• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, March 28, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

SPAK, ndarja e roleve të prokurorëve nga gjyqtarët, urgjencë e demokracisë

by Carlo Bollino
06/02/2026 18:11
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Carlo Bollino

Sot, për herë të parë, SPAK-u ka ndier nevojën të publikojë një mesazh në rrjetet sociale ku shkruan: “SPAK vepron në mënyrë të pavarur dhe heton çështje të bazuara në prova”. Reagim i tillë, për një institucion që vazhdon të gëzojë një konsensus të madh nga opinioni publik, tregon njëfarë nervozizmi pas akuzave të përsëritura se është shndërruar në një instrument represiv, që abuzon me paraburgimin dhe ku raporti mes prokurorisë dhe gjyqtarëve është aq i ngushtë sa në fakt mohon ndarjen e dy roleve.

Së pari duhet sqaruar se me siglën SPAK nuk nënkuptohet vetëm Prokuroria e Posaçme, por edhe GJKKO (pra gjyqtarët e shkallës së parë dhe të apelit) dhe BKH, që është policia gjyqësore. Ky duket si një lapsus i atyre që ideuan reformën, sepse një strukturë kaq e rëndësishme bashkon nën të njëjtën sigël akuzën (prokurorinë), policinë gjyqësore (që varet nga prokuroria) dhe gjyqtarët, të cilët sipas Kushtetutës duhet të ishin të pavarur nga të gjithë.

Pikërisht këtu qëndron thelbi i problemit. Sot askush nuk vë në dyshim përpjekjen e prokurorisë për të mbledhur prova në mbështetje të akuzave të saj, dhe askush nuk beson vërtet (përveç Sali Berishës) se prokurorët varen nga ndonjë forcë politike. Ajo që shumëkush vë në dyshim, deri në pikën që ngre pikëpyetje për funksionimin e reformës në drejtësi, është roli i gjyqtarëve te GJIKKO dhe aftësia (apo mundësia) e tyre për të marrë vendime edhe kundër vullnetit të prokurorëve.

Si media, prej kohësh i kemi kërkuar SPAK-ut të na japë të dhëna statistikore mbi numrin e vendimeve me të cilat gjyqtarët e GJKKO-s kanë refuzuar kërkesat për arrest të prokurorisë, kanë lehtësuar masat ndëshkuese, si dhe mbi numrin e vendimeve me të cilat shkalla e parë apo apeli kanë injoruar mendimin e prokurorisë. Deri tani këto të dhëna te qarta nuk na janë dhënë, duke ushqyer dyshimin se edhe statistikat tregojnë një varësi jo të shëndetshme të gjyqtarëve nga prokuroria. Fakti që ish-prokurori Altin Dumani në një deklaratë publike tha se “gjyqtarët i pranojnë gjithmonë kërkesat tona”, e forcon këtë dyshim.

Dhe ky nuk është një dyshim i vogël. Sepse nëse roli i prokurorit është të mbrojë akuzën dhe roli i avokatit është të mbeshtesë mbrojtjen, vlera supreme e gjyqtarit është të vendosë me neutralitet maksimal se kush ka të drejtë. Liria e një individi është një vlerë absolute dhe kushtetuese, që mund të kufizohet vetëm përballë përgjegjësive të rënda dhe të vertetuar dhe për një kohë të arsyeshme, proporcionale me fajin. Por nëse arbitri i një ndeshjeje mban anën e njërës skuadër (madje edhe nga frika e reagimit të saj), atëherë ndeshja është e manipuluar.

Është e kuptueshme që një prokurori që për herë të parë në historinë e Shqipërisë guxon të prekë pushtetet e forta të vendit, të përballet me kritika. Më pak e kuptueshme është që këto kritika t’i marrin edhe gjyqtarët (sidomos ata të apelit), të cilët, në vend që të shfaqen si garantë të drejtësisë, dallohen tashmë për faktin se konfirmojnë pa asnjë surprizë vendimet e shkallës së parë, të cilat nga ana e tyre janë konfirmim i kërkesave të prokurorisë.

Situata bëhet akoma më e rëndë kur prokuroria dhe gjyqtarët fillojnë të bashkëpunojnë me media të komprometuara, të cilave u japin dokumente të rezervuara për t’u hakmarrë ndaj kritikave (dhe ndonjëherë për t’u përdorur për gjoba), duke u deleguar atyre edhe mbrojtjen e vet. SPAK-u nuk mund të mendojë se mund ta mbajë të pastër imazhin e vet duke përdorur këto plehra mediatike.

Rreth SPAK-ut është krijuar një mit, i cili, për të qëndruar në nivelin e pritshmërive të mëdha që ka ngjallur, duhet të garantojë standarde maksimale neutraliteti, ekuilibri, transparence dhe pavarësie absolute. Kur flasim për pavarësi, natyrisht, duhet të nënkuptojmë pavarësinë nga politika, jo nga kontrolli gjyqësor. Me fjalë të tjera, edhe SPAK-u, si çdo institucion kushtetues, duhet t’i nënshtrohet kontrollit, natyrisht plotësisht të pavarur. Edhe aktet e Presidentit të Republikës janë nën kontroll dhe i nënshtrohen verifikimit nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa veprimet e Kreut të Shtetit mund të gjykohen nga Parlamenti. Po kush e kontrollon sot SPAK-un? Kush e kontrollon kontrolluesin?

