Nga Vllasi Janopulli*
Ulja e çmimit të naftës nën 40 dollarë për fuçi ka vënë në vështirësi vendet prodhuese të naftës dhe ka sjellë edhe çrregullime në tregun e hidrokarbureve dhe si rrjedhim edhe në tregun financiar.
Megjithëse është relativisht e lehtë gjetja e shkaqeve që influencojnë në uljet e vlerave të naftës dhe çdo herë ekzistojnë shkaqe të ndryshme, por asnjë herë nuk është bërë e njohur arsyeja kryesore, bazë, që çon në rënie të çmimit të arit të zi. Kjo nuk mund të argumentohet me oshilacionet e rritjes ose të pakësimit të prodhimit të naftës. Ka pasur raste kur rritja e prodhimit ka qenë maksimale dhe prapë çmimi i naftës ka qenë pothuajse i qëndrueshëm me oshilacione të vogla dhe nuk është vërejtur ulje drastike siç po ndodh në këtë periudhën e fundit.
Nafta është një nga mjetet më të çmuara dhe vendet që e prodhojnë kanë përfitime të mëdha, po kështu përfitime të mëdha kanë dhe vendet blerëse për zhvillimin e tyre ekonomiko – industrial. Nafta në botë është lënda e parë strategjike dhe luhatja e çmimeve të saj mund të krijoj konjuktura të ndryshme në situatën botërore.
Shtetet prodhuese të naftës me ponencial të madh prodhimi, pjesën më të rëndësishme të buxhetit të tyre e bazojnë në prodhimin dhe shitjen e saj. Luhatja e çmimit të saj influencon direkt në të ardhurat të buxhetit dhe si rrjedhim në ekonominë e shtetit. Kështu rënia e çmimit të naftës ka krijuar vrime në buxhetin e Rusisë, ku buxheti i saj bazohet mbi 40% nga të ardhurat prej naftës. Në vitin 2014 të ardhurat nga nafta në Rusi llogariteshin mbi 50% të buxhetit. Sanksionet e vëna për Rusinë, për luftën në Ukrainë, kanë sjellë me pak pasoja në ekonominë e saj se sa ulja e çmimit të naftës. Po kështu, Irani ka bazuar buxhetin e tij me një çmim të lartë të barelit të naftës, në mbi 100$ për fuçi , duke krijuar vështirësi në plotësimin e të ardhurave në buxhet. Llogari të tilla për plotësimin e të ardhurave në buxhet kanë bërë si Arabia Saudite, Venezuela dhe shtetet e tjera që prodhojnë naftë. Në këto kushte është karakteristike se cila nga këto vende do t’u rezistojë këtyre çmimeve, prandaj shitja e naftës më ulët se sa parashikohet në buxhetet e tyre ka krijuar probleme jo pak serioze për këto vende dhe kalojnë në këtë mënyrë provën e rezistencës së tyre për të shitur sa më shumë naftë, për të mbuluar të ardhurat. Vlen të theksohet se gjendja që mbizotëron në tregun e naftës në periudhën e fundit ka bërë që edhe bankat të rivlerësojnë pozicionin e tyre, duke vlerësuar pritshmëritë e çmimeve për naftën.
Me gjithë se nuk mund të gjykojmë plotësisht për arsyen baze që ka çuar në uljen e çmimit të naftës disa argumente janë bindëse.
Veçanërisht i rëndësishëm është roli i SH.B.A. ku ka influencuar rritja e prodhimit të naftës, duke marrë prodhim nafte e gazi nga shistet argjilore . Megjithëse kishte të dhëna që SH.B.A. edhe mund të eksportonin naftë por sido që të jetë, kanë pakësuar importin e saj dhe eksportet e naftës janë në nivele me të larta në këto 56 vitet e fundit.
Në vendet e OPEK- ut nuk ka akoma një mendim unik për uljen e prodhimit sepse ka kontradikta midis tyre dhe veprojnë në bazë të nevojës monetare të secilit vend. Faktikisht Arabia Sauditë ka shtuar prodhimin dhe ka kundërshtuar propozimin e disa vendeve të tjera për kufizimin e tij. Gjithashtu disa nga këto vende kanë nevojë imediate për të ardhurat që vijnë nga shitja e naftës. Çmimet vazhdimisht në ngritje në vitet e fundit kanë bërë të leverdisshme shfrytëzimin e burimeve alternative të naftës si në shistet argjilore, të thellësive detare të mëdha ose dhe nën overthrastët në prerjen karbonate. Parashikimet ishin për fitime të mëdha prandaj dhe investimet janë rritur shumë nëpërmjet kredive, por tani kërkojnë shlyerjen e tyre, gjë që i detyron këto shtete të mos ulin prodhimin. Këtu duhet theksuar dhe për shpenzimet e mëdha për aparatura modernë për kërkimin e shtatimeve të naftës e gazit, si dhe për mekanizmat e shpimit dhe të teknologjisë së tij. Mund të thuhet gjithashtu se, me qenë se tregu i hidrokarbureve kishte arritur përmasa të mëdha, nga ana e spekulantëve bëheshin dhe shitblerje fiktive që nuk u përgjigjeshin prodhimit fizik të produktit. Nga ana tjetër, zaptimi nga ISIS-i i disa vendburimeve të naftës në Irak dhe në Siri e ka shitur naftën kontrabandë me çmime shumë më të ulëta se sa ka qenë çmimi i naftës në treg.
Aplikim të gjerë ka gjetur gazi natyror si lëndë djegëse në industri ashtu dhe në transport, veçanërisht në SH.B.A., por edhe në shtete të tjera, ku parashikohet të ketë një përdorim të gjerë në të ardhmen. Po ashtu në uljen e çmimeve të naftës bruto kanë influencuar edhe importet më të kufizuara nga ana e Kinës, për shkak të uljes se ritmit të zhvillimit.
Në këto kushte shumë kompani depozitojnë naftë me qëllim që ta shesin sipas rastit me çmime më të leverdishme.
Vendburimet tona të naftës si në depozitimet e ranoreve po ashtu dhe në gëlqerorët, janë dhënë në koncesion dhe shfrytëzohen nga kompani të huaja. Këto kompani për interesat e tyre kanë bërë një shfrytëzim intensiv. Metodat intensive në vendburimin e naftës në ranore për shkak të teknologjisë së shpërthimeve dhe ardhjes së rërës nga shtresat kanë dëmtuar strukturën e shtresës, gjë që ndikon në mbetjen e një pjese të konsiderueshme të naftës në shtresë dhe vështirëson shfrytëzimin e mëtejshëm në të ardhmen. Po kështu, marrja intensive e naftës nga gëlqerorët ka shkaktuar përmbytje me ardhjen e ujit. Ndonëse u bë shfrytëzim intensiv i vendburimeve që çoi në rritjen e prodhimit, shteti ka përfituar vetëm rentën minerare sipas kontratave, ndërsa prodhimi për ndarje fitimi nuk është arritur sepse kostot për kryerjen e punimeve dhe prodhimin e naftës kanë qenë të larta dhe kompanitë nuk kanë dalë me fitim. Këtu duhet përmendur dhe mungesa e kontrollit të duhur të shpenzimeve nga ana e organeve shtetërore të ngarkuara për të kontrolluar punimet dhe koston e tyre. Prandaj në kushtet kur çmimi i naftës është i ulët do të kishte leverdi që marrja e naftës nga shtresa të bëhet në mënyrë sa më racionale duke mos dëmtuar shtresën dhe njëkohësisht ruajtjen e naftës kur çmimet të jenë më të leverdishme. Me shfrytëzimin intensiv dhe rezervat zvogëlohen më shpejt, veçanërisht në një vendburimi të tillë siç është ai i ranoreve, Patos-Marinëz, që është i vetmi ekzemplar në gjithë Evropën. Ndryshimi i koncesionarit, që zakonisht bëhet për arsye komerciale mund të sjellë fitime më të vogla për shtetin sepse operatori i ri do kërkoj mbulimin e shpenzimeve të blerjes në një kohë sa më të shkurtër. Pra është e nevojshme të rritet kontrolli.
Kërkime të avancuara që bëhen në zonën e Beratit (Shpiragu) nga ana e kompanisë SHELL tregojnë për rezultate pozitive, por kërkojnë një kohe relativisht të gjatë për të konsoliduar dhe akoma me tepër në rast të zbulimit të vendburimit për ta venë atë në shfrytëzim, duke marrë parasysh këtu edhe faktin që shpimet këtu kanë vështirësi dhe zgjasin për shkak se shpohet në formacione të karbonateve. Pozitiv është fakti që kompania e SHELL-it mori për kerkim dhe tre blloqe të tjerë, por për marrjen e rezultateve kërkohet kohë, si për periudhën e kërkimit para vendosjes së puseve por edhe për shpimin e puseve.
Perspektivë të mirë ka dhe kërkimi në shiste argjilore , që nuk mungojnë në territorin shqiptar, por para se të kalohet në këto formacione, nga studimet tona të kohës së fundit në vendburimin e njohur të Divjakës, sasia e rezervave të reja të gazit, që mund të përgatitën e futën në shfrytëzim i kalon të dy miliard m3 gaz, sasi kjo e konsiderueshme dhe pothuajse e barabartë me sasinë që është shfrytëzuar në të kaluarën. Ky do të ishte një burim i rëndësishëm energjetik po të gjendej një kompani me eksperiencë për konturimin dhe zhvillimin e këtyre rezervave. Fatkeqësisht nuk dihet ku ka përfunduar ky studim, mbasi e morën nga kompjuteri kur sapo përfundoi. Me gjithë atë për aplikimin e tij, duhet pa tjetër mendimi i autorëve për të ulur riskun. Po kështu, rezerva të konsiderueshme gazi, sipas një studimi të bërë kohët e fundit, duhet të ketë në strukturën e Durrësit që zhvillohet në det, të cilat mund të llogariten në disa miliarda m3 gaz. Kompania që kishte marrëveshjen hidrokarbure për kërkimin e gazit në këtë bllok detar nuk arriti të konkludonte duke zvarritur punimet.
Si përfundim, mund të themi që shteti ynë duhet të ketë një vizion dhe taktikë më të qartë për manovruar si me marrjen e maksimumit të mundshëm të rezervave të naftës e gazit por edhe në përputhje me dinamikën e çmimeve të tyre në tregun botëror për të siguruar maksimumin e të ardhurave nga shitja e naftës dhe gazit. Kjo kërkon që edhe Marrëveshjet Hidrokarbure duhet t’iu ofrohen kompanive që kanë eksperiencë dhe potenciale financiare siç është ajo e SHELL-it, etj., si dhe të monitorohen mirë proceset e prodhimit dhe vet prodhimi, shpenzimet dhe të ruhet struktura e shtresave me qëllim që nafta që do ngelet në shtresat të ketë mundësi shfrytëzimi (JavaNews).
*Specialist i fushës. Titulli origjinal i shkrimit: SHKAQET E ULJES SE ÇMIMIT TË NAFTËS DHE VENDBURIMET E NAFTËS NË SHQIPËRI