Nga Lutfi Dervishi
Zgjatja e afatit për komisionet e vettingut ka mbyllur një dilemë sa i përket përfundimit të pastrimit të sistemit gjyqësor, por ka lënë të hapur pyetjen: kur do të vijë dita që drejtësia e re të jetë e aftë dhe kurajoze për të pastruar dy pushtetet e tjera (Parlamentin dhe Ekzekutivin)?
Institucionet e reja të drejtësisë të dala nga reforma sot i ngjajnë një pacienti që ka dalë nga një operacion i vështirë dhe që çapitet me patericat (e ndërkombëtarëve). Pacienti ende ka nevojë për kujdesje dhe do t’i duhet kohë t’i dalin “thonjtë”, të ecë vetë dhe të mos ketë frikë nga bubullimat e pushtetit.
Ka një pritshmëri të madhe dhe të tepruar ndaj SPAK-ut. Janë vetëm 15 prokurorë që kanë kaluar vettingun (dhe kjo nuk është pak). Kjo trupë prokurorësh ka mbështetje të madhe ndërkombëtare, por që sot për sot i “mungon” mbështetja e opinionit publik.
Nga SPAK sot kërkohet që në rrjetën e drejtësisë të bien peshqit e mëdhenj, peshkaqenët dhe balenat, por po nga ky institucion kërkohet të verë para drejtësisë çdo çështje të madhe që ka mbetur pa u zgjidhur gjatë këtyre 31 viteve!
Për çdo akuzë të madhe dhe të vogël, serioze dhe qesharake, adresa mbetet vetëm një: SPAK!
Edhe çetë profetësh të ishin, 15 prokurorët nuk mund të shfletojnë dhe të zbardhin as dosjet e reja dhe as dosjet e mykura të politikës dhe biznesit. Edhe sikur të kishin fuqi mbinjerëzore nuk do të dërgonin dot në sallën e gjyqit këdo që ka shkelur rëndë ligjin dhe besimin e publikut.
6 vitet e fundit të reformës në drejtësi kanë krijuar përshtypjen e gabuar në qeveri dhe administratë se mund të shish dhe të bësh ç’të duash dhe nuk do të kesh kurrë punë me ligjin. Aferat më të fundit si ajo e djegësave, tregojnë se personave të implikuar që sot janë në hetim apo në pushtet as që u ka shkuar në mendja se një ditë mund të përballen me ligjin!
Deri më sot, SPAK-ut i ka munguar kurajo të hetojë njerëz në pushtet, por ka dëshmuar se e ka kurajon për të hetuar ish pushtetarë. Kjo nuk është pak.
Prokurorët e SPAK, nuk janë prokurorë robot që nuk ndikohen nga ambienti ku jetojnë e punojnë. Dita që ata të hetojnë me kurajo dhe njerëzit në pushtet mund të mos jetë e largët, por pastrimin e përgjithshëm nuk mund ta bëjnë dot vetëm 15 njerëz. SPAK mund të bëjë shumë punë me kusht që të ndihmohet edhe nga ne, votuesit.
Nëse nuk reformohet sistemi politik për të pastruar elitën politike me votë do të jetë shumë e vështirë për të bërë “kërcimin e madh”! Studiuesi Fabian Zhilla sugjeron me të drejtë që duhen krijuar mundësi edhe për të reformuar sistemin politik që të bëhet e mundur që fshesa e drejtësisë të hyjë edhe aty. (Kosova është një rast i mirë se si me votë ndërrohet jo vetëm qeveria, por edhe elita politike. Në Kosovë kriza zgjidhet me zgjedhje, ndërsa këtu zgjedhjet shihen si ftesë për t’u futur në krizë).
Nëse sistemi politik reformohet dhe vota e votuesve sjell ndryshim atëherë si hap i parë ish ministra dhe ish zyrtarë të lartë do të përballen shumë shpejt me ligjin. SPAK-ut tani i mungon kurajo për të hetuar ministra, por ka kurajo për të hetuar ish ministra.
“Pazari” është i thjeshtë. Publiku bën rotacionin dhe SPAK bën drejtësi. Përndryshe do të duhen dekada për të pastruar politikën.
Ne nuk jemi as Austri dhe as Britani e Madhe. Jemi vend i vogël me shumë probleme të vogla. I përmenda këto dy shtete për shkak të kurajos që ka policia (e jo më prokuroria e gjyqësori) në këto vende.
Ditën që policia në Austri bastisi zyrën e kancelarit dhe zyrën e partisë tij, guximi i kryepolicit në Tiranë shkonte deri te shkrimi i një letre falenderimi për kryeministrin! Nëse i referohemi rastit të ditëve të fundit të kryeministrit britanik Boris Xhonson që po hetohet nga policia për shkelje të rregullave të Covid-it, e kupton se rruga përpara është e gjatë, por rastet e fundit janë shpresëdhënëse: nëse publiku ndëshkon me votë zullumin, drejtësia e re e ka më të lehtë të bëj drejtësi me atë që nuk është në pushtet. Për momentin kjo nuk është pak!.