Nga Fernada Cenko
Redion Luli, një student ekselent ka zgjedhur të kontribuojë për vendin e tij. Edhe pse ka studiuar në Rusi, është përshtatur mirë me atë vend, ka marrë dije shumë të mira dhe është specializuar në fushën e të Drejtës Ndërkombëtare, ai ka zgjedhur që të kthehet në Shqipëri, në të njëjtën kohë që aty janë ofruar mundësi të shumta punësimi.
Në një intervistë për Tema Javore, Redioni tregon gjithë anagazhimin e tij në fushën e pedagogjisë, në kërkimet shkencore. Ai është lektor i brendshëm i së Drejtës Ndërkombëtare në UET, pas një tentative për tu punësuar në administratën publike, por tregon që është i lumtur me punën që po bën.
Mund ta hasni në salla konferencash apo në takime të nieveleve të larta të takimeve Shqipëri-Rusi, pasi është përkthyes zyrtar i gjuhës ruse, por edhe në terren duke u marrë me guida turistike vetëm me turistët rus dhe bjellorus që vizitojnë Shqipërinë.
Redion, ju jeni larguar nga Shqipëria për të vazhduar studimet në Rusi. Pse zgjodhët Rusinë, jo një vend të Europës? Dhe pse latë Shqipërinë?
Unë në vitin 2005 përfundova studimet në shkollën e mesme profesionale të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” në Tiranë në degën Gjermanisht. Ëndrra ime ishte të vazhdoja studimet e larta në Gjermani, pasi në vitin 2005 zura vendin e 2 në rang republike për zotërimin e gjuhës gjermane në kuadër të një testimi të zhvilluar nga DAAD dhe kisha të drejtën të vazhdoja studimet në universitetet gjermane pa qenë nevoja të kryeja kursin e gjuhës. Por për efekt të kostove të larta të studimeve në Gjermani, si dhe për faktin që Gjermania rrallë ofron bursa të plota studimi u detyrova të kërkoja variante alternative me bursa të plota studimi dhe mora vesh se Ministria jonë e Arsimit ofronte mundësinë e përfitimit të bursave të studimit në Federatën Ruse, në kuadër të një marrëveshjeje dypalëshe midis dy vendeve.
Nuk e kisha menduar ndonjëherë të studioja në një vend të Europës lindore, aq më tepër në Rusinë e largët, por më interesonte të kisha një eksperiencë studimore jashtë vendit dhe aplikova për një bursë studimi në Federatën Ruse. Për efekt të mesatares së lartë gjatë studimeve në shkollën e mesme, m’u akordua një bursë studimi në Rusi në degën drejtësi, të cilën unë e pranova me kënaqësi. Nuk e lashë Shqipërinë përgjithmonë, por u largova për të marrë një arsim më cilësor se sa ai që ofronte Shqipëria.
Për çfarë keni studiuar atje?
Të treja ciklet e studimeve të larta i kam kryer në fakultetin e drejtësisë të Universitetit Rus të Miqësisë së Popujve në Moskë. Nga viti 2006-2010 kam studiuar drejtësi të përgjithshme. Në përfundim të studimeve u shpalla “Best graduate” i brezit të diplomuar në vitin 2010. Më pas përfitova sërish bursë nga Ministria jonë e Arsimit për të vazhduar studimet në nivelin master shkencor në katedrën e së drejtës ndërkombëtare të po të njëjtit universitet ku u fokusova në studimin e hollësishëm të së drejtës ndërkombëtare dhe europiane.
Nga viti 2012-2015 kreva studimet pasuniversitare në po të njëjtën katedër dhe në shtator të vitit 2015 mbrojta me sukses tezën e doktoraturës me temë “Kundërveprimi ndaj akteve të keqpërdorimit të aviacionit civil: aspektet ligjore ndërkombëtare” dhe mora gradën Doktor i shkencave juridike (PhD, International laë and European laë).
A është e vështirë që një i ri shqiptar të studiojë në një vend si Rusia?
