Dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, të klasifikuara “Tepër Sekret”, me procesverbale të mble-dhjeve të Lidhjes Shkrimtarëve, analiza, kritika, dëshmi, raporte, relacione, akuza e denoncime ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, të papublikuara më parë…?! Të gjitha këto gjenden në “Kadare i denoncuar”, libri më i ri i gazetarit të njohur Dashnor Kaloçi, botim i “UET Press”, pjesë të së cilit autori pati mirësinë t’i ndajë paraprakisht me lexuesit e “Gazetës Shqiptare”.
Kapitulli i XVIII
Ky dokument që po botojmë në këtë pjesë të librit është më i gjatë nga të gjitha dokumentet e tjera dhe padyshim një ndër më të interesantët e këtij libri, gjë për të cilën do flasim më poshtë më gjerësisht. Dokumenti në fjalë, i cili mban datën 10.VIII. 1972 dhe i sigluar “Sekret”, është një informacion i drejtorit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Raqi Iftica, i titulluar: “MBI DISA QENDRIME NE RRADHET E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTEVE TE TIRANES” dhe i dërgohet Komitetit Qendror të PPSH-së, pa adresë të ndonjë personi të veçantë. Por nisur nga fakti se ai informacion-raport bën fjalë mbi shkrimtarët dhe artistë, ai ka shkuar në zyrën e Ramiz Alisë, sekretarit të Komitetit Qendror për propagandën që mbulonte dhe artin e kulturën. Por nisur nga rëndësia e madhe që ka pasur ky informacion i hartuar prej kreut të Sigurimit të Shtetit për Tiranën, pas Ramiz Alisë, ai dokument ka shkuar edhe te kabineti i Enver Hoxhës. Dhe kjo gjë duket edhe nga shënimi që ka lënë aty shefi i kabinetit të Ramiz Alisë, Ilo Kodra, i cili ka shkruar “U pa nga shoku Enver”.
Siç theksuam edhe në fillim të shkrimit, ky dokument ka një rëndësi të veçantë, pasi aty përmenden me emra dhe mbiemra, pothuaj pjesa më e madhe e personazheve më të njohur të institucioneve artistike e kulturore të Tiranës si, Teatri Kombëtar, Teatri i Operës dhe Baletit, Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore, Estrada e Shtetit dhe Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë. Ku emrat më në zë të tyre lakohen në këtë raport-informativ. Madje, duket sikur ky raport është shkruar posaçërisht për ta, pasi aty jepen me detaje gjithçka që shkrimtarët dhe artistët thonë ndaj njëri- tjetrit, çfarë mendojnë e si shprehen ata për problemet e kushtet e punës, pagesat, honoraret, punët e tyre në pikturë dhe skulpturë, librat që botoheshin, dramat apo pjesët e tjera që viheshin në skenë, vlerësimin që u bëhej, hierarkinë e vlerave, për të aftit dhe të paaftit, intrigantët, etj., etj.
Tjetër gjë mjaft interesante që vihet re në këtë dokument është dhe informacioni tejet i saktë që ka pasur Sigurimi i Shtetit në atë kohë, mbi të gjitha institucionet artistike e kulturore të Tiranës. Kjo gjë duket qartë nga se ka ardhur, pasi pothuaj për çdo gjë që informohet në raport thuhet “nga një burimi ynë”, çka do të thotë se brenda radhëve të shkrimtarëve dhe artistëve, Sigurimi i Shtetit ka pasur njerëzit e tij prej nga informohej rregullisht. Por sipas një funksionari të lartë të Sigurimit të Shtetit, mjaft të dhëna që ka pasur Sigurimi janë marrë edhe me Teknikë Operative, apo siç njihet më thjeshtë, me përgjues. Dhe kjo thuhet se bëhej në rastet kur Sigurimi i Shtetit nuk kishte besim të plotë ndaj të dhënave që u servirnin bashkëpunëtorët e tyre, apo kur problemi për të cilin ata interesoheshin ishte i një rëndësie tepër të veçantë.
Por siç theksuam edhe më sipër, rëndësinë apo interesin këtij dokumenti ia shton moria e personazheve që përmenden dhe trajtohen në këtë dokument, emra të shquara të artit dhe kulturës shqiptare, (mbi 60 persona) si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Dhimitër Shuteriqi, Llazar Siliqi, Aleksandër Banushi, Gjergj Zheji, Petro Zheji, Fatos Arapi, Sulejman Mato, Pandeli Koçi, Nonda Bulka, Hamit Beqja, Jakov dhe Dhurata Xoxe, Adriatik Kallulli, Nasho Jorgaqi, Anastas Kondo, Viktor Qurku, Ali Abdihoxha, Filip Ndocaj, Luan Qafzezi, Vath Koreshi, Ibrahim Uruçi, Dalan Shapllo, Kiço Blushi, Siri Sulejmani, Rudi Spahiu, Razi Brahimi, Koço Bihiku, Vasil Melo, Pipi Mitrojorgji, Bujar Kapexhiu, Skënder Kamberi, Janaq Paço, Kel Kodheli, Vilson Kilica, Sadik Kaceli, Qamil Prizreni, Llambi Blido, Nexhmedin Zajmi, Thoma Dhamo, Muntaz Dhrami, Shaban Hadëri, Pjetër Gjoka, Ndrekë Luca, Zhani Ciko, Nikolla Zoraqi, Milto Vakos, Agim Krajka, Tish Daia, Besim Zekthi, Lefta Mulliri, Mediha Lubonja, Agim Gjakova, Adem Istrefi, Gani Demiri, Muzafer Kasa etj. Dhe për të gjithë, jepen me detaje të dhëna rreth tyre se çfarë flasin ata për njëri-tjetrin, për punën, për kolegët e koleget, për shefat dhe drejtuesit e tyre, për veprat e punët që kanë realizuar, pakënaqësitë, vlerësimet, çmimet, shpërblimet, dënimet, intrigat, thashethemet, hatërmbetjet, dufet, mllefet, si dhe komentet armiqësore që ata flasin me njëri-tjetrin, apo nën zë me njerëz të besuar, etj., etj.
Dhe një gjë tjetër që e bën mjaft interesant këtë dokument, është emri Ismail Kadaresë, i cili trajtohet në këtë material më shumë nga të gjithë të tjerët (nga fillimi deri në fund), madje raporti fillon me një problem rreth tij. Por para se të dalim tek kjo pikë e raportit, (gjithnjë sipas asaj që thuhet aty), duhet theksuar fakti se pothuaj pjesa më e madhe e kolegëve të Kadaresë shprehin një xhelozi të madhe ndaj tij dhe veprave që ai ka shkruar. Dhe arrihet deri aty sa thuhet: “Deri sa veprat e Kadaresë i vlerëson borgjezia botërore, (bëhet fjalë për ‘Gjeneralin…’ që u përkthye në Francë), ato nuk janë të mira, pasi veprat duhen vlerësuar nga jehona që kanë në vatrat revolucionare të botës”?! Por kjo është një temë tjetër dhe nuk po ndalemi më gjatë. Kështu vijojmë me atë çka shkruan kreu i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Raqi Iftica, (disa vjet më pas u ngrit në detyrë dhe u bë zv/ministër i Brendshëm, për Kufirin), në fillim të raport-informacionit, ku ai trajton problemin e një novele që ka bërë shkrimtari Fatos Arapi (“Dikush më buzëqesh”) dhe artikullit të Hamit Beqes “Letërsia arti, mendimi ideo-artistik”.
Dhe sipas burimeve e informacioneve që pretendon se ka pasur Sigurimi i Shtetit, një prej personazheve kryesorë të novelës së Fatos Arapit aludohet se është Ismail Kadare?! Apo më saktë me atë personazh, Fatosi ka përshkruar kolegun e tij, Kadarenë. Dhe këtu nis e tirret në pafundësi e gjithë pjesa tejet intriguese e kësaj ngjarjeje, për të cilën kanë diskutuar për një kohë të gjatë, të gjithë kolegët e tyre shkrimtarë, artistë dhe krijues. Dhe për këtë gjë në raport jepen të dhëna për një pjesë të madhe të tyre, shkrimtarë dhe artistë, kush ka dijeni dhe kush nuk ka dijeni rreth këtij problemi, si dhe nga e kanë dëgjuar ata atë gjë, arsyet se përse e ka bërë atë Fatosi, pra që ka vënë si personazh të një libri, kolegun e tij, Kadarenë dhe madje si personazh negativ?
A ka bërë mirë apo ka bërë keq Fatosi me atë gjë dhe cila ka qenë arsyeja që ata janë ftohur me njëri-tjetrin, gjë që ka sjellë më pas zemërimin e Fatosit?!
A ka pasur dijeni Kadareja për këtë gjë dhe a është e vërtetë se ai ka shkuar te Ramiz Alia për t’u ankuar dhe Ramizi ka ngarkuar Hamit Beqjen që ta ndjekë atë problem, por nisur nga fakti që Hamiti nuk ka shkuar mirë me Ismailin, ai problem nuk ka gjetur zgjidhje?!
A kanë pasur dijeni redaktorët e novelës, Adriatik Kallulli dhe Dhurata Xoxe lidhur me vënien e atij paragrafi, ku Arapi aludon për Kadarenë dhe përse nuk është gjetur kopja e parë e novelës në redaksinë përkatëse të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, kur kanë shkuar për ta verifikuar pasi ajo do të ndriçonte plotësisht gjithë atë histori dhe si mund të jetë zhdukur ajo?!
Po Nasho Jorgaqi a ka qenë i sinqertë kur i ka thënë Dalan Shapllos, se nuk e ka vënë re te novela e Arapit, paragrafin ku aludohet për Kadarenë, apo ajo pjesë ka qenë e hequr kur Fatosi ua ka dhënë redaktorëve për botim dhe është shtuar më pas prej tij, pasi e ka marrë librin të redaktuar prej tyre!?
Cili mund të ketë qenë roli i Adriatik Kallullit në këtë çështje kur dihet se ai nuk ka shkuar mirë me Kadarenë, po Dhurata Xoxe a ka qenë e implikuar në këtë gjë për shkak se bashkëshorti i saj, Jakov Xoxe, koleg i Kadaresë nuk ka pasur relata të mira miqësie me të? Dhe a është i vërtetë ajo që thuhet se, Fatos Arapi aty me atë personazh nuk ka pasur parasysh Kadarenë, por me atë personazh ai ka aluduar për Skënder Kamberin, piktorin që e ka dhe nga Vlora, prej nga është origjina e Fatosit?! Dhe kështu, tjerrja e këtij problemi vijon shumë e shumë më gjatë në raport-informacionin e drejtorit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, me insinuata, hipoteza dhe hamendësime nga më të ndryshmet?! Sa që mund të krahasohet me ato që bën vetë Kadareja në një nga veprat e njohura të tij, ku jep me dhjetëra e dhjetëra versione, se cilat ishin arsyet që trojanët e pranuan kalin e drunjtë të grekëve dhe pse e futën atë brenda portave të qytetit?!
Jo pa qëllim i përmendëm të gjitha këto, (madje mjaft shkurt, pasi në raport ka dhe gjëra të tjera të kësaj natyre edhe për persona të tjerë), për të treguar se me çfarë problemesh merrej dhe preokupohej asokohe udhëheqja e lartë e PPSH-së…?! Pasi siç thamë në fillim të shkrimit (gjë e cila duket dhe nga faksimilet e këtij dokumenti arkivor), ai është parë nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, madje siç do shohim më poshtë, është kërkuar prej tyre. Por përsëri çështja nuk është kaq e thjeshtë?! Sipas një prej ish-funksionarëve të Sigurimit të Shtetit që ka punuar në pozicione të larta drejtuese në ato vite, Sigurimi, me anë të rrjetit të bashkëpunëtorëve që kishte edhe brenda radhëve të shkrimtarëve dhe artistëve, i nxiste dhe i simulonte vetë debatet e sherret në mes njerëzve të artit e kulturës, për të provokuar tek ata xhelozira, hatërmbetje dhe mërira, në mënyrë që ata të flisnin kundër njeri-tjetrit, gjë e cila do ishte “lëndë e parë” për dënimin e tyre. Dhe kështu konkretisht në dokumentin në fjalë, trajtimi i novelës së Fatos Arapit nuk ngrihej për arsyen se duhej marrë në mbrojtje Kadareja, (apo siç thekson në një paragraf të dokumentit, raport-shkruesi, ku thotë: kjo gjë dëmton punën e Partisë), por vetëm për të provokuar sherre ndaj tyre?! Sepse ai sistem ishte ngritur mbi ato “binarë” dhe kështu “treni” i tyre (Partia-shtet), si rrjedhojë vetëm në ato shina do kalonte?! Po të shikojmë më poshtë raport-informacionin, aty jepen mjaft të dhëna për disa shkrimtarë dhe artistë që kanë pakënaqësi ndaj trajtimit që ju bëhet dhe “flasin e bëjnë komente armiqësore ndaj Partisë”?!
Por ajo që vihet re, çuditërisht, është fakti se në atë raport, nuk jepen dhe as nuk përmenden fare emrat e disa prej atyre shkrimtarëve dhe artistëve që u dënuan në atë kohë me dënime politike dhe përfunduan në burgje, si: Lluk Kaçaj, Shpëtim Oseku, Edison Gjergo, Miho Gjini, Maks Velo, Sherif Merdani, etj! Pasi, po të kemi parasysh kohën që është hartuar ky raport-informacion (10 gusht 1972), vetëm katër muaj më pas (dhjetor 1972), u mbajt Festivali i 11 Kombëtar i Këngës në Radio Televizion dhe në janarin e vitit 1973, filloi goditja ndaj një pjesë të artistëve që më pas përfunduan në burgjet politike, apo në internime. Me gjasa duket se ky raport-informacion, është kërkuar nga vetë udhëheqja e lartë e PPSH-së, pasi mund të ishte përgatitur një goditje (gjë e cila ndodhi në fakt) dhe ata donin të dinin nga Sigurimi i Shtetit, se kush ishin njerëzit e artit që duheshin goditur?! Por edhe ky hamendësim nuk qëndron dhe bie, po të kemi parasysh se pjesa më e madhe e personave që përmenden në raport se “flisnin kundër Partisë” nuk pësuan gjë, kjo me përjashtim të Bujar Kapexhiut?!
Sidoqoftë, të gjitha këto mbeten në kuadrin e hipotezave dhe analizave, të cilat për hir të së vërtetës duhet thënë se nuk mund të bëhen, po të kemi parasysh se si funksiononte ai regjim! Dokumentin në fjalë po e japim të plotë, nisur dhe nga fakti se ai është i deklasifikuar me kohë nga Drejtoria e Arkivave të Shtetit dhe mund ta shikojë çdo njeri që ka dëshirë apo kuriozitet. Dhe gjithashtu, pa i fshirë emrat apo pa i dhënë ato me iniciale, pasi kjo gjë mundet që ta ngatërronte më shumë punën dhe do linte vend për shumë aludime.
Gazeta Shqiptare