Dhuna në familje dhe shkelja e urdhrave të mbrojtjes është kthyer në një fenomen shumë shqetësues. Vetëm në dy muajt e fundit sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Shtetit për periudhën 1 janar-28 shkurt 2023 janë evidentuar e trajtuar 736 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të ndodhura në marrëdhëniet familjare, dhe për 258 raste ka filluar procedimi penal si dhe janë arrestuar 93 autorë të dyshuar.
Janë trajtuar me urdhër mbrojtjeje 417 qytetarë dhe janë evidentuar 25 raste të shkeljeve të këtyre urdhrave të mbrojtjes. Por sa zbatohen urdhrat e mbrojtjes? Sipas avokatit Henri Bici problematika me madhe është kur një nga bashkëshortët merr urdhër mbrojtjeje dhe është i detyruar që me urdhrin e mbrojtjes në dorë të shkojë dhe të bashkëjetojë prapë me dhunuesin.
“Kur një person pajiset me urdhër mbrojtjeje, minimalisht kontakti me dhunuesin duhet të bëhet i pamundur, duhet të kemi masa më specifike që ta detyrojnë dhunuesin të largohet ose në të kundërt duhet të kemi një institucion ose masa që duhet të merren ndaj personit që është i dhunuar, për ta marrë për ta dërguar në qendra që t’i ofrohet minimalisht mbrojtja që i është dhënë me vendim gjykate.”, shprehet avokati Henri Bici. “Dhuna në familje” është një vepër penale që ndiqet edhe kryesisht dhe denoncimi për të nuk mund të tërhiqet. Nga ana tjetër institucionet nuk ndjekin zbatimin e urdhrave të mbrojtjes, siç ishte rasti i fundit ku 40-vjeçari Dan Hutra kreu 3 vrasje, ku ndër të tjera ish-bashkëjetuesja e tij ishte me urdhër mbrojtjeje.
“Një person që ndjehet i dhunuar përballjen e parë me institucionet e ka me komisariatet e policisë, oficerët e policisë gjyqësore bëjnë një raport që i dërgohet më pas gjykatës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes. Që në këtë moment duke qenë se policia vihet në dijeni për këtë problematikë duhet të mbajë një kontakt të vazhdueshëm me rastin, kjo sepse në një moment të dytë edhe pse personi mund të jetë nën efektet e urdhrit të mbrojtjes asgjë fizike nuk e ndalon dhunuesin ti afrohet personit që ka dhunuar dhe ndaj të cilit është marrë edhe urdhri i mbrojtjes.”, shprehet avokati Henri Bici.
Shifrat janë alarmante dhe kjo vërtetohet edhe nga statistikat, ku nuk ka ulje të numrit të rasteve, por rritje, ku vetëm në 4 vitet e fundit janë regjistruar 20 mije e 598 raste të dhunës në marrëdhëniet familjare, pa llogaritur rastet që nuk denoncohen. Qarku me numrin më të madh të denoncimeve është ai i Tiranës, i ndjekur nga ai i Durrësit, i Fierit dhe i Vlorës. Ndërsa në dy vitet e fundit janë lëshuar 5175 urdhra mbrojtjeje për gra e vajza.
/e.d