Këshilltari i madhërishëm i diplomacisë amerikane flet për Putin, rendin e ri botëror – dhe domethënien e ardhjes së Trump në skenë.
Edhe pse 95 vjeç, Henry Kissinger, këshilltari i madhërishëm i diplomacisë amerikane, ka dëshirë të flasë. Ai hipën e zbret avionët për të parë sesi ngjan Rusia e Vladimir Putin dhe Kina e Xi Jinping me po aq zell sikundër luante lojën e shahut botëror si mjeshtri-diplomat i Riçard Niksonit. Atij i pëlqen të jetë në brendësi të gjërave. Por, nëse është e lehtë të bisedosh me të, është e vështirë ta bësh të thotë se çfarë mendon vërtet.
Kështu e nis intervistën me Henry Kissinger, gazeta “Financial Times”, duke shtuar se Kissinger është si ai orakulli, madhështia e të cilit përkon me padeshifrueshmërinë e tij. Por, gazeta ia vuri synim vetes ta bëjë atë të flasë, e sidomos të shprehet se çfarë mendon vërtet për Donald Trump.
Koha është perfekte. Biseda ndodh pikërisht ditën e takimit në Helsinki midis Trump dhe Putin – një samit që mjedisi amerikan i politikës së Jashtme beson se është ndër pikat më të ulëta në diplomacinë amerikane. Trump ka bërë të pamendueshmen duke mbështetur protestat e Putin për pafajësi në sabotimin e zgjedhjeve duke marrë anën e tij mbi atë të agjencive sekrete të vendit të tij. Më pas, Trymp u përpoq të ç’bënte këtë bëmë, duke këmbëngulur në një lojë fjalësh. Por, është shumë vonë për këtë shfajësim. “The New York Daily News” doli me titullin thirrës: “Tradhti e hapur” pranë një karikature të Trump që qëllon xhaxha Semin në kokë ndërsa mban Putin përdore. Nuk kishte moment më të mirë për ta nxjerrë Kissinger nga tempulli i tij i Delfit.
Gjeopolitika rëndon mbi Kissinger. Si bashkë-arkitekt i marrëdhënieve miqësore me Kinën në Luftën e Ftohtë dhe ç’tensionues me Bashkimin Sovjetik, Kissinger tashmë vëzhgon një botë në të cilën si Kina ashtu dhe Rusia po sfidojnë rendin botëror të Shteteve të Bashkuara, shpesh në bashkëpunim me njëra-tjetrën.
Por, ylli i diplomacisë së luftës së Ftohtë është po aq i interesuar në të ardhmen, sa ishte edhe në të kaluarën. Këtë vit, ai shkroi një artikull drithërues për inteligjencën artificiale, ku e krahasonte njerëzimin e sotëm me Inkasit përpara mbërritjes së fruthit dhe spanjollëve. Ai apelonte krijimin e një komisioni presidencial për Inteligjencën Artificiale. “Nëse nuk e nisim këtë përpjekje shpejt, nuk do vonojë të zbulojmë se e kemi nisur shumë vonë”, dilte ai në përfundime.
Gazetari kërkon të flasë për Trump, por Kissinger dëshiron të fokusohet tek Britania. I pyetur për lordin Karrington, ish-sekretarin britanik të Jashtëm, i cili dha dorëheqjen në vitin 1982 pasi dështoi të ndalonte pushtimin e ishujve Falklands nga Argjentina, dhe i cili ndërroi jetë këtë muaj në moshën 99-vjeçare.
“E doja lordin Karrington”, thotë Kissinger me ndjenjë. “Kurrë nuk shkoja në Angli pa e takuar”. Në të gjitha vitet e miqësisë së tyre, Karrington nuk u ankua një herë të vetme se iu desh të jepte dorëheqjen, thotë Kissinger. Ai më thoshte: “Çfarë kuptimi ka nëse merr përgjegjësinë e më pas u pëshpërit miqve se nuk je vërtet përgjegjës? Nuk mendoj se e kemi më këtë cilësi për shkak se ka nevojë për traditën që e merr të mirëqënë dhe ne nuk e kemi më këtë”. Boris Johnson me siguri që nuk e ka këtë cilësi? “Nuk mendoj se Karrington kishte ndonjë farë mendimi për Johnson”, përgjigjet Kissinger.
Çfarë mendon Kissinger për takimin e Helsinkit? Përgjigja të ndal në vend.
“Ishte një takim që duhej të ndodhte. Unë e kam kërkuar për disa vjet, por gjithçka është anashkaluar nga çështjet e brendshme amerikane. E sigurtë, është një mundësi e humbur. Por unë mendoj se do të dalë me diçka. Shihni Sirinë dhe Ukrainën. Është karakteristikë e Rusisë që trazirat në pothuajse çdo cep të botës e ndikojnë atë, i japin një mundësi dhe po ashtu perceptohen si kërcënim. Këto trazira do të vazhdojnë. Kam frikë se do të përshkallëzohen”.
Kissinger nis të përshkruajë tolerancën “pothuajse mistike” të Rusisë ndaj vuajtjes. Pika e tij kyçe është që Perëndimi supozoi gabimisht përpara aneksimit të Krimesë nga Putin, se Rusia do të përshtaste për veten rendin perëndimor të sundimit të ligjit. Nato e lexoi gabim etjen e thellë të Rusisë për respekt.
“Nuk mendoj se Putin është një personazh si Hitleri”, thotë Kissinger. “Ai ka dalë nga Dostojevski”.
