“Java” ka sjellë vazhdimisht histori që lidhen me Luftën e Dytë Botërore dhe rezistencën e shqiptarëve, por edhe shumë dokumente të tjera, që lidhen me të. Në faqet e saj, ka pasur edhe materiale të ndryshme, duke filluar nga Aleatët, por edhe referenca të pushtuesve, sa i përket Luftës anti-fashiste dhe përballjen e shqiptarëve. Po ju sjellim, një shkrim, botuar kohë më parë, i cili flet për numrat e përfolur të dëshmorëve dhe referimet e personazheve të ndryshme, lidhur me kaosin e numrave…
Nga Ben Andoni*
Janë disa shifra kontradiktore për të rënët në Luftën Antifashiste, të cilat kundërshtojnë njëra-tjetrën, por në fund të të cilave gjykimi mbetet i njëjtë: Gjaku i shqiptarëve martirë në Luftën e Dytë Botërore e renditi për fat Shqipërinë në radhën e vendeve antifashiste. Që nga 28.000 të rënët që vendi u prezantua zyrtarisht në Konferencën e Paqes më 1946, sot është zbritur deri më 4638, 4200, 2159 apo edhe deri 1141 persona. Veteranët mëtojnë se janë madje më shumë se 28.000 syresh, kurse drejtori i Institutit të Historisë nuk beson se janë më shumë se 4000 të rënë…Problem mbeten mijërat e dëshmorëve pa varr, që veteranët i identifikojnë me të rënët në Kampet e Përqendrimit, kurse të tjerët nuk i llogarisin…
Një burrë i vjetër ka sjellë një shkrim për gazetën e veteranëve. Çapitet me vështirësi në ngjitje drejt katit të katërt të ngrehinës pranë PS-së, derisa të ngjitet në vend. Tetëdhjetëvjeçari, tashmë në tatëpjetë të jetës, duket sikur edhe shkallët i kujtojnë jetën. Sa lart jeni? “Eh, jemi mësuar, na thotë. Kështu na e bënë dhe në luftë, por fituam. 28.000 të vrarë dhamë, për këta që tani na përqeshin, s’bënë asgjë”. Këta dhe ata…
Beteja e fjalëve
Kur mbërrijmë, burri ndahet në një zyrë, kurse na përcjell tek Faik Aliaj, nënkryetari aktual i Komitetit të Përgjithshëm të Veteranëve. Kryetari Peçi nuk dëshiron të flasë me arsyen se i duhet të përgatitet për aktivitetet e majit. Pleqtë, që shfaqen kur hapet dera, janë përkulur mbi disa shkresa dhe japin e marrin. Biseda është e shkurtër, ndërsa përgjigjet e tyre gati telegrafike: Gati ‘Po’ ose ‘Jo’. I keni dëgjuar debatet për dëshmorët?-Po. Ju vjen keq që ulet numri i martirëve me ato të dhëna që paraqisni ju? Jo. Nuk na bën përshtypje. Janë 28.000 dëshmorë? Po. Edhe më shumë. Si i konfirmoni? Janë konfirmuar! Nënkryetari Aliaj, dikur oficer intendence, është i datëlindjes 1932, ndërsa e ka marrë teserën e Partisë Komuniste që më 1948. E pyesim për luftën. Ke qenë fare i ri? Kam marrë pjesë. Kam ndihmuar.
Kthehemi te argumenti për dëshmorët. Prit! Sakaq, një ‘vartës’ i sjell një libër, botim të Ministrisë së Mbrojtjes për Pavarësinë, me parathënien e Arben Imamit, ku janë të pasqyruar zyrtarisht të gjithë dëshmorët. “Do rifreskohet, më thotë, kur sheh dyshimin. Nuk janë ende të gjithë aty”. Tani burri bëhet më insistues. “Në fund të luftës kishim 24 brigada, nga të cilat tre u dekoruan si ‘Hero i Popullit’ (Brigada 1, 5, 6), 8 divizione dhe 3 korparmata. Pse ju duket çudi që në këtë luftë nuk mund të kishte kaq dëshmorë? Nga i bënë këta ballistët dhe legalistët të gjithë këta të rënë që pretendojnë, kur ata s’luftuan fare?!” Kolegu i tij, që duket shumë më i ri, na shpjegon fillesën e problemit dhe sesi u numëruan më 1946, pas ngritjes së një komisioni enkas për të caktuar shifrën e tyre. “Janë madje edhe më shumë se 28.000”, thotë i bindur, paskëtaj.
