Një marinar i Marinës së SHBA-ve në Kaliforni është shpallur fajtor për spiunazh, pasi shiti sekrete ushtarake tek një agjent kinez që e kishte rekrutuar përmes rrjeteve sociale.
Jinchao Wei, 25 vjeç, u shpall fajtor për gjashtë akuza, përfshirë spiunazh, komplot për të kryer spiunazh dhe eksport të paligjshëm të të dhënave të klasifikuara mbi anijet e Marinës së SHBA-ve.
Ai u pagua mbi 12 mijë dollarë gjatë një periudhe 18-mujore nga një oficer i inteligjencës kineze, i cili iu afrua në shkurt të vitit 2022 për informacione mbi USS Essex, ku ai shërbente, si dhe për anije të tjera luftarake.
Wei, i njohur edhe si Patrick Wei, u arrestua në gusht 2023 me akuza për spiunazh teksa mbërriti në punë. Prokurori amerikan Adam Gordon tha pas shpalljes së vendimit: “Veprimet e të pandehurit përfaqësojnë një tradhti të rëndë ndaj besimit të vendosur tek ai si pjesëtar i ushtrisë amerikane. Duke tregtuar sekrete ushtarake me Republikën Popullore të Kinës për para, ai rrezikoi jo vetëm jetët e marinarëve të tij, por edhe sigurinë e gjithë kombit dhe aleatëve tanë.”
Si qytetar amerikan i natyralizuar, Wei shërbente si mekanik dhe kishte leje sigurie që i jepte qasje në informacione të ndjeshme për anijen ku shërbente dhe për anije të tjera të Flotës së Paqësorit.
Gjatë gjyqit një javor, prokurorët paraqitën si prova biseda telefonike, mesazhe elektronike dhe audio që Wei kishte shkëmbyer me kontaktin e tij kinez.
Wei e quante kontaktin e tij “Vëllai i madh Andy” dhe i bindej kërkesave të tij për të mbajtur sekret marrëdhënien, duke përdorur disa aplikacione të enkriptuara për komunikim dhe për të marrë pagesat. Ai përdori gjithashtu një kompjuter dhe telefon të ri të siguruar nga agjenti kinez.
Një shkëmbim mesazhesh mes Wei dhe nënës së tij u paraqit për të treguar se ai e kuptonte se po kryente spiunazh.
“Disa kinezë të tjerë që shërbejnë në Marinën e SHBA-ve ende po përpiqen të gjejnë si të bëjnë para shtesë dhe po drejtojnë taksi. Ndërsa unë thjesht po nxjerr sekrete,” i shkroi Wei nënës së tij.
Ajo iu përgjigj: “Shumë mirë!”

Wei ishte kontaktuar nga një agjent kinez ndërsa ishte në procesin e marrjes së shtetësisë amerikane.
Ai u rekrutua përmes rrjeteve sociale nga oficeri i inteligjencës kineze, i cili fillimisht ishte paraqitur si një entuziast i marinës që punonte për Korporatën Shtetërore të Industrisë së Ndërtimit të Anijeve të Kinës.
Provat treguan se Wei kishte dërguar fotografi dhe video të anijes Essex, kishte informuar oficerin për vendndodhjen e anijeve të ndryshme të Marinës së SHBA-së dhe kishte përshkruar armët mbrojtëse në bord. Ai gjithashtu kishte përshkruar problemet e anijes së tij dhe të anijeve të tjera.
Wei pritet të dënohet më 1 dhjetor dhe mund të përballet me burgim të përjetshëm. Ai u arrestua së bashku me nënoficerin Wenheng Zhao, i cili u arrestua me akuza se kishte pranuar mbi 14 mijë e 800 dollarë për të dërguar foto dhe video të ndjeshme tek një oficer i inteligjencës kineze.
Prokurorët thanë se Zhao kishte transmetuar “planet për një stërvitje të madhe detare në Paqësor, urdhra operativë dhe diagrame elektrike e skica për një sistem radari tokë/ajër të vendosur në Okinawa, Japoni”. Zhao u shpall fajtor vitin e kaluar dhe u dënua me 27 muaj burg.











