Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard &Poor’s ka konfirmuar vlerësimin aktual në “B+” për Shqipërinë, duke e cilësuar ekonominë me perspektivë “të qëndrueshme”.
Sipas konstatimit të agjencisë që e ndau në rrjetet sociale Ministria e Finanacave Delina Ibrahimaj, Standard &Poor’s parashikon se rritja reale pas një rikuperimi solid në vitin 2021, edhe pse do të ngadalësohet në vitin 2022, do të rimëkëmbet në vijim.
Kjo rritje thuhet në vlerësimin e Standard & Poor’s do të vijë kryesisht prej investimeve të larta, si dhe një kërkese të brendshme e të huaj më të fortë.
Për shkak të disa goditjeve të jashtme me të cilat është përballur Shqipëria vitet e fundit, agjencia pret që konsolidimi fiskal do të jetë disi më gradual.
Me rëndësi agjencia vlerëson pritshmëritë që borxhi publik të stabilizohet dhe të vijojë të ulet në vitet në vijim, deri sa ai të arrijë dhe qëndrojë nën nivelin 45% të PBB.
Agjencia vëren se inflacioni në Shqipëri është rritur në nivelin më të lartë që nga viti 1999, duke arritur në 7.4% në Qershor, megjithatë, ai mbetet i ulët në krahasim me rajonin.
Sipas Standard & Poor’s inflacioni edhe për vitin 2022 do të mbetet i lartë, mesatarisht në 6.4%, por pritet që ai të kthehet gradualisht rreth nivelit të targetuar prej 3%, për shkak të shtrëngimit të politikës monetare edhe presioneve të dobësuara të çmimeve nga jashtë./m.j