Në fakt, libri “Dëshmorët e Kombit”, që nxjerrin, tregon se është shumë më i vogël numri i dëshmorëve antifashistë. I botuar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, libri përbën një përpjekje për të përmbledhur dëshmorët e të gjithë periudhave të kohëve moderne. “Libri është një reflektim i një pune të gjatë e voluminoze të Ministrisë së Mbrojtjes për inventarizimin e të gjithë dokumentacionit të dëshmorëve të kombit, ndërtimin e një baze të dhënash elektronike, e cila do të zhvillohet e pasurohet me të dhëna të reja me evidentimin dhe njohjen e veprave të martirëve të tjerë, për të cilët deri më sot nuk kemi të dhëna”, citojmë në parathënie ish-ministrin e Mbrojtjes Imami. Shifra reale e dëshmorëve të Luftës, në këtë libër, si kalon realisht të 28.000 dëshmorët. Do të jenë shpejt, në botimet e tjera, më thonë me bindje burrat e vjetër. 40 minuta më vonë, në anën tjetër të Tiranës, Beqir Meta, drejtori aktual i Institutit të Historisë, mundohet t’i shmanget shifrave edhe pse e ka një ide të afërt sesa janë.
“Nga kërkesat dhe dokumentet që bëri Ministria e Ekonomisë e pasluftës për varrezat e dëshmorëve, nuk pati më shumë sesa preventiva për 4000 varre. Por, edhe me kaq është një shumë për t’u vlerësuar sepse ishin njerëz që luftuan. Më duken të fryra shifrat që jepen gjithashtu dhe nga pjesa nacionaliste, sepse nuk ka pasur pjesëmarrje të tillë, që të justifikonte numrat e përcjella në media”. Nga ana tjetër, kjo sqaron disi edhe pretendimin e veteranëve ku llogariten, më shumë se gjysma e dëshmorëve që janë pa varre, pasi janë asgjësuar në kampet famëkeqe të përqendrimit në rajon, Itali dhe në Gjermani. Madje, ky argument mund të jetë një nga më të debatuarit, nëse do të hidheshin për ta vlerësuar, si duhet. Duke menduar më qartë dihet se në disa prej kampeve gjermane ka pasur evidenca të qarta të të dënuarve dhe atyre që janë të ekzekutuar.
“Është një debat, që e quaj jo frytdhënës nga të gjitha palët, pasi përveç 28.000 dëshmorëve që paraqesin partizanët, nga forcat e tjera pretendohet se janë gati 6500 të vrarë etj. Thjesht, duke menduar formacionet e këtyre grupimeve atëherë është e lehtë të gjykosh se kjo s’është aspak e vërtetë. Po ashtu pas luftës ka evidenca të vërteta nga autoritetet përkatëse komuniste për t’u përgatitur varrezat e dëshmorëve. S’janë më shumë se 4000 syresh të rënë. Por le të zemë se janë 10% apo 20% më shumë, sërish shuma është e ekzagjeruar”. Problemi që paraqet historiani dhe që duhet nënvizuar, ka të bëjë me faktin se pas viteve ’90, për shkak të ngushticave e privacioneve të vazhdueshme të Institutit të Historisë, në departamentin e luftës antifashiste ka punuar vetëm një njeri. Kuptohet se një i vetëm nuk mund të mbulonte ngarkesën e kësaj periudhe, që mbetet aq shumë e sulmuar nga politika. Gjithashtu, duhet folur më shumë për pozicionin e nacionalistëve dhe rolin e vërtetë të Fuqive të Mëdha, shprehet historiani Meta. P.sh. Anglia ka qenë e deklaruar për rishikimin e kufijve të Shqipërisë së pas luftës dhe kjo ishte arsyeja që fashistët e shfrytëzuan me shumë zgjuarsi për bashkimin e madh të Shqipërisë. Nga ana tjetër, komunistët të gjithë kohën ruheshin nga qëndrimi britanik, që vërtetë e ndihmuan luftën, por që vazhdimisht e shikonin dyshueshëm rolin e komunistëve. Rezistenca antifashiste i dha legjitimitivitet luftës me përfshirjen e forcave shqiptare, argumenton historiani.