Ligji nr. 65, me të cilin u krijua SPAK-u në vitin 2016 (i përbërë pra nga Prokuroria e Posaçme, BKH dhe GJKKO), përcakton se SPAK kontrollohet vetëm nga SPAK. Kjo nuk ndodh në asnjë sistem gjyqësor perëndimor. Prokurorët e SPAK-ut përdorin agjentë të BKH-së, të cilët janë oficerë të policisë gjyqësore të zgjedhur nga radhët e policisë dhe që varen drejtpërdrejt nga SPAK-u. Një oficer i BKH-së, me mandat gjashtëmujor, ka të drejtë të përgjojë telefonata, email-e dhe çdo lloj komunikimi, madje edhe aktivitete private të prokurorëve, eprorëve të tij por edhe gjyqtarëve duke bashkëpunuar edhe me SHISH-in. Gjatë mandatit të tij, ai mbledh një sasi të madhe informacionesh personale, duke krijuar pa dashje mundësi për presion dhe shantazh. Ligji nuk përcakton se kush e kontrollon oficerin e BKH-së gjatë këtij mandati.

Pra, një prokuror i SPAK-ut dhe një oficer i BKH-së, të dy me mandate të përkohshme, kanë pushtetin të monitorojnë korrektësinë e prokurorëve, policëve gjyqësorë dhe, mbi të gjitha, të gjyqtarëve. Pikërisht nga kjo gjendje absurde lind nënshtrimi i gjyqtarit ndaj kontrollit të prokurorit, duke zhdukur neutralitetin e tij. Është e çuditshme që deri tani asnjë gjyqtar i GJKKO-s nuk ka guxuar të ankohet për këtë nënshtrim, duke preferuar të jetojë në një pozitë vartësie por që tradhton rolin e tij kushtetues si garant për qytetarët.

Por nëse ata nuk reagojnë, i takon politikës të marrë masa jo për të prekur funksionet e prokurorëve, por për t’i ndarë ata nga çdo lloj ndikimi mbi gjyqtarët, sepse në një vend demokratik është gjithmonë më mirë të kesh njëqind fajtorë të lirë sesa një të pafajshëm të vetëm në burg.

Next Post
Mbetjet toksike të Kurum/ Gjykata e Durrësit lë në burg 8 të arrestuar, 5 në arrest shtëpie, 7 detyrim paraqitje

Mbetjet toksike të Kurum/ Gjykata e Durrësit lë në burg 8 të arrestuar, 5 në arrest shtëpie, 7 detyrim paraqitje

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

13-vjeçari në Shkodër terrorizon lagjen, dhunon bashkëmoshatarët dhe grabit të moshuarit

13-vjeçari në Shkodër terrorizon lagjen, dhunon bashkëmoshatarët dhe grabit të moshuarit

March 27, 2026
Detajet, çfarë pritet të ndodhë nesër në mbledhjen e Ramës me kabinetin dhe grupin e PS? 

Detajet, çfarë pritet të ndodhë nesër në mbledhjen e Ramës me kabinetin dhe grupin e PS? 

March 27, 2026
Izraeli po ndërton 32 pika ushtarake brenda Rripit të Gazës

Izraeli po ndërton 32 pika ushtarake brenda Rripit të Gazës

March 27, 2026
“Ilir Meta në paraburgim pa asnjë dosje”/ Deklarata e zv.kryeministrit maqedonas, reagon Ambasada Shqiptare në Shkup

“Ilir Meta në paraburgim pa asnjë dosje”/ Deklarata e zv.kryeministrit maqedonas, reagon Ambasada Shqiptare në Shkup

March 27, 2026
Arben Meçe: Berisha përjashton kundërshtarët nga PD për të mbrojtur mitin e tij

Arben Meçe: Berisha përjashton kundërshtarët nga PD për të mbrojtur mitin e tij

March 27, 2026
Ambasada gjermane dënoi dhunën e PD, Berisha: Ne s’bëmë gjë! Dhunë përdori policia

Rezart Kthupi: Statuti i PD është ai që thotë Sali Berisha, jo ai i regjistruar në gjykatë

March 27, 2026
Drejtuesit politik të PS, Andoni: PD në Fier e ka të vështirë! Me kandidimin jashtë liste, Rama i dha një mësim opozitës

Etika e Frashërit dhe Gjadrit për ambicien?!

March 27, 2026
Përplasja Trump–Netanyahu dhe frika për zgjerimin e konfliktit në luftën me Iranin

Përplasja Trump–Netanyahu dhe frika për zgjerimin e konfliktit në luftën me Iranin

March 27, 2026
Balla takim me zv.Presidentin e Parlamentit të Landit të Bavarisë: Mirënjohje për mbështetjen ndaj Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian

Balla takim me zv.Presidentin e Parlamentit të Landit të Bavarisë: Mirënjohje për mbështetjen ndaj Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian

March 27, 2026
Inteligjenca europiane: Rusia furnizon Iranin me dronë për sulme ndaj SHBA-ve dhe Izraelit

Inteligjenca europiane: Rusia furnizon Iranin me dronë për sulme ndaj SHBA-ve dhe Izraelit

March 27, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In