Në një klimë tensioni politik, Kuvendi pritet të zhvillojë sot në 12 mars një nga seancat më të debatueshme të muajve të fundit, ku në rend dite është shqyrtimi i kërkesës së Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit për heqjen e lirisë apo jo të deputetes socialiste Belinda Balluku.
Kjo kërkesë, e cila ndodhet në Kuvend që prej 16 dhjetorit të vitit të kaluar, pritet të marrë një përgjigje përfundimtare përmes votimit të dy raporteve të paraqitura nga shumica dhe opozita.
Debati politik është i ndarë qartazi në dy kampe. Nga njëra anë qëndron shumica socialiste, e cila ka hartuar raportin e saj duke argumentuar se arrestimi i ish zv kryeministres nuk është i domosdoshëm në këtë fazë të hetimit. Socialistët theksojnë se Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive në qeveri, pasi është larguar nga posti i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe nga roli i zëvendëskryeministres.
Sipas tyre, në këto kushte nuk ekziston rreziku që ajo të ndikojë në hetime, të manipulojë prova apo të largohet nga vendi. Për më tepër, ata argumentojnë se hetimi mund të vijojë normalisht nga SPAK pa qenë e nevojshme masa e arrestit me burg. Për të rrëzuar kërkesën e SPAK, shumicës i mjaftojnë të paktën 71 vota në sallën e parlamentit.
Në anën tjetër, opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike mban një qëndrim krejt të kundërt. Demokratët insistojnë se Kuvendi duhet të japë autorizimin për arrestimin e Ballukut, duke argumentuar se edhe pse ajo nuk mban më poste qeveritare, vazhdon të ketë ndikim politik dhe institucional që mund të përdoret për të intimiduar dëshmitarë apo për të ndërhyrë në prova. Sipas tyre, heqja e imunitetit parlamentar dhe lejimi i arrestimit është një hap i domosdoshëm për të garantuar një hetim të pavarur dhe të pakushtëzuar.
Raporti i opozitës është dorëzuar i pari dhe pritet të paraqitet në seancën plenare nga deputeti Oerd Bylykbashi, i cili është anëtar i Këshillit të Mandateve nga radhët e Partisë Demokratike. Ai do ta lexojë raportin në vend të kreut të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, i cili nuk do të jetë i pranishëm për shkak të përjashtimit nga Komisioni i Etikës. Ndërkohë, raporti i shumicës do të paraqitet nga ministri i Drejtësisë dhe deputeti socialist Ulsi Manja.
Një element tjetër që shton interesin për këtë seancë është fakti se ende nuk dihet nëse vetë Belinda Balluku do të marrë pjesë në seancë apo nëse do të përdorë të drejtën e saj për të mbajtur një fjalë para deputetëve.
Ndërkohë, tensioni nuk pritet të mbetet vetëm brenda sallës së parlamentit. Paralelisht me zhvillimin e seancës plenare, opozita ka paralajmëruar një protestë jashtë godinës së Kuvendit. Tubimi do të nisë në të njëjtën kohë me seancën dhe do të përfundojë me mbylljen e saj. Organizatorët kanë deklaruar se protesta do të jetë simbolike dhe nuk është parashikuar skenar ngujimi apo bllokimi të institucionit.
Nga ana tjetër, strukturat e rendit kanë marrë masa të shtuara sigurie për të garantuar mbarëvajtjen e seancës dhe të protestës. Policia ka rrethuar godinën e Kuvendit me barriera metalike dhe ka planifikuar një plan të detajuar për menaxhimin e turmës dhe ruajtjen e rendit publik.
Kërkesa e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut u paraqit në dhjetor, pasi më herët ndaj saj ishte vendosur masa e pezullimit nga detyrat qeveritare dhe ndalimi për të dalë jashtë vendit. Ajo është aktualisht e pandehur në dosjen që lidhet me ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe njëkohësisht po hetohet për disa procedura tenderimi, përfshirë shtatë lotet e projektit të Unazës së Madhe dhe tenderin për ndërtimin e rrugës Thumanë–Kashar, si dhe dy procedura të tjera që janë pjesë e hetimeve.
Seanca e sotme pritet të jetë vendimtare për fatin e kërkesës së SPAK dhe mund të shënojë një tjetër përplasje të fortë politike mes mazhorancës dhe opozitës, në një moment kur tensionet mes palëve janë në rritje. Rezultati i votimit do të përcaktojë nëse Kuvendi do t’i japë apo jo dritën jeshile arrestimit të deputetes socialiste.