Beteja e Shifrave
Këtu mbyllet, logjika e sotme. Duke u kthyer pas, një nga betejat më të ashpra të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes më 1946, ishte pikërisht sesi do të prezantohej Shqipëria për atë kontribut të jashtëzakonshëm në luftë, kur popullsia e saj, në hapësirën që mbulon kufiri i sotëm shtetëror, mezi i arrinte të 1 milion banorët. E sikur të mos mjaftonte kjo, Shqipëria ishte në një nga pozicionet e saj më të këqija diplomatike, pasi pas luftës i duhej të përballej me akuzat si bashkëpunëtore e fashizmit. Përfaqësia greke, megjithëse përfaqësonte një vend, që ishte ende në luftë civile, po bënte çmos që Shqipëria të etiketohej si bashkëpunëtore e fashizmit, ngaqë prej territorit të saj, Italia nisi marshimin e pushtimit drejt Greqisë. Edhe pse sot në Shqipëri e anashkalojnë si faktor, Konferenca e Paqes është një nga aktivitetet më të jashtëzakonshme të historisë shqiptare së të Drejtës Ndërkombëtare.
Prej këndej filloi dhe legjenda e shifrave. Më 23 Korrik të vitit 1946, vetëm një javë para Mbledhjes së Konferencës së Paqes, një grup deputetesh i kërkuan Kuvendit Popullor në një mbledhje të jashtëzakonshme të shpallte aktin e një Rezolute për pranimin e Shqipërisë në Konferencë. Shumë prej atyre që do ta firmosnin aktin do ishin nga të parët që Enveri do t’i persekutonte. Kronikat e kohës fiksojnë firmat e deputetët Pëllumb Dishnica, Kadri Baboçi, Abedin Shehu, Kristo Themelko, Hasan Pulo, Sami Baholli, Mark Ndoja, Gjovalin Lluka, Gogo Nushi, Gjeneral-Major Dali Ndreu. Në emër të këtij grupi, N/Kolonel Pëllumb Dishnica deklaroi: “Kemi kockat e me shumë se 40.000 dëshmoreve qe dhanë jetën për lirinë e vendit te tyre, dhe për kauzën e antifashizmit e te demokracisë”. Rezoluta zyrtare, që iu nis menjëherë Konferencës, e rriti stekën e dëshmorëve të rënë kundër fashistëve në plot 40.600 persona. Shqipëria u pranua dhe për fat, pas një lufte jo të vogël, edhe u llogarit në kahun e forcave antifashiste. Ndërkohë, studiuesit e sotëm mëtojnë për një dokument tjetër paralel të vitit 1946, ku numri i të vrarëve në luftë llogaritet në 2.519 vetë! ( Indikacioni është te AQSH, Fondi 14/AP STR, viti 1946, dosja 40, faqe 159.). Ky dokument ndodhet ne Arkivin e ish KQ te Partisë se Punës.
Nga vrojtimet qe kam kryer del se ky numër përputhet, me ndonjë lëvizje te vogël me materialet e hollësishme për pensionet. Mbetet detyrë e së ardhmes saktësimi”, referon në një shkrim dy vite më parë, Dr. Teodor Kareco. Nuk dihet sesi ky numër u ul, por në vitin 1948, në kongresin e parë të Partisë Komuniste Shqiptare, Enveri deklaroi se: “Populli ynë i vogël i dha luftës 28.000 dëshmorë ushtarakë dhe civilë, 4.000 invalidë qind për qind dhe 8.600 te tjerë 50%”. Në një farë mënyre, kjo i shkonte për shtat asaj që ishte referuar në dokumentin që iu përcoll Konferencës së Paqes. Në përpjekjet që do të bëheshin pas lufte për të bërë varrezat e dëshmorëve në çdo qytet, nuk llogariten më shumë se 4000 preventiva për to, referon profesor Beqir Meta.
