkatërrim vjen që ta ngrejë njeriun. Kështu që fjala e grekut rrok me shkëlqim të veçantë zjarrin e pashuar që digjet në metaforën e rrallë të Kadaresë. Por fjala e grekut flet aq mirë brenda lidhjes së re me prillin, që më parë nuk ishte. E flet Kadare, pastaj e dëgjon greku. Ndaj në lidhjen e krijuar shqipja vazhdon të jetë përsëri zonja e parë: jep pastaj merr. E shikoni këtë libër? – i drejtohet greku klasës, larë me dritën e kësaj metafore të rrallë. Është libër i madh. E ka shkruar një fqinj yni. Dhe ai është shqiptar. Aq mjaftoi që të zgjojë… çë? I thonë e qeshur e ligë, por nuk është gjendur ende fjala që mund të mbajë këtë llahtarë që ngjan se ka mbledhur gjithë acarin e përçmimit njerëzor. Dëgjoni, u drejtohet greku i mirë, ky është shkrimtar i madh. Dhe vetëm me këtë libër meriton të marrë çmimin Nobel. Dhe pastaj vjen pyetja që shenjon thelbin e këtij çasti të paharruar: E ka lexuar njeri këtë libër? Nuk di si ndodhi, më tha im bir, por pashë që po ngrija dorën, në fillim me drojë dhe si i mpirë, i bindur që isha i vetmi, por nuk bëja dot pa parë edhe anash. Kur, ja, çudia ndodhi… U ngrit një dorë tjetër, pastaj një tjetër, edhe një tjetër, u bënë disa. Pastaj…pastaj ngrita dorën fort lart dhe lotët më mbuluan. Por, do ti, qaja dhe ishte hera e parë që nuk më vinte turp. Po bir, i thashë, kjo është burrëria dhe kështu na gjen një ditë. Kjo është, me fjalë të tjera, streha: larë me lot të nxehtë, me dhimbje të thellë, me metafizikë tjetër. Ndaj një popull që nxjerr nga gjiri i tij një Kadare nuk ka të humbur. Pse, çfarë i jep njeriut shqiptar kjo fjalë e madhe? I jep para së gjithash këtë: të drejtën që ta shikojë tjetrin në sy si i barabartë, lirinë e shenjtë që të ulet bashkë me të tjerët në strofën e kuvendit ku shtrojmë jo gjë tjetër por europianizmin tonë të fisëm që ndajmë me të tjerët. Ndaj për të gjitha këto, të falemnderit Ismail Kadare, të falemnderit shumë. Madje kjo fjalë, edhe pse mbase tingëllon më fisëm se simotrat e saj gjetkë, këtë radhë se pse më dëgjohet e zbehtë. Më shpëton Kuteli me motërzimin e tij ndriçonjës. Atë dëgjoj në këtë çast të trazuar dhe flas përsëri. Për të gjitha këto, Ismail Kadare: të jam falur.
Çfarë do presë publiku prej jush në të ardhmen e afërt?
Sikundër thashë, në letërsinë tonë të fisme mua më hapi udhë Lasgushi në fillim, pastaj Migjeni, dhe fati më qeshi vërtet kur m`u shfaq Kadare. Kjo është krenaja e letrave shqip dhe këtu gjërat janë në punë me ligje të tjera, shfaqen me të vështirë dhe tepër rrallë, pa se kur vijnë, kjo nuk parathuhet. Ndaj përgjigjja për pyetjen që më bëni më flet jo një po dy herë. Një herë si këshillë e urtë dhe e flet përralla e famshme e bariut me zanën. Mos nxirr zë, më thotë, se të marrë gojën. Herës tjetër më flet si maksimë e mençur dhe vjen nga Sofokliu i lashtë, në Ajaksin e tij të dëgjuar. Ajo që na shfaqet nuk është punë e njeriut por e kohës. Koha këtë bën, thotë ai, zbulon atë që është e mbuluar. Kjo gjë aq e thjeshtë, thënë dy mijë e pesëqind vjet më parë, vazhdon të jetë guri i parë që shenjon marrëdhënien e vështirë të njeriut europian me kohën. (Milosao)