Nga Gjon Ndreja
Pa dyshim që këto ditë gjithë vëmendja e opinionit publik është përqendruar te demonstrata e studentëve, të cilët prej disa ditësh protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit për të drejtat e tyre, që ata i konsiderojnë si legjitime. Pa as më të voglin dyshim, dua të shpreh vlerësimin tim ndaj çdo proteste paqësore të grupimeve të ndryshme qytetare, që protestojnë për atë që ata i konsiderojnë si të drejtat e tyre. Por ndërsa kam ndjekur me shumë vëmendje protestën dëshiroj të them se, ajo më solli ndërmend disa mësime nga filozofia marksiste leniniste që në kohën kur unë kam studiuar, e kemi mësuar me tepri, por për fat të keq/mirë më duket se po verifikohen si të vërteta, si;
Studentët janë paralajmërim i ndryshimeve, thoshte një nga këto teori. Për vetë pozitën sociale ekonomike të tyre ata janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë ndaj ndryshimeve me karakter ekonomik e social. Ata përfshihen të parët në demonstrata e protesta dhe synojnë ndryshimet që nuk kanë të bëjnë vetëm me interesat e tyre. Në kushtet pothuajse të një mungese të opozitës, protesta e studentëve plotëson një boshllëk në spektrin social politik të shoqërisë. Shoqëria ka nevojë për një opozitë që të frenojë revanshin dhe orekset e qeverisë, të cilat në kushtet e mungesës së opozitës bëhen të rrezikshme për vetë demokracinë. Absolutisht bashkohem me zërin e studentëve dhe mendoj se ka nevojë të ndryshohet shumëçka në praktikat e procesit mësimor në arsimin e lartë dhe reforma e ndërmarrë nga qeveria në këtë drejtim duhet pritur por jo pa mbarim të testohet, pasi ajo nuk mund të japë rezultatet e saj që në ditën e parë.
Duke vazhduar referimin në mësimet e “filozofisë marksiste leniniste”, mësimi tjetër që del nga ky proçes , ka të bëjë me faktin se forca të caktuara politike përpiqen të përvetësojnë vullnetin e protestave dhe ta përdorin atë për qëllimet e tyre politike. A nuk kemi parë këto ditë ne se si Partia Demokratike, ashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë përpjekur t’a kanalizojnë protestën për qëllimet e tyre politike por mençuria e studentëve i ka mbajtur larg ata duke mbrojtur protestën dhe qëllimet e saj.
Mësimi i tretë që vjen nga kjo teori lidhet me faktin se asnjë grupim social nuk mund ti realizojë interesat e veta, në se nuk krijon ose nuk i bashkëngjitet një organizimi politik. Në rastin tonë të studentëve, vërehet një mos mosbesim i theksuar, si ndaj qeverisë ashtu edhe ndaj partive politike që me të drejtë po mbajnë larg protestës. Madje mosbesimi është kaq i thellë sa edhe vetë studentët nuk kanë besim ndaj njeri tjetrit, as në shoqatat e tyre pasi kanë frikë se ato korruptohen nga qeveria ose partitë politike dhe për këtë arsye kërkesat e tyre i kanë formuluar në formë peticioni. Por demokracia ka në themel dialogun…..
E tani le të kthehemi te kërkesat e studentëve që janë formuluar në një peticion prej tetë pikash. Pa pretenduar të jap përgjigje shteruese, unë veçse po jap këndvështrimin tim si qytetar,lidhur me këto protesta. Kërkesat e studentëve janë tërësisht me karakter ekonomik dhe synojnë lehtësimin e ndjekjes së studimeve të larta prej tyre në respekt të së drejtës kushtetuese që buron nga neni 57 i saj. Por e drejta dhe mundësia janë dy gjëra të ndryshme. Kushtetuta ka përcaktuar të drejtën për arsim të të gjithë shtetasve të në Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që ka caktuar disa detyrime të qeverisë në lidhje me këtë. Ajo përcakton se të gjitha shtetasit kanë të drejtën për arsim dhe se arsimi shkollor i detyrueshëm caktohet me ligj ndërkohë që ka krijuar hapësirë që arsimi i mesëm i përgjithshëm është i hapur për të gjithë. Ndërkohë arsimi i lartë sipas dispozitave kushtetuese është i kufizuar si e drejtë vetëm mbi bazën e kritereve të aftësisë. Por për të realizuar këtë drejtë kushtetuta i ka lënë të hapura mundësitë e gjithë secilit në varësi të veçorive dhe kapaciteteve individuale dhe nuk ka marrë përsipër ndonjë detyrim. Ndërkohë kushtetuta ka përcaktuar se autonomia e institucioneve të arsimit të lartë është e garantuar me ligj.
Në se do t’i shohim protestat e studentëve në këndvështrimin kushtetues, dalin disa konkluzione. Qeveria ka detyrimin të krijojë hapësira për ushtrimin e të drejtave të shtetasve për arsimin e lartë por nuk ka detyrimin të krijojë domosdoshmërisht mundësitë për arsimin e tyre. Ndjej dhimbje për ato çka artikulojnë studentët lidhur me tarifat e shkollimit dhe pamundësisë së familjeve të tyre për t‘i përballuar ato por kurrsesi nuk mund të pajtohem me ultimatumet e tyre. Në fund të fundit ky është sistemi (demokratik) që kemi zgjedhur dhe besoj se pa dyshim është më i miri. Në asnjë vend të botës arsimi i lartë nuk është falas dhe në të gjitha vendet përfshi Amerikën dhe Francën apo Austrinë, studentët për të përballuar koston e studimeve, krahas studimeve punojnë në punë të ndryshme me kohë të pjesshme. Në të gjitha vendet e Europës studentët e arsimit të lartë, krahas kontributit të shtetit paguajnë një kontribut personal për vazhdimin e studimeve. Ky kontribut ndryshon në varësi të programeve të studimit dhe kostos së tyre. Kështu p.sh. mjekësia e ka këtë tarifë më të lartë se fakulteti i drejtësisë etj për shkak të kostove shtesë që nevojiten. Studentët megjithatë kërkojnë përgjysmimin e tarifave të këtyre studimeve. Ani, është e drejta e tyre. Askush nuk dëshiron të paguajë dhe gjithkush kërkon të marrë një mall apo shërbim me sa më pak para. Por në se do të hedhim një sy këtyre tarifave jo në USA as në Francë por në Maqedoni, Serbi, Mali i Zi dhe në gjithë rajonin rezultojnë se tarifat e aplikuara në Universitetet tona janë dukshëm më të ulëta në gjitha rajonin. I mirëkuptoj studentët, janë në drejtën e tyre por me sa duket mundësitë janë të kufizuara. Por jam tërësisht dakord me studentët që tarifat e caktuara për çdo provim apo për përsëritësit është tërësisht e padrejtë si do që këto aplikohen gjerësisht në universitetet private. Një kosto shtesë e papërfillshme shkaktohet nga këto veprimtari dhe në kushtet e sektorit publik nuk duhet të merret në konsideratë. Nga ana tjetër mendoj se autonomia e institucioneve të arsimit të lartë e garantuar me kushtetutë është shpërdoruar nga institucionet e arsimit të lartë duke vendosur tarifë pas tarife dhe kësisoj ka shkaktuar revoltën e ligjshme të studentëve
Kërkesa e studentëve për dyfishimin e buxhetit për arsimin e lartë duke rritur atë në nivelin e 5 % të PBB është pa dyshim e drejtë por duket shumë e bukur për t’u besuar që të kthehet në realitet. Absolutisht do të ishte shumë mirë të kishim një nivel të tillë të buxhetit për arsimin e lartë. Një personalitet i shquar thoshte se “ qeveritë mendojnë për zgjedhjet e ardhshme ndërsa burrat e shtetit për brezat e ardhshëm” dhe të mendosh për brezat e ardhshëm në radhë të parë duhet të mendosh për arsimimin e tyre. Por në gjendjen që ndodhet vendi ynë dhe në kushtet e globalizimit të ekonomisë , kanë dalë në plan të parë çështje të zhvillimit infrastrukturor të vendit për shkak të një prapambetje të thellë të trashëguar në këtë sektor. Si do që nuk jam i sigurtë për këtë prioritet që ka caktuar qeveria ajo është zgjedhja e saj dhe do ta paguajë këtë me në zgjedhjet e ardhshme por kurrsesi në kushtet e demokracisë, askush nuk ka të drejtë t’i imponohet asaj që ka marrë mandatin e popullit për të qeverisur.
Shqetësimi i studentëve lidhur me korrupsionin në universitete është shumë i drejtë dhe besoj se i gjithë pranuar. Ajo që më bën të dal bashkë me studentët në protestë lidhet me pikërisht me korrupsionin, i cili shfaqet në pagesat nën dorë për pedagogët në lidhje me provimet dhe për blerjen në mënyrë të detyrueshme me çmime marramendëse të librave që prodhojnë ata dhe që nuk janë mirëfilli autorë por hajdutë të të drejtave të tjerëve, të përkthyera në mënyrën më të shëmtuar. Absolutisht Ministria e Arsimit nuk duhet të “lajë duart” me këtë fenomen por duhet të ndërmarrë hapa të vërteta seriozë për të përsosur sistemin e provimeve dhe për të luftuar plagjiaturën në arsimin e lartë e cila dëmton drejtpërdrejt cilësinë e procesit. Aq më tepër ky fenomen duhet të shtrihet edhe në përzgjedhjen e personelit të arsimit të lartë, në kërkimin shkencor dhe në gradat e personelit që për të së vërtetës kanë pësuar një inflacion të tmerrshëm.
Edhe pse studentë, në kërkesat e tyre ndaj qeverisë, vihet re se nuk i kanë shpëtuar populizmit. Kërkesa për pjesëmarrjen e studentëve në bordet e administrimit nuk ka asnjë lidhje me funksionin dhe misionin e studentit, si do që për kushtet aktuale e mirëkuptoj këtë kërkesë dhe besoj se e ka burimin nga mosbesimi i thellë që ekziston nga studentët ndaj këtyre bordeve të korruptuara. Asnjë vend europian nuk ka një praktikë të tillë dhe për hir të së vërtetës më ngjan disi me “kontrollin punëtor e fshatar”. Por besoj se ky mosbesim e ka një bazë dhe buron nga fakti se anëtarët e bordit marrin shpërblime të pa merituara dhe të konsiderueshme për çdo mbledhje. Unë jam me Ju studentë dhe do të isha deri në atë masë sa të përzija me çdo mjet këto lloj bordesh që pinë gjakun tuaj. Ministria e Arsimit duhet të vendosë kufizime për shpërblimin e anëtarëve të bordit madje ti reduktojë ato në zero kur ata kryejnë funksione publike.
Kërkesa Juaj të nderuar studentë që lidhet me rishikimin e titujve akademikë dhe të teksteve mësimore është më se legjitime. Ajo madje mund të ishte në themel të kërkesave të tuaja. Ajo është një ndër komponentët kryesorë të cilësisë në arsim. Ndërkohë absurdi në këtë drejtim ka përmasa të frikshme deri sa, siç është kumtuar e provuar në media, persona që nuk kanë mbaruar arsimin e mesën kanë fituar grada shkencore, ndërkohë që të tjerë kanë fituar nëpërmjet palgjiataurave. Kjo jo vetëm që dëmton drejtpërdrejt cilësinë në arsimin e lartë por rrit edhe kostot përkatëse, pasi për këto tituj e grada jepet një shpërblim i konsiderueshëm. Përveç rektorëve dhe dekanëve që kanë një përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këto fenomene, pa dyshim që ministria e arsimit dhe shkencës nuk duhet ta lerë këtë në përgjegjësinë e fakulteteve por duhet të ndërmarrë hapa dhe aksione konkrete por ta ç’rrënjosur një herë e përgjithmonë nga arsimi ynë. Ky fenomen për nga ndikimet nuk është më pak se universitetet private që prodhonin diploma.
Nuk besoj se ka ndonjë njeri mes nesh që të mos solidarizohet me kërkesën Tuaj për legjitimimin e kartës së studentit. Është një premtim i bërë nga të gjitha qeveritë por asnjë herë nuk është realizuar. Është një e drejtë dhe privilegj që shoqëria në të gjitha vendet e qytetëruara ju bën studentëve për të lehtësuar kostot e tyre. Nuk ka asnjë arsye të shëndoshë, që kjo të mos realizohet madje kërkesa e studentëve për ta realizuar në vitin 2019-2020 më duket si shumë tolerante. Ajo nuk ka asnjë vështirësi të realizohet në një afat brenda tre muajsh.
Në përgjithësi të gjitha kërkesat e studentëve janë të drejta dhe plotësisht të realizueshme ashtu siç edhe vetë kryeministri e pranoj. Veçanërisht kërkesa që ka të bëjë me krijimin mundësive për shfrytëzimin e literaturës dhe bibliotekave online, mendoj se është një kërkesë substanciale dhe shumë e drejtë , që nuk lidhet me krijimin e kushteve vetjake të banimit për më shumë hapësira apo kushte banimi por për më shumë mundësi për dije dhe këtë pa dyshim që qeveria duhet ta marrë në konsideratë.
Në kushtet kur studentët kanë paraqitur këto kërkesa dhe qeveria i ka pranuar si të drejta dhe plotësisht të realizueshme, madje ka shprehur vullnetin që me këtë rast të ndërmarrë hapa të mëtejshëm është i dmosodoshëm vendosja e dialogut midis palëve jo për të shuar protestën por për të siguruar zgjidhje të qëndrueshme dhe afat gjata në arsimin e lartë.