“Besoj se ata dëgjuan mesazhin e presidentit dje fort dhe qartë. Nga sa kuptoj gjatë orëve të fundit, ata kanë rënë dakord të bashkëpunojnë me ushtrinë amerikane“, tha Leavitt gjatë një konferencë për shtyp, pa dhënë më shumë detaje.
“E mohoj kategorikisht. Kam dëgjuar për këto deklarata gjatë rrugës për këtu dhe kam pasur kohë t’i verifikoj dhe t’i dëgjoj me kujdes”, tha Albares për stacionin radiofonik spanjoll Cadena Ser.
“Qëndrimi i qeverisë spanjolle për luftën në Lindjen e Mesme dhe për bombardimet ndaj Iranit, lidhur me përdorimin e bazave tona, nuk ka ndryshuar aspak. Prandaj e mohoj kategorikisht dhe me sinqeritet. Nuk kam asnjë ide se çfarë mund të nënkuptojë kjo ose nga mund të ketë dalë.”
Trump kishte sugjeruar mundësinë e vendosjes së një embargoje tregtare ndaj Madridit, për shkak të refuzimit të Spanjës për t’i lejuar avionët amerikanë të përdorin bazat detare dhe ajrore të përbashkëta në jug të Spanjës për sulmin ndaj Teheranit. Spanja ka denoncuar bombardimet amerikano-izraelite ndaj Iranit si të papërgjegjshme dhe të paligjshme.
“Nuk do të jemi vasalë të asnjë vendi tjetër”, tha zëvendëskryeministrja Maria Jesus Montero të mërkurën.
Në një fjalim televiziv më herët, kryeministri Pedro Sánchez riafirmoi qëndrimin anti-luftë të Spanjës, duke paralajmëruar se konflikti mund të shkaktojë një katastrofë globale të madhe.











