Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i tha të mërkurën kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, se tashmë Këshilli Veri Atlantik ka zhvilluar diskutimin e parë mbi ligjet e miratuara së fundmi nga parlamenti i Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri.
Në një bisedë telefonike, sekretari Stoltenberg, i ka thënë kryeministrit Haradinaj se derisa mandati i Forcës së Sigurisë po ndryshon, Këshilli Veri Atlantik do të rishqyrtojë shkallën e angazhimit me këtë forcë në vitin që po vjen.
Zoti Stoltenberg po ashtu ka përsëritur qëndrimin se NATO-ja do të vazhdojë misionin e KFOR-it për të garantuar mjedis të sigurt në Kosovë. “KFOR-i funksionon nën mandatin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk do të preket nga ligjet për ushtrinë”, i ka thënë ai kryeministrit Haradinaj, thuhet në një komunikatë të lëshuar zyra e sekretarit Stoltenberg.
Ndërsa kryeministri Hardainaj në një njoftim e cilësoi miqësore bisedën më sekretarin Stoltenberg dhe u shpreh i kënaqur me përkushtimin e NATO-s për të mbështetur Kosovën në tërësi.
“E garantova sekretarin Stoltenberg për transparencën e procesit të tranzicionit të FSK-së, duke shprehur vizionin tim dhe të Qeverisë për thellimin e partneritetit me NATO-n, KFOR-in, NALT-in, Programin e Ndërveprimit të Zgjeruar dhe për gatishmërinë e trupave të FSK-së për kontribut në sigurinë rajonale dhe globale”, shkroi kryeministri Haradinaj.
Më 14 dhjetor parlamenti i Kosovës miratoi ligjet që shndërrojnë Forcën e Sigurisë në ushtri, një vendimi që u mbështet nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Gjermania, ndërsa nxiti reagim kundërshtues të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, që vlerësuan se koha nuk ishte e përshtatshme për një gjë të tillë.
Vendimi u prit me zemërim në Beograd, ku presidenti serb, Aleskandër Vuçiç, tha se ushtria e Kosovës rrezikon qëndrueshmërinë e gjithë rajonit, ndërsa sulmoi ashpër Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e ushtrisë së Kosovës.
Në fillim të javës me çështja u diskutua edhe në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me kërkesë të Serbisë. Pjesa më e madhe e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit i dhanë mbështetje të drejtës së Kosovës për themelimin e ushtrisë së saj./VOA/a.meta