Nga Jakin Marena
Deklaratat kontradiktore të liderit të PD Sali Berisha gjatë tërë këtyre ditëve po tregojnë më së miri se ai është në një hall shumë të fortë personal.
Si njëri prej dy “dinozaurëve” të politikës shqiptare, i “ngulur” që në vitin 1990 për të mos lëvizur as tani që është në finish të jetës së tij biologjike, mund të thuhet pa frikë se ditë pas dite Berisha po shfaqet me “humor” vërtetë të keq dhe të rrezikshëm, duke goditur në të gjitha anët pa “doganë” këdo që mendon se e “sheh” shtrembër.
Dhe kur ka “amplituda” të tilla luhatjeje të gjendjes së tij psikologjike ai është njeri në hall emergjent. Ata që e njohin e dinë se Berisha acarohet kur dëgjon “erën” e diçkaje jo të mirë që rrotullohet përreth tij dhe familjes biologjike, e cila ia shuan gjumin dhe qetësinë dhe e nxjerr nga “binarët” normalë të një politikani normal.
E halli kryesor i Berishës, tashmë që është “familjarizuar” dhe nuk i bën më përshtypje me “non gratan” e shpallur nga SHBA, ku jo vetëm që nuk shkel dot përtej Atlantikut, por i kanë mbyllur derën dhe liderët europianë e të PPE-ve ku PD bën pjesë, është përballja me drejtësinë.
Pikërisht drejtësinë e re, e cila ndonëse është në fazën embrionale të funksionimit të saj dhe deri më tani ka nisur “provat” e vogla me “arkat e peshkut” apo ndonjë vepër tjetër penale që nuk ngre shumë peshë në pritshmëritë e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe qytetarëve shqiptarë, njëherë do ta gjejë guximin që të merret dhe me dosjet e rënda të Berishës dhe të familjes së tij.
Me sa duket SPAK po i vjen “rrotull” Berishës, e nuk përjashtohet mundësia që të nisë së shpejti hetimin e abuzimeve të tij me pushtetin, tashmë që ky institucion i rëndësishëm hetimi i drejtësisë së re ka në dorë si “kartabiankë” mbështetëse, arsyetimin me të cilin SHBA e shpalli ish kryeministrin demokrat person “non grata”: Korrupsion të theksuar, minim të demokracisë e shantazhim të drejtësisë për të mbrojtur familjarët dhe bashkëpuntorët.
Pra i ka thuajse të gatshme dosjet Berisha, SPAK thjeshtë e vetëm duhet që t’i seleksionojë dhe t’i hetojë në mënyrë më të thelluar, për të arritur kopsitjen e tyre me fakte e prova, e në fund dhe dërgimin në Gjykatën e Posaçme për të marrë atë që meriton.
Gjatë gjithë këtyre ditëve Berisha dhe mbështetësit e tij në PD, media e panelet televizive i kanë mëshuar fort skenarit të Sri Lankës, ku turma e qytetarëve të irrituar u ngritën në protesta masive, rrethuan Presidencën dhe kryeministrinë, duke detyruar kreun e shtetit të arratiset jashtë vendit, ndërsa kryeministrin të japë dorëheqjen. Pra rënien e mazhorancës së atjeshme.
Dikush mund të thotë se parulla e shqiptarëve që nga 1990 ka qënë “Shqipëria si gjithë Europa”, brohoritet dhe sot në takimet dhe mitingjet e Berishës së rikthyer nga pensioni politik në krye të demokratëve, dhe pse ndryshon slogani në “Shqipëria si Sri Lanka”.
E vërteta është se Berisha lëviz si “lavjerës” për hallin e tij personal. Ai nuk pyeti as kur na anëtarësoi në Konferencën Islamike, kur të gjithë prisnin integrimin në Europën e dëshiruar dhe të kërkuar.
Madje ky “çiban” i anëtarësimit në Konferencën Islamike nga Berisha po na ndjek dhe tani kur pranohet nga të gjitha vendet anëtare të BE se janë plotësuar kushtet për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë për integrimin në Union, duke na bllokuar në rrugën tonë drejt Brukselit.
