SPAK ka kërkuar ditën e djeshme kontrolle në burgun e Durrësit për aparate telefonike.
Kontrollet janë kryer në qelitë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe ish ministrit, Ilir Beqaj.
Burimet për Top Channel bëjnë me dije se kërkesa e prokurorëve të posaçëm drejtuar policisë së burgjeve erdhi pas përplasjeve të disa ditëve më parë në Gjykatën Administrative, ku kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj ka kërkuar pavlefshmërinë e emërimit të prokurorit Ols Dado në detyrë.
Sipas Veliajt, Dado nuk ka përfunduar shkollën e Magjistraturës (kërkesë e ligjit kjo) dhe për rrjedhojë nuk duhet të ishte emëruar prokuror në vitin 2008. Këtë fakt e konfirmoi edhe përfaqësuesja e Presidencës në gjyq, e cila tha se nëse Dado do të ishte propozuar sot si prokuror, ai nuk do të ishte emëruar.
Mësohet se gjatë kontrolleve është gjetur një aparat celular në godinën tjetër, jo në atë ku ndodhen Veliaj dhe Beqaj. Po ashtu, në kontrollet e djeshme SPAK ka kërkuar edhe listën e emrave të personave që kanë takuar Veliajn në burg.