Shifra është referuar në vitet e fundit dhe nga kryeministri Meksi, i cili për median është shprehur se: “Kur flasim për Luftën Nacionalçlirimtare, duhet të botojmë në literaturën historike sa kanë qenë partizanë dhe cilët ishin, sa prej tyre dëshmorë dhe cilët kanë qenë. Thuhet se ishin 70 mijë partizanë, kur u kthyen në ushtri të rregullt, pas Kongresit të Përmetit, pak para çlirimit në territoret e çliruara, ku të futeshin në ushtri për të kontribuar në fitoren e luftës. Dëshmorët nuk janë 28 mijë”, pohonte Z. Meksi, pak kohë më parë. Kurse deputeti, Dashamir Shehi ka pohuar për ‘Shqiptarja.com’ “se kanë qenë vetëm 4200 dëshmorë. Nuk ka fakte dhe dokumente për më shumë”, këmbëngul ai. Si përfundim, studiuesi dhe politikani Meksi dhe deputeti Dashamir Shehi insistojnë se shifra është e fryrë. Ndërkohë që një autor disi kontraversial Vasfi Baruti në një nga daljet në shtyp ka referuar për një dokument të vitit 1945, ku shkruhet ligji për dëshmorët dhe ka referuar edhe për një tabelë të vitit 1946, në bazë të të cilit shuma totale e dëshmorëve të shpallur është vetëm 1141?!
E fundit përpjekje serioze, të themi para viteve ’90, i takon studimit të bërë nga Ministria e Financave të vitit 1977 kur llogariten dëmet në njerëz gjatë luftës antifashiste. Janë kohët kur Shqipëria po bën përpjekje për të lidhur marrëdhënie diplomatike me Gjermaninë dhe mundohet që të ngrejë sa më shumë stekën e saj të kërkesave, duke theksuar dëmet. Në material, që e referon Kareco, thuhet se: “Okupacioni gjerman shkaktoi 17.800 te vrare nga 28.000 qe ishte numri i përgjithshëm gjate periudhës se Luftës se Dyte Botërore, 7.800 te plagosur e te gjymtuar nga 12.600 gjithsej”. Shifrat mbeten të ndryshme, por veteranët edhe sot i përmbahen që në totalin e 28.000 dëshmorëve janë edhe ata mijëra persona që u deportuan për të mos u kthyer më nga kampet e përqendrimit. Dhe, kjo sot, ende s’është pjesë e debatit që shpesh banalizohet për luftën se kush luftoi më shumë. Një gjë, megjithatë, mbetet dhe është e pakundërshtueshme paçka mllefit: Komunistët bënë paradën e fitores dhe në këtë paradë asistonin dhe atashetë ushtarakë të forcave aleate, që në një mënyrë ose tjetër po lanin atë indiferencë të frikshme, kur Shqipëria u pushtua më 1939 nga fashizmi.
Nuk pyesim për fjalët, na thotë Faik Aliaj, që e ruan ende të folurën e Kuçit, ku ka lindur. “Janë 28.000 dëshmorë dhe më shumë që e kanë larë me gjak këtë vend. Do shikoni në librat e tjerë që do të pasqyrohen të gjitha”. A do jetë vallë gjallë? Kjo s’i intereson aspak, na tregon si shpërfillës. “Dëshmorët janë memoria e një kombi që jeton”, kemi para syve titullin e shkrimit të Arben Imamit, forca politike e të cilit i pëlqen ky kaos. Largohemi, dhe ndalemi pak mu përballë shkallëve, ku plaku që ngjitej tashmë e ka dorëzuar e shkrimit. Përballë në mur është e shkruar me të madhe, njësoj si në kohën e socializmit: “Lufta antifashiste nacional-çlirimtare e popullit shqiptar u fitua me heroizmin por edhe me sakrificat e gjakun e 28.000 dëshmorëve”. Ja, këtë kemi bërë, më thotë krenar burri, që tani po zbret shkallët i qetë, që e dorëzoi shkrimin.
*Shkrimi është botuar te gazeta Java, dy vjet më parë