Gazetari mendon sesi ta çojë sërish bisedën tek Trump. A mos ndoshta ne e nënvlerësojmë Trump – që në fakt, Trump mund të na bëjë shërbimin sekret të qetësimit të ariut rus? Pas një pauze, Kissinger përgjigjet:
“Nuk dua të flas shumë për Trump për shkak se në një farë pike pike, më duhet ta bëj në një mënyrë më koherente sesa kjo”.
“Mendoj se Trump mund të jetë një nga ato figura në histori që shfaqen kohë pas kohe për të shënuar fundin e një epoke dhe për ta detyruar atë të dorëzojë pretendimet e veta. Kjo nuk do të thotë se ai është i ndërgjegjshëm për këtë, apo se ai e konsideron një alternativë madhështore. Mund të jetë thjesht një aksident”.
Me kë mund të krahasohet Trump në histori? Edhe kjo pyetje nuk ecën. Kissinger bën një tur të shëndetit të diplomacisë evropiane. Ai nuk mund të gjejë një lider që e ngazëllen, me përjashtimin e mundshëm të Emmanuel Macron të Francës. “Midis shtetarëve të tjerë europianë, Angela Merkel është shumë lokale. Unë e pëlqej personalisht dhe e respektoj, por ajo nuk është një figurë transhedentale”.
Çfarë do të bëhej Gjermania nëse Trump e nxjerr Amerikën jashtë Natos? Kissinger refuzon të japë gjasat për një gjë të tillë. “Në vitet 1940, liderët europianë kishin një ndjesi të qartë drejtimi”, thotë ai. “Tani, ata më së shumti duan të shmangin telashet”. Ata nuk po bëjnë punë të mirë, apo jo? “Kjo është e vërtetë”, me një buzëqeshje të padeshifrueshme. “Një gjerman me ndikim më tha së fundmi, se ai gjithmonë i përkthente tensionet me Amerikën si mënyrë për t’u larguar nga Amerika, por tani ai e ndjen veten më të frikësuar nga një botë pa Amerikën”. Kështu, a mundet që Trump po trondit pjesën tjetër të Perëndimit për të qëndruar në këmbët e veta? “Nuk është e pamundur”, përgjigjet Kissinger.
Alternativa, shton ai, nuk është tërheqëse. Një ndarje Atlantike do ta kthente Europën në “një apendesit të Euroazisë”, që do të ishte nën mëshirën e një Kine që dëshiron të rikthejë rolin e saj historik në Mbretërinë e Mesme dhe të jetë “këshilltari kryesor i gjithë njerëzimit”. Tingëllon sikur Kissinger beson se Kina është në rrugën për ta arritur qëllimin e saj. Amerika, ndërkohë, do të shndërrohej në një ishull gjeopolitik, mes dt oqeaneve gjigandë dhe pa një rend të bazuar tek ligji për ta ruajtur. Një Amerikë e tillë do të duhet të imitojë Britaninë viktoriane por pa zakonin e mbajtjes së pjesës tjetër të botës të ndarë – siç bëri Britania me kontinentin evropian.
Kissinger është shumë më dyshues ndaj Inteligjencës Artificiale – një temë, pranon ai, që e mundon. Por, ai është i shqetësuar nga pasojat e panjohura të një lufte të tillë- një botë në të cilën makinat marrin vendime etike. “Gjithçka mund të bëj në pak vite që më kanë mbetur, është të ngre çështje të tilla”, thotë ai. “Unë nuk pretendoj se kam përgjigjet”.
Pyetja e radhës është pak me spec. A është pushteti një afrodiziak? Gazetari citon fjalinë e famshme të Kissinger në pikun e karrierës së tij kur ishte ende beqar. Në fund të viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970, ai ishte po aq i njohur për kalendarin e takimeve të tij sa edhe për çështjet shtetërore. “Do të thoja me siguri se të qënit në gjendje të marrësh vendim ka një dimension që nuk e ke në jetën e zakonshme”, përgjigjet Kissinger duke fshehur buzëqeshjen.
Biseda është drejt fundit. Nëse ka ndonjë gjë për të cilën Kissinger kritikohet vazhdimisht është se ai përpiqet shumë të ruajë eksesin tek njerëzit në pushtet në dëm të daljes me deklarata publike të hapura. A s’është tani koha – nga të gjitha momentet – e duhura për të djegur ndonjë urë?
Kissinger duket i rënduar.
“E marr seriozisht këtë gjë dhe shumë njerëz, miq të mi, më kanë kërkuar ta bëj këtë”, thotë ai. “Mund të ndodhë në një farë pike”. Nuk ka kohë më të mirë sesa e tashmja, këmbëngul gazetari. “Ju jeni i shqetësuar për të ardhmen. Sidoqoftë, ju besoni se ka një mundësi që Trump aksidentalisht të na trembë duke na bërë që të rishikim rendin bazuar mbi sundimin e ligjit që e marrim kaq të mirëqënë. A është kjo një përmbledhje e drejtë?”.
“Mendoj se jemi në një periudhë shumë shumë të rëndë për botën”, përgjigjet Kissinger. “Kam zhvilluar samite të panumërta, kështu që nuk e mësuan nga unë këtë të Helsinkit”.
Është e qartë që ai nuk do të shprehet më tutje. Gazetari e pyet se me cilën periudhë do ta përngjasonte këtë të sotmen. Kissinger flet për përvojën e tij si një qytetar i ri amerikan me uