Nga Preç Zogaj
“Heronjtë u bënë njerëz/ fat për qytetërimin”, shkruan poeti nobelist italian, Salvarore Quasimodo. Duke lavduar heroizmin tokësor të zhveshur nga aureola e së mbinatyrshmes.
Të tillë heronj ka me qindra mijëra në botën e sotme. Një shembull nga Shqipëria jonë janë prokurorët e SPAK dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ata po çojnë hetimin në sferat e larta të pushtetit ku ka qenë i ndaluar të shkelë për rreth tri dekada. Janë hetuar dhjetëra zyrtare me peshë, ministra, deputetë, kryebashkiakë. Po hetohen ish kryeministri Sali Berisha dhe ish Presidenti.
Dyert e SPAK pritet ti kalojnë kryeministri Edi Rama dhe ish kryetari i PD, Lulzim Basha, së paku si persona që kanë dijeni rreth aferës McGonigal i pari dhe dosjes së 21 janarit i dyti. Më lart se kaq! Për çdo hetim dhe akuzë penale të SPAK është gjykata që jep fajësi a pafajësi. Ajo bën drejtësi. Sa kohë që është kështu, hetimi i aferave të dyshuara i bën mirë shoqërisë edhe kur rezulton se ka vepër penale, edhe kur rezulton e kundërta. Nuk ka vend për “kryengritje” , përveçse kur të hetuarve u djeg miza.
Në Kuvend para pak ditësh por dhe në komunikimet periodike me mediat, kryetari i SPAK, Altin Dumani është shfaqur edhe më bindës në kornizën e njerëzores. Korrekt, institucional, pa shfaqjen më të vogël të fryrjes apo fodullëkut. Nuk reagon ndaj fyerjeve, sharjeve dhe denigrimeve; nuk bie në kurthin e personalizimit të përplasjeve dhe zhvendosjes së përparësive në punën e tij. Duke ua lënë institucioneve që kanë për detyrë ligjore dhe institucionale të reagojnë dhe mbrojnë prokurorët nga gjuha denigruese e politikanëve nën hetim apo jo. Siç mund të jenë KLP-ja, Presidenti i Republikës… Apo publiku dhe mediat.
Por çështja është më e thellë se një person, sado që Dumani e mishëron SPAK-un si i parë mes të barabartëve. Çështja është vetë SPAK. Në seancën e raportimit të Dumanit në Kuvend u manifestua edhe më qartë se më parë se kasta politike plurale solidare ne krye të dy partive të mëdha po kolaudohet për luftën e shenjtë kurndër SPAK kështu siç është bërë: kurajoz e i pavarur. Duke i dalë nga skema Ramës me shokë që pretendojnë se e kanë krijuar.
Berisha me Metën e kanë nisur herët këtë betejë. Rama i ka rënë “hilesë” më vonë.
Pika e tyre e takimit është menduar të jetë i ashtuquajturi Komisioni Antikorrupsion, i drejtuar nga Fatmir Xhafa; një komision-fantazmë, pa objekt konkret, siç është tradita dhe përligjia e ngritjes së komisioneve bipartizane.
PD nuk është bërë ende pjesë e tij, duke e lënë të rrotullohet në boshllëk dhe duke pritur produktin e palës socialiste për t’u shprehur me votë nëse gjen aty diçka që i shkon për shtat qëllimeve të saj. Nuk ka nevojë të kompromentojë retorikën anti Rama me pjesëmarrje. Rëndësi ka shumica e cilësuar apo me dy të tretat në procesin e votimit në seancë. Të dyja palët e dinë shumë mirë çfarë duan dhe cila është mënyra më e mirë për ta çuar përpara atë çfarë duan. Pa dalë hapur. Duke i rënë nga hëna me llafe e sllogane demokratike mundësisht pa provokuar një qëndrim të prerë të SHBA-së dhe BE-së kundër amendamenteve eventuale që do të dekriminalizonin shpërdorimin e detyrës, apo do të cënonin SPAK.
Në këtë kontekst janë gjithë sy e veshë çfarë po ndodh në SHBA. Ka gjasa ta mendojnë si të volitshëm shpërqëndrimin eventual të administratës amerikane për shkak të ngjarjeve të jashtëzakonshme dhe etheve të forta elektorale që po shoqërojnë fushatën për zgjedhjet presidenciale atje.
SPAK është jashtë këtyre lojërave. SPAK ka ligjin, ka misionin, ka mbështetjen amerikane dhe popullore në vend. I mjaftojnë për të shkuar përpara. Por SPAK nuk mund të ndalojë nisma ligjore parlamentare që do të synonin ta intimidojnë, dobësojnë apo tjetërsojnë atë. Dobësimi dhe marrja nën kontroll politik e SPAK do të përkthehej si triumf për kastën e korruptuar dhe si kushtrim për ti rënë edhe më fort se sot me top. Korrupsioni kapilar shënoi rekorde të papara në tre vitet e fundit, pikërisht kur po futej në betejë SPAK. Është e lehtë të merret me mend si do të shpërthejë nëse këtij instutucioni të shpresës i pritet hovi, i merret timoni.
Në mungesë të një grupi parlamentar që i ka numrat për të pamundësuar nisma të tilla retrograde, fuqinë për të penguar që kjo të ndodhë e kanë bashkautorët e reformës sonë në drejtësi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA i kanë premtuar popullit shqiptar çlirimin nga pandëshkueshmëria në sferat e larta. I kanë premtuar rendin “askush mbi ligjin”.
Zyrtarët amerikanë që merren me Shqipërinë qenë shbalancuar disi në momentin e parë kur superkomisioni Antikorrupsion ishte fshehur në pyllin e fjalive të Rezolutës së PS-së. Por kur doli në dritë, në vendimin e Kuvendit, e kuptuan ku flinte lepuri dhe nga ai çast nuk kanë reshtur të bëjnë të tyren për të dekurajuar çdo nismë të dyshimtë anti-SPAK. Njëkohësisht për t’u dhënë mbështetje të pandërprerë prokurorëve, gjyqtarëve dhe hetuesve shqiptarë. Kjo mbështetje, për rrethanat me të cilat po merr jetë sundimi i ligjit në Shqipëri, është si të notuarit kundër rrymës: sapo t’i lëshosh krahët, rryma të çon në pikën e nisjes.
Kasta plurale solidare është gjithnjë në përgjim të çastit të vet. Zhbërja e drejtësisë së re e ka verbuar në atë masë sa të mendojë se nuk ka gjë për të humbur. Por e vërteta është se ka shumë e shumë për të humbur. Qytetarët shqiptarë kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm që ora e drejtësisë të mos bëjë prapa. Kanë ndërgjegjësimin dhe reagimin sot. Kanë votën nesër.