Ky është “litari jashtë” që na la Berisha, thjeshtë dhe vetëm për hallin e tij personal dhe disa para më tepër në formë dhuratash apo dhe financimesh të mirëfillta të radikalëve islamikë e të “bijve të terrorit” deri tek Osama Bin Laden që vizitoi Shqipërinë dhe poligonet e ushtrisë ku ushtarët e tij stërviteshin për t’u shpërndarë në të gjithë botën e qytetëruar dhe ushtruar terror. Nuk harrojnë partnerët tanë strategjikë, sado që të vonojnë, pasi kanë harxhuar miliona për sigurinë e vendeve të tyre, Aleancës që mbështesin dhe mbrojtjes së paqes në tërë globin.
Berisha iu drejtua dhe shembujve të tjerë radikalë për të rrëzuar kundërshtarin politik, por që në thelb ka drejtësinë e re, për të mbërritur tek thirrjet e nënkuptuara “e duam Shqipërinë si Sri Lanka”. Eshtë e dhimbshme që kauza e PD që nisi me orientimin euroatlantik të Shqipërisë, të përfundojë në këtë derenxhe.
Por Berisha ka hall personal, është nën presionin e fortë të përballjes së mundshme dhe të shpejtë me drejtësinë e re, ndaj është gati të kapet dhe tek “fija e kashtës” për të shpëtuar. Një gjendje e tillë e rëndë psikologjike e Berishës, vihet re me sy të lirë në artikulimin e tij publik e politik dhe gjuha e përdorur në të gjitha “enklavat” apo podiumet politike që ka mundësi të flasë.
Të kuptohemi, nuk mungojnë as ngacmimet e mazhorancës socialiste që i kujton herë pas here ndonjë gjë, duke sjellë dhe nxjerrjen nga “binarët” të Berishës, sikurse ndodhi ditën e djeshme.
Me radhë kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla, ministri i Drejtësisë Ylsi Manja, zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe një pjesë e deputetëve dhe zyrtarëve socialistë, i kanë kujtuar Berishës në Kuvend se shumë shpejt nuk do të jetë deputet. Ndaj është në hall për këtë arsye. Dhe nga Kuvendi mund ta nxjerrë vetëm drejtësia Berishën, me akuzën për korrupsion, një akuzë nga e cila imuniteti i deputeti bie dhe kalon direkt në dispozicion të SPAK për t’u hetuar.
Kaq ka mjaftuar që gjendja e Berishës të rëndohet dhe të dalë menjëherë në “habitatin” e vet. Aq sa të harrojë se disa ditë më parë kishte deklaruar se do të vijnë në pushtet vetëm me votë, ndërsa në seancën e ditës së enjte të Kuvendit të deklaronte pa korrekturë se do të provojë “shansin” me skenarin e Sri Lankës. Një kapërcim i natyrshëm në fakt për Berishën, duke iu dërguar mesazh të gjithë atyre që kanë besuar se ai ka ndryshuar qasje ndaj të bërit opozitë, se në fund të herës ai i “dorëzohet” strategjisë së tensionit, destabilizimit dhe gjuhës së ashpër që ka në ADN-në e tij politike.
Berisha akuzoi SPAK se nuk heton vilat e kryeministrit e të qeveritarëve shqiptarë, duke shtuar në “listë” dhe atë të ish kreut të dëbuar të PD Lulzim Basha, pavarësisht se vetë jeton në një shtëpi të dhuruar nga biznesmenët sponsorizues të tij, ka një zyrë që e ka mbajtur për 9 vite, ndoshta vijon ta ketë përballë RTSH pa asnjë kokërr leku dhe mbi të gjitha relaksin e plotë e gjen në vilën e tij miliona euroshe në Gjirin e Lalzit. Në krah të ortakut të tij politik Ilir Meta. Madje në hapësirën e këtyre vilave, nën hijen e palmave ekzotike të sjella nga ajri me helikopterë si rrogtarë të “ndershëm” shteti, qajnë dhe hallet bashkë e bëjnë projekte për të“luftuar” korupsionin dhe rrëzuar Edi Ramën nga pushteti.
Aq i acaruar ishte Berisha me drejtësinë, teksa e akuzonte se nuk po heton aferat korruptive të kësaj qeverie sipas tij, nga inceneratorët e deri tek ndërtimi i rrugëve dhe investimeve të tjera në këto 9 vite qeverisje të PS, sa nuk kurseu as deputetet femra të parlamentit, duke përdorur epitete fyese si ato ndaj Spiropalit, Nikollës, çka solli edhe ndërprerjen e seancës e marrjen e masave disiplinore ndaj tij.