Aventura ime në Rusi ka nisur në një qytet të vogël rus në kufi me Ukrainën, në Bjellgorod, ku dhe studiova për rreth një vit gjuhën ruse në fakultetin përgatitor të Universitetit shtetëror të Bjellgorodit. Muaji i parë larg të afërmve në një qytet ku nuk kishte shqiptarë të tjerë ishte pak i vështirë, por përpara largimit për në Rusi kam udhëtuar shpesh jasht vendit për të marrë pjesë në forume ndërkombëtare dhe jam mësuar të adaptohem në ambjente të reja. U miqësova shpejt me studentët e tjerë të huaj nga vendet e Amerikës Latine, Afrikës dhe Europës, madje u përfshiva edhe në një grup muzikor të përbërë nga studentë të huaj që jepte shfaqje herë pas here në qytetin e Bjellgorodit, duke kënduar këngë folkloristike ruse. Qëllimi im ishte që të transferohesha në Moskë, atje ku universitetet ishin më prestigjioze. Mundësinë për t’u transferuar në Moskë ma ofroi dekanati i fakultetit përgatitor, pasi fitova olimpiadën e gjuhës ruse ndërmjet studentëve të huaj.
Më mundësua transferimin në Univeristetin rus të Miqësisë së Popujve, një prej universiteteve më të njohura jo vetëm në Moskë, por në të gjithë Rusinë. Viti i parë i studimeve në një grup me vetëm studentë rusë ishte impenjativ, pasi nuk ishte aq e lehtë t’u bëje konkurrencë studentëve të talentuar rusë me një inteligjencë për t’u patur zili, por falë përpjekjeve personale dhe falë një përkujdesjeje të veçantë që shfaqnin pedagogët rusë ndaj studentëve të huaj, arrita të fitoja vetëbesimin e nevojshëm dhe të konkurroja me studentët rusë. Barriera e gjuhës ndihej gjatë dy viteve të para të studimit, më pas ajo erdhi duke u venitur. Nuk është e lehtë të krijosh miqësi të qëndrueshme me rusët, por nëse e fiton besimin e tyre, ata të hapin dyert e shtëpisë dhe të bëjnë të ndihesh si një anëtar i familjes. E kam ndjerë veten si në shtëpinë time gjatë viteve të studimeve në Rusi, pasi ndoshta edhe mentaliteti i popullit shqiptar është shumë i ngjashëm me atë të popullit rus.
Kam marrë pjesë aktive në jetën sociale të universitetit, themelova Shoqatën e studentëve shqiptarë në Universitetin Rus të Miqësisë së Popujve, e cila ekziston ende dhe ndihmon studentët shqiptarë të adaptohen me kushtet e jetesës në kampusin universitar dhe të mbrojnë të drejtat e tyre. Përveç kësaj kam patur mundësinë të jem përfaqësues i studentëve europianë në Shoqatën e studentëve të huaj të Rusisë. Gjatë dy viteve të fundit të studimeve të doktoratës më është dhënë mundësia të jap mësim në katedrën e së drejtës ndërkombëtare të Universitetit Rus të Miqësisë së Popujve (Peoples’ Friendship University of Russia). Mund të them se e kam ndjerë veten të privilegjuar brenda mureve të universitetit ku kam kryer studimet e larta dhe jam ndjerë pjesë e një komuniteti multinacional, pasi në universitetin tim studionin studentë nga 147 vende të botës.
Ishte i vështirë adaptimi juaj me Rusinë?
Përpara se të zhvendosesha për studime në Rusi, kam patur mundësinë të udhëtoja shpeshherë jasht vendit dhe të qëndroja larg familjes për periudha dy javore ose një mujore dhe kjo ka ndikuar sadopak që adoptimi im në një vend të ri si Rusia të ishte pak më i lehtë. Por sigurisht që barriera e mosnjohjes së gjuhës ruse ndikonte në adoptimin e ngadalshëm në Rusi gjatë muajve të parë, pasi komunikimi ishte i vështirë, duke qenë se rusët nuk njihen si komb që kanë dhuntinë e mësimit të gjuhëve të huaja si ne shqiptarët. Megjithatë kjo barrierë ra shpejt dhe komunikimi në gjuhën vendase ndikoi në krijimin e kontakteve miqësore, në rritjen e rrethit shoqëror dhe në integrimin e shpejtë në ritmin e jetës së përditshme.
Kam studiuar për 10 vjet me radhë në Moskë, e cila për nga sipërfaqja, së bashku me rrethinat e saj e përfshin 3 herë sipërfaqen e Republikës së Shqipërisë. Moska është një shtet më vete, e ndarë nga Rusia mund të them, me një ritëm marramendës dhe shumë të shpejtë, me distanca të largëta, me kosto të lartë jetese, një qytet që nuk flen kurrë…shumë njerëz lodhen shpejt nga Moska, pasi nuk e përballojnë dot ritmin marramendës të qytetit, i cili është rraskapitës, ku ushqimi konsumohet gjatë rrugës për në punë, kur zbret për të marrë trenin në stacionet e metrosë që cilësohen si më të bukurat në botë. Për mua personalisht adaptimi ka qenë relativisht i lehtë edhe pse klima e ftohtë më bente që të më merrte malli shpesh për klimën tonë mesdhetare.
E keni njohur gjuhën më parë apo? E kishit të vështirë?
Mësimi i gjuhëve të huaja ka qenë hobi im, zotëroj 5 gjuhë të huaja, ndër të cilat edhe gjuhën ruse. Përpara se të nisja rrugëtimin tim në Rusi në nëntor të vitit 2005, pata filluar të ndiqja një kurs me pedagogen më të mirë të gjuhës ruse në Shqipëri, Profesoreshë Xhemile Zykajn, ish-shefen e departamentit të gjuhëve ballkanike në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të UT.
Një kurs që zgjati dy muaj dhe që më mësoi bazat e gramatikës së gjuhës ruse. Gjuha ruse cilësohet si një prej gjuhëve më të vështira për t’u mësuar për efekt se është gjuhë dinamike dhe pasurohet çdo vit me fjalë të reja. Por falë pedagogëve të fakultetit përgatitor në Universitetin shtetëror të Bjellgorodit arrita ta përvetësoja mirë rusishten dhe madje të zija vendin e parë në olimpiadën e gjuhës ruse ndërmjet studentëve të huaj.
Çfarë të mungonte nga Shqipëria kur ishit aty?
Më mungonin prindërit e mi, duke qenë që edhe ata e ndjenin shumë mungesën time, pasi jam djalë i vetëm. Ndjeja mungesën e miqve të mi, shokëve të ngushtë për këshillën e të cilëve kisha nevojë në momente të caktuara. Dhe sigurisht që më mungonte klima e butë shqiptare, me ditët me diell edhe gjatë muajve të dimrit, ndërkohë që në Moskë qielli ishte gri gjatë 7 muajve të vitit dhe kjo ndikonte sadopak në gjendjen shpirtërore.
A do të ktheheshit në Rusi duke e lënë përfundimisht Shqipërinë?
Në vitin 2018 mora një ofertë nga një kompani ruse në Moskë për të punuar si kryejurist, të cilën e pranova për arsye edhe të rritjes profesionale dhe për të patur një eksperiencë si jurist praktikant dhe jo vetëm si pedagog i së drejtës. Por nuk mendoja zhvendosjen përfundimtare në Rusi dhe fakti që u riktheva dhe po punoj sërish në Shqipëri e dëshmon më së miri këtë. Mendoj se kontributi im është më i vlefshëm në Shqipëri se sa në një vend të huaj, por kjo nuk përjashton largimin për periudha të caktuara kohore për arsye të rritjes së kualifikimit.
Çfarë ju pëlqente në atë vend?
Më pëlqente trajtimi që kishim ne si studentë të huaj, një përkujdesje e veçantë e stafit pedagogjik, dashamirësia që shfaqnin, kur vërenin se ishe student i përkushtuar. Më ka bërë përshtypje gjithmonë dhe më ka lënë mbresa të veçanta jeta e larmishme kulturore në Moskë, mundësia për t’u zhvilluar në fusha të ndryshme, vlerësimi që merrje pa kursim për arritjet në mësime dhe jo vetëm.
Ju mungon Rusia?
Kur kalon 10 vjet në një vend të huaj, sidomos kur bëhet fjalë për periudhën kohore kur nis e formohet personaliteti i një individi, sigurisht që lidhja shpirtërore me vendin në fjalë është e fortë. Më merr malli për vitet studentore në Moskë, vite që për këdo cilësohen ndoshta si më të bukurat në jetë. Kanë qenë vite të larmishme, të mbushura plot emocione në një prej megapoliseve më të mëdha të qytetërimit botëror. Më mungojnë shëtitjet në rrugët e pafundme të Moskës, gjallëria e qytetit që nuk flen kurrë, jeta e pasur kulturore që gëlon në çdo cep të qytetit. Pas kthimit në Shqipëri më ka rastisur të marr pjesë pothuajse çdo vit në konferenca shkencore në Moskë i ftuar nga kolegët e mi, së fundmi po punoj edhe për publikimin në Moskë të monografisë time në sferën e së drejtës ndërkombëtare ajrore.
Pasi mbaruat shkollën andej, përse vendosët të ktheheshit në Shqipëri?
Unë që në momentin e largimit nga Shqipëria e kam patur qëllim kthimin në vendin tim dhe dhënien e kontributit personal në ato sektorë ku nevojiteshin profesionistë të mirarsimuar jashtë vendit. Madje mund të them se gjatë qëndrimit në Rusi në kuadër të shoqatës së studentëve shqiptarë kam mbajtur marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi me ambasadën tonë në Moskë dhe kam ndihmuar përfaqësinë tonë diplomatike në sigurimin e ambjenteve për organizimin e aktiviteteve kulturore për promovimin e Shqipërisë.
E patët të vështirë punësimin si pedagog?
Për të thënë të vërtetën, pas kthimit në atdhe kërkova të punësohesha në profilin tim, pra si ekspert i marrëdhënieve me jashtë ose si jurist-ndërkombëtar në administratën tonë publike, por ishte e pamundur të punësohesha në profilin tim. Për këtë arsye iu dretjova dyerve të universiteteve ku menjëherë u pranova si pedagog i brendshëm në Kolegjin Universitar Luarasi, ku punova deri në shtator të vitit 2016. Më pas mora oferta edhe nga universitete të tjera dhe u transferova tek Universiteti Europian i Tiranës, ku vazhdoj edhe të punoj aktualisht si lektor i brendshëm.
A sillni risi në mësimdhënie, duke ditur që keni edhe një backgrounde të mirë nga jashtë?
Mundohem të sjell në auditor praktika mësimore që aplikohen në universitetet prestigjioze jashtë vendit për ta bërë më atraktiv procesin mësimor.
Si janë studentët shqiptar, meqë ju njihni nga kombet e ndryshme?
Studentët shqiptarë kanë dëshmuar që janë ndër studentët më të dalluar jashtë vendit. Në Shqipëri gjatë dekadës së fundit vihet re një nivel i ulët përgatitor i studentëve që vjen si rezultat i rënies së nivelit të sistemit arsimor në Shqipëri, çka i detyron të rinjtë të aplikojnë për studime në universitete prestigjioze jashtë vendit. Megjithatë, gjatë eksperiencës time personale si pedagog mund të them me bindje të plotë se edhe në auditoret e universiteteve shqiptare evidentohen studentë mjaft të talentuar, të cilët dëshmojnë përkushtim në përfitimin e dijeve të reja.
Më bën dot një krahasim mes sistemit të arsimit atje dhe në Shqipëri?
Nëse do të bëjmë një krahasim mes sistemit rus dhe atij shqiptar të arsimit mund të them se sistemi rus i arsimit ka patur rrënjë të thella dhe është implementuar në sistemin shqiptar të arsimit të lartë për efekt edhe të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve deri në vitin 1962, kur ndodhi dhe ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike, të cilat do të rivendoseshin në vitin 1992. Sistemi rus i arsimit të lartë fokusohet tek teoria e formimit të përgjithshëm të studentëve dhe ka tendencën e përfitimit të dijeve të thella teorike. Studimi në universitetet ruse kërkon angazhim serioz dhe bazohet në një sistem të organizuar të kërkimit shkencor.
Ndërsa sistemi arsimor shqiptar ka nevojë për reformim të thellë me qëllim rritjen e mundësive për zhvillimin e kërkimit shkencor, si dhe organizimin e praktikave efektive profesionale për aplikimin e dijeve teorike. Një problem tjetër që haset në sistemin arsimor shqiptar është përgatitja e dobët profesionale e disa prej pedagogëve, të cilët duket se kanë humbur stimulin për rritje të mëtejshme profesionale ose janë bërë pjesë e stafeve pedagogjike jo në sajë të kualifikimeve profesionale.
Jeni pedagog. Në protestën e studentëve morën pjesë dhe e mbështetën edhe pedagogët, ishte një protestë që justifikoi qëllimin?
Kam qenë mbështetës i protestës studentore që në fillimet e saj, pasi kërkesat e studentëve shqiptarë ishin plotësisht të drejta dhe duhet të ishin mbështetur më shumë nga shoqëria civile dhe nga i gjithë populli në tërësi. Protestat ishin paqësore dhe kishin për qëllim mbrojtjen e të drejtave legjitime të studentëve.(TemA Javore)