Përfaqësuesja e Spanjës do të zbresë në fushën e lojës ndaj Shqipërisë me një risi të madhe. Përkrah saj do të jetë edhe një pjesëtar i ri i ekipit spanjoll, i cili debuton pikërisht ndaj kuqezinjve.
Ekipi kombëtar i Spanjës ka prezantuar sot edhe para mediave sponsorin e ri, Artero, një kompani e cila merret me produkte për mirëqenien e kafshëve. Sigurisht, “ambasadori” i kompanisë nuk mund të ishte gjë tjetër përveçse një qen, ose në rastin konkret një qenushe me emrin Musa.
Skuadra ka pozuar sot në stërvitjen e fundit me qenushen në fjalë dhe nesër, në fillimin e sfidës do të zbresë me të në fushën e lojës, duke nisur partneritetin me këtë kompani. Musa do të shoqërojë Spanjën në të gjithë aktivitetet e saj derisa të mbyllet bashkëpunimi mes palëve.