Me sa duket SPAK po u vjen “rrotull” dosjeve të tij, megjithëse nën ritmin e këngës “Rreth e rreth bahçes u solla, vajzën nuk e pashë…”. Por ama rileximi dhe njëherë i motivimit nga DASH për shpalljen e Berishës dhe familjes së tij “non grata”, mund ta “koalidojë” dhe këtë institucion të rëndësishëm të drejtësisë së re, për të gjetur rrugën e hapjes së dosjeve të rënda të korrupsionit të Berishës. Dhe nuk janë pak. Këtë Berisha e di shumë mirë, ndaj acarohet.
Janë dosje të rënda, duke filluar nga afera e “Gërdecit”, ku djali i tij Shkelzen Berisha akuzohet se ishte pronari i këtij biznesi demontimi municionesh, shpërthimi i të cilit shkaktoi 26 viktima të pafajshme, plagosi mbi 300 të tjerë dhe shkaktoi dëme të pallogaritshme. Çështja është rihapur, e nuk përjashtohet mundësia që të dalë dhe emri i djalit të ish kryeministrit. Fundja në përpjekje për të hequr autorësinë e këtij biznesi, Shkelzen Berisha humbi dy gjyqe në Florida me gazetarin e njohur Guy Lawson, autor i librit ‘Armët dhe Çunat’ që ka në thelb tragjedinë e Gërdecit.
Libri flet për marrëdhënie mes tyre dhe një mafie të lidhur me qeverinë shqiptare dhe sipas tij, Shkëlzen Berisha ishte i pranishëm në një nga takimet, dhe ai përshkruhet me “flokë të errët, një mjekër të rrumbullakët dhe sy si peshkaqen” si edhe akuzohet si pjesë e aferës të korruptuar të tregtisë së armëve. Në bazë të librit, u bë filmi i vitit 2016 i Hollivudit “War Dogs” me aktorët Jonah Hill dhe Miles Teller. Pra biri “preku” dhe Hollivudin. Kjo dosje është thuajse gati.
Po ashtu afera 230 milionë euroshe e Rrugës së Kombit, afera mbi 500 milionë euro e CEZ-DIA, afera e privatizimit të kompleksit “Partizani”, shitja e “detit” Greqisë për të cilin ekziston një vendim i Kushtetueses për rrëzimin e kësaj marrëveshjeje për cënim të tërësisë territoriale të vendit me rezultatin 9 me 0.
Por dhe vrasja e 4 demonstruesve të opozitës në mes të Bulevardit përballë kryeministrisë dhe akuza të tjera, janë në radhë për t’u hetuar me sa duket nga SPAK. Pavarësisht radhës, mjafton njëra prej tyre të hetohet tamam, megjithëse janë dosje thuajse të gatshme dhe Sali Berisha e familjarët e tij “fundosen”.
Pikërisht këtë “sagë” hetimesh parandjen Berisha që ka dalë nga “binarët” politikë, i “ndihmuar” dhe nga përfaqësues të mazhorancës që ia kujtojnë çdo ditë se nuk do jetë më pjesë e Kuvendit, pra as deputet. Dhe e kanë gojën “helm”. Dy vite para se të shpallej “non grata”, kreu i qeverisë Edi Rama i bëri pyetjen sfiduese Berishës: E kalon dot Atlantikun?! Pavarësisht se Berisha u mundua ta justifikonte paralajmërimin e Ramës me akuzën se ishte ai bashkë me Sorosin që kanë ndikuar në këtë vendim të SHBA, për shpalljen familjarisht të padëshirueshëm.
Duke qënë se Berisha vetë e di se ka ardhur momenti që dhe SPAK s’mund të shtyjë pafund lënien jashtë hetimit të tij, ka vendosur të reagojë përmes sulmeve dhe kërcënimeve. Që gjithsesi nuk pinë ujë. Mjafton që drejtësia e re të ketë vullnet për të realizuar funksionin për të cilin është ngritur, pa u “thyer” nga presioni i politikës.