Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali në vijim të vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut u prit në një takim nga Kryeministri Hristijan Mickoski.
Takimi u fokusua në thellimin e bashkëpunimit dypalësh, përfshirë edhe fushën e ekonomisë dhe investimeve. Por gjithashtu edhe në përgatitjet për mbajtjen e sesionit të ardhshëm të takimit ndërqeveritar G2G.

Spiropali shkruan se partneriteti ndërinstitucional mes dy vendeve tona do të vijojë të forcohet dhe se faktori shqiptar në RMV është një urë ndërlidhëse me Shqipërinë dhe një nxitës i rëndësishëm i proceseve eurointegrues.
“Me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në një frymë bashkëpunimi dhe dialogu të hapur. Partneriteti ndërinstitucional mes dy vendeve tona do të vijojë të forcohet, me fokus të qartë te projekte dhe rezultate konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë dhe afrojnë më tej dy shoqëritë. Ritheksova se faktori shqiptar në RMV është jo vetëm një komunitet shtetformues i rëndësishëm dhe i domosdoshëm, por edhe një urë ndërlidhëse me Shqipërinë dhe një nxitës i rëndësishëm i proceseve eurointegruese”, deklaron Ministrja Spiropali.















