Spanja është gjysmëfinalistja e parë e “Euro 2020”. Iberikët mposhtën me penallti Zvicrën dhe tani presin fituesen e çiftit Itali-Belgjikë.
Koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1, me Spanjën që kaloi në avantazh shumë shpejt, që në minutën e 8, pasi goditja e Jordi Alba u devijua në rrjetë nga Zakaria.
Në pjesën e dytë, ishte Xherdan Shaqiri ai që barazoi pas një gabimi të mbrojtjes spanjolle, në minutën e 68.
Remo Freuler u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 76, pas një ndërhyrjeje ndaj Gerard Morenos. Futbollistët e Zvicrës, me në krye kapitenin Xherdan Shaqiri, protestuan shumë për masën ekstreme të arbitrit anglez Michael Oliver, duke marrë parasysh se Freuler preku topin në fillim. Edhe VAR-i nuk ndërhyri, pasi protokolli i Evropiani parashikon që kur bëhet fjalë për kontakt fizik, qëndron vendimi i arbitrit.
Por, edhe mes spanjollëve ka nga ata që besojnë se nuk duhej ndëshkuar me të kuq lojtari i Atalantës. Në Twitter, Cesc Fabregas shkroi: “Për mua nuk ishte as karton i verdhë, por më bëhet qejfi që e dha. Falemnderit, arbitër”.
Zvicra rezistoi edhe në 30 minutat e shtesës, duke e dërguar ndeshjen në serinë e 11-metërshave, aty ku nuk arriti të përsëriste mrekullinë ndaj Francës.
/b.h