Wuhani për studenten shqiptare Silva Doçi e cila po bënte atje doktoraturën për marrëdhënie ndërkombëtare, ishte kthyer në një shtëpi të dytë. Të jetuarit në këtë provincë të Kinës, do të ndërpritej papritur nga koronavirusi vdekjeprurës.
Që prej një jave Silva, është kthyer në Tiranë, pasi u mbajt në karantinë në Ankara, Turqi. Në një rrëfim për TCh, fillimisht ajo tregon përballjen e parë me këtë ngjarje.
Silva kur ju për herë të parë e morët vesh se në qytetin e Wuhan ku ti studioje, ishte qendra e Koronavirusit cila ishte ndjesia e parë, çfarë mendove?
Kur unë e mora vesh që ekzistonte një Koronavirus, flasim për datën 20 Janar pasi më parë ishte një virus i panjohur që ndodhej diku në një zonë të Wuhanit . Kisha frikë. U mundova të bëj përgatitjet e duhura por nuk dija se çfarë të përgatisja. Isha në ankth. Iu drejtova mësuesve, personave përgjegjës në universitet edhe shoqërisë time. Frika vazhdoi pasi mua më zuri një grip i stinës dhe gjatë të gjithë kohës ndiqja lajmet online për këtë virus të ri. Mundohesha të qetësoja veten por nuk ndodhi ashtu siç doja pasi edhe familja ime e mori vesh dhe frika u shtua edhe më shumë.
Kur e morët vendimin që ishte nevoja për ta lënë Kinën?
Rreth datës 23 Janar. Kishin kaluar dy ditë pasi virusi u bë i njohur edhe jashtë Kinës. Familja ime filloi të më shtyjë që unë të largohem. Në atë kohë kishte filluar edhe rrethimi i Wuhanit, pra mbyllja. Në fillim nuk doja, por duke parë shqetësimin e familjes dhe lëvizjet që po bëheshin në Wuhan për ta mbyllur qytetin, pasi ishte sezon pushimi dhe unë kisha ndërprerje nga shkolla. Çështja e Koronavirusit dhe e imja u bë e njohur në median shqiptare përmes prononcimit që dhashë për Top channel kur unë bëra një lidhje përmes Skype me edicionin e lajmeve, pak për të shpjeguar gjendjen time dhe pak për të atë çfarë dija unë për Wuhanin. Këto ishin hapat e parë përfshi kontaktin me ambasadën që ishte procesi që pasoi më tutje.
A vijoni të jeni në kontakt me miqtë tuaj në Wuhan?
Po, jam çdo ditë jo vetëm me studentët e tjerë që ne jetojmë çdo ditë në konviktin e universitetit por edhe me shoqërinë time. I pyes çdo ditë se si janë dhe nëse kanë ndonjë të prekur nga të afërmit, si vazhdon jeta. Por jo shumë gjatë.
Çfarë të kanë thënë ata?
Ata mundohen të jenë të qetë. Thonë që jemi mirë dhe kjo për ata ka rëndësi për momentin. Situata është e atillë që për ata shëndeti është parësor dhe më i rëndësishmi.
Si u bë i mundur evakuimi juaj përmes një avioni, ushtarak turk nga Wuhani në një spital të Ankarasë?
Për evakuimin e të huajve me sa di unë shtetet e para ishin Amerika dhe Franca që u interesuan dhe bënë lëvizjet e para. Ky ishte moment kur kuptova se ka një mundësi. Në kontakt me ambasadën shqiptare ne arsyetuam që do të duhej një shtet tjetër për të na ndihmuar. Jo vetëm për mua por edhe për qytetarët e vendeve të vogla pasi duhej një avion special për të ardhur e marrë personat në Wuhan. Lëvizjet e tjera janë bërë nga ambasada shqiptare në Pekin dhe qeveria shqiptare. Për fatin tim të mirë u desh që të ishte Turqia që do të merrte shtetasit turq nga Wuhani që ishin rreth 40. Ata u shprehën dashamirës ndaj nesh dhe falë mundit të qeverisë shqiptare u bëra pjesë e grupit të të evakuarve me një avion ushtarak.
Si ishin për ty dy javët e qëndrimit në karantinë në spitalin e Ankarasë?
Do të thoja më të qeta se në Wuhan pasi i kisha marrë edhe rezultatet e para të vizitave në Wuhan, ndjehesha më e qetë pasi nuk isha prekur nga Koronavirusi. Shëndeti im po përmirësohej krahas anës shpirtërore dhe psikologjike. Isha e mbyllur. Karantina është një proces ku ti je e mbyllur brenda një dhome.
Por brenda kësaj dhome çdo gjë ishte në vendin e duhur ishte e përkryer. Kujdesi nga mjekët nga stafi jo mjekësor. Do të thoja jo që nuk kam asnjë ankesë por jam shumë e kënaqur. Ata kishin gjithmonë një buzëqeshje një dashamirësi me gjithë barrierën e gjuhës. Mjaftonte që ata të më thonin “tamam tamam” dhe jemi në rregull. Prisja të kthehesha në Shqipëri. Numëroja ditët. Me gjithë rehatinë aty mendjen e kisha në Shqipëri.
Po bëhet një javë që jeni kthyer në Shqipëri. A ka patur ndaj jush ndonjë lloj stigmatizimi duke u parë me syrin e frikës nga njerëzit që mund të thotë obobo kjo ka ardhur nga epiqendra e Koronavirusit. Si kanë qenë këto ditë të rikthimit të atdhe?
Të them të drejtën këto ditë i kam kaluar vetëm me familjen. Të afërmit e tjerë kanë ardhur për të më vizituar dhe janë ndjerë shumë të afërt me mua si çdo herë kur kthehem nga Kina. Ata duan që unë të ndjehem mirë. E kanë hequr frikën. Familja mendon vetëm për shëndetin e personit dhe jo të tjerat. Shoqëria ime më ka thënë sapo të jesh mirë dhe të qetësohesh të presim e të takohemi si gjithmonë. Por unë të them të drejtën e di se me kë do të takohem, pjesa e parë e interesimit do të jetë Koronavirusi, gjendjen në Wuhan dhe nëse do të kthehem sërish apo jo. Pastaj për mua si person.
Por a do të ktheheni përsëri në Wuhan si do të vijojë marrëdhënia e Silvës me Kinën?
Unë do të kthehem. Do të kthehem me patjetër. Kam shkollën që e kam lënë përgjysmë atje. Kam shumë shoqëri dhe miqësi. Fakti që ndodhi një Koronavirus nuk do të thotë që unë do të ndahem nga ai qytet ose nga ai shtet ku kam jetuar prej 11 vitesh. Kjo thjesht është një fatkeqësi që i ndodhi njerëzve atje. Unë isha pjesë e tyre dhe e ndjeva akoma më shumë. Koronavirusi më ka bërë që ta ndjej më të fortë lidhjen me Wuhanin, me universitetin dhe të gjithë njerëzit. Do të kthehem me patjetër. /tch/