Një mijë familje, çifte të reja dhe të pastreha të Tiranës, do të kenë mundësi që përmes programit të kredisë së butë të sigurojnë një shtëpi. Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar sot vendimin për trajtimin e familjeve që përfitojnë nga projekti i Bashkisë së Tiranës “Për subvencionimin e interesave të kredisë”. Fituesit që kanë plotësuar kriteret e përcaktuar me vendim të Këshillit Bashkiak, do të përfitojnë kredi me interesa të buta për të blerë shtëpi. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në fjalën para anëtarëve të Këshillit Bashkiak deklaroi se ky është një tjetër premtim i mbajtur dhe që i vjen në ndihmë shumë familjeve që e kanë të pamundur të përballojnë interesat e tregut që kanë bankat.
“Sa herë celebroj një çift një nga gjërat që më mundon është pyetja: A kemi mundësi që këtyre çifteve të reja t’u japim edhe një ndihmë shtesë përveç fotos së celebrimit, për të nisur jetën në Tiranë? Ndaj, më vjen mirë që më në fund një ëndërr që e kemi pasur bashkë para dy vitesh, kur financat i gjetëm të rrënuara, Bashkinë të falimentuar, kur thamë që në momentin parë që do shëndoshim financat, do hapim procesin e kredive të buta për të kaluar nga një situatë ku kreditë e buta u shkonin zëvendës-ministrave të këtyre që sot bëjnë sikur u hapet barku për miletin, drejtorëve të tyre, shefave, deputetëve të tyre, që hiqeshin sikur ishin me ndihmë ekonomike, kurse sot u shkon 999 çifteve të reja të këtij qyteti, si një mënyrë se si ky qytet u thotë, të trashëgoheni e jetë të lumtur në Tiranë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se projekti për kreditë e buta është padyshim një nga nismat me impakt më të madh për Tiranën, jo vetëm sa i përket strehimit të familjeve të reja dhe në nevojë, por edhe në aspektin e tregut të ndërtimit dhe atij monetar. Kjo, pasi ky projekt do të çlirojë rreth 60 milionë euro kredi nga bankat, ndërsa do të shiten afro 1 mijë apartamente. Por, kryetari i Bashkisë së Tiranës dha edhe një tjetër lajm të mirë për të gjithë ata që nuk mundën të përfitonin nga kjo fazë e parë e këtij projekti, se shumë shpejt do të nisë edhe një fazë e dytë për dhënien e kredive të buta për 500 familje të tjera. “Më vjen mirë që i kemi lënë komisionit të shohë edhe dosjet e tjera për të pasur edhe një propozim me 500 shtesë deri në shtator”, tha ai.
Këshilli Bashkiak votoi edhe vendimin për miratimin e studimit të fizibilitetit dhe të kontratës “TIP” të partneritetit publik-privat “Për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë e Tiranës”. Ky vendim i hap rrugë projektit për ndërtimin e 17 shkollave të reja në Tiranë dhe zgjidhjen e problemit të mësimit me dy turne. “Sot pyetja është: A do jemi ne Këshilli Bashkiak që vendos për Tiranën me 24 orë ujë dhe që heq sistemin e shkollave me dy turne? Ne jemi në prag të finalizimit dhe të fillimi të këtij procesi. Bashkia Tiranë ka 191 shkolla, 57 zhvillojnë mësim me dy turne, ndërkohë 61 ka më shumë nxënës se kapaciteti, pra kemi 15 mijë fëmijët e Tiranës që bëjnë mësimin me dy turne”, u shpreh Veliaj.
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi edhe planin e biznesit të hartuar nga ekspertët më të mirë të Bashkisë së Tiranës, UKT-së dhe USAID, që i hap rrugë projektit më të madh strategjik për kryeqytetin, që është furnizimi me ujë 24 orë në ditë brenda 5 viteve. “Për Lulin që ka pishinë do e prekë ky rregullim i çmimit, se po të ndërrosh pishinën përditë e po të duash ta mbushësh me ujë çezme, kjo të prek sepse pishina ka nevojë për shumë litra ujë. Për të gjithë të tjerët që s’kanë pishinë nuk i prek fare se do të ulë gjithë kostot dhe rreziqet që sjellin depozitat që qytetarët kanë mbi kokë. Ky është një vendim i guximshëm, do pak kurajo për të ngritur dorën dhe për të thënë po, do bëjmë histori në këtë qytet”, deklaroi Veliaj.
Ai bëri të ditur se plani i biznesit do të garantojë një sërë investimesh që do të mundësojnë furnizimin pa ndërprerje me ujë. Në planin e biznesit të Bashkisë së Tiranës parashikohen që 10 milionë euro të investohen për shtimin e burimeve të ujit, ku është identifikuar burimi i Gurit të Bardhë në Burrel që do t’i shtohet Tiranës, 5 milionë do të investohen për përpunimin dhe filtrimin e ujit, 50 milionë në sistemin e transmetimit për të garantuar uljen e kostos dhe zhdukjen e humbjeve, pasi sistemi do të jetë i papenetrueshëm, 50 milionë të tjera do të investohen në rrjetin e shpërndarjes, që do të shtrihet në mënyrë kapilare në çdo lagje, sidomos në ato informale dhe ato të krijuara pas viteve 1990 si dhe 40 milionë të tjera do të investohen në kanalizime.
Veliaj deklaroi se shembulli i suksesit është Bashkia e Korçës, e cila pas ndryshimit të tarifës së ujit, siguroi realizimin e një sërë investimesh, duke siguruar furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë. Kreu i Bashkisë deklaroi se ata që sot kritikojnë, pavarësisht se e rritën çmimin e ujit të pijshëm me 125% në 2012, si pasojë e keqmenaxhimit ulën kohën e furnizimit me ujë për qytetarët. “Investimet për herë të parë në 27 vjet janë rritur me 109%, pra kemi bërë 2-fishin e investimeve që janë bërë ndonjëherë në një vit normal. Ndërkohë, orari i furnizimit, e morëm Tiranën me 7 orë ujë në ditë dhe e kemi sot Tiranën me 13 orë ujë në ditë. Lulzim Basha dhe Sali Berisha e rritën çmimin e ujit fshehurazi, pa pasur burrninë të vinin këtu siç jemi ne në Këshillin Bashkiak dhe ta diskutonin, por fshehurazi e miratuan vetëm me vendim bordi 125%”, tha ai. Në kuadër të përpjekjeve për një furnizim më të mirë dhe cilësor të qytetarëve me ujë Këshilli Bashkiak miratoi edhe vendimin për ndarjen e dhe riorganizimin e UKT.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, u miratuan edhe një sërë vendimesh të tjera rëndësishme për qytetin, më konkretisht:
Për mbarimin para kohe të mandatit të disa prej anëtarëve të Këshillit Bashkiak;
Miratimin e kritereve, procedurave, dokumentacionit dhe sistemit të pikëzimit për përdorimin e fondit të kushtëzuar mbi programin e bllok-ndihmës ekonomike deri në 6% ose me fondet e buxhetit vendor;
Për miratimin e kërkesës për transferimin në pronësi të Bashkisë së Tiranës të disa pronave të paluajtshme shtetërore që do të përdoren për ushtrimin e detyrave të saj funksionale në fushën e zhvillimit urban dhe instrumenteve të planifikimit të territorit si dhe përdorimit sa më efikas të tij;
Për krijimin e komisionit këshillimor për rishikimin e emërtimeve të pjesëve të territorit publik (bulevard, rrugë, rrugicë, shesh, park) dhe shpërblimin e anëtarëve të tij;
Për dhënien e ndihmës financiare për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësi të ndryshme disa familjeve që banojnë në territorin nën juridiksionin e Bashkisë Tiranë;
Për disa ndryshime në Vendimin Nr. 84, datë 29.12.2016 të Këshillit Bashkiak “Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2017 – 2019 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2017” i ndryshuar;
Për një shtesë në Vendimin Nr.59, datë 30.12.2015 të Këshillit Bashkiak “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës të ndryshuar;
Për miratimin në parim të dhënies me qira pa konkurrim në favor të Tirana Parking të objektit Truall me nr pasurie 3/257, volumi 35, faqe 60 dhe ZK 8210 me sipërfaqe totale 7775 metra katrorë në pronësi të Qendrës Sportive SHA, Tiranë; Për shprehjen e pëlqimit të dhënies me qira pa konkurrim në favor të Tirana Parking për pasurinë me numër 5/626, 5/102, 5/251 dhe ZK nr. 8160, truall me sipërfaqe totale 6000 metra katrorë, në pronësi të shtetit dhe Republikës së Shqipërisë, në administrim të Rezidencës Studentore Nr1, sha, Tiranë;
Për miratimin e dhënies së ambientit në përdorim Organizatës Shoqërore të Përkrahjes së të Rinjve – ARSIS – me destinacion një qendër sociale në zbatim të projektit “Ngritja e shërbimeve për të mbrojtur fëmijët nga abuzimi, neglizhimi, dhuna dhe shfrytëzimi në Tiranë, nëpërmjet vënies në punë të qendrës multidisiplinare në Njësinë Administrative Nr 7;
Për një shtesë në vendimin nr 41, datë 23.09.2015, të Këshillit Bashkiak “Për riorganizimin e Drejtorisë së Përgjithshme nr 1 të Punëtorëve të Qytetit, dhe krijimin e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit;
Për miratimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, Ministrisë së Zhvillimit Urban, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Tiranë për projektin e krijimit të zonës TID në Pazarin e Ri “Për restaurimin dhe jetëzimin e Pazarit të Ri dhe Sheshit “Avni Rustemi” në Tiranë dhe Miratimin e transferimit të të ardhurave vendore të mbledhura nga bizneset e zonës TID tek organizata TID si pjesë përbërëse e këtij Memorandumi Mirëkuptimi;
Për miratimin e anëtarësimit dhe financimit të kuotës së anëtarit të Bashkisë së Tiranës në Shoqatën Ndërkombëtare UITP (Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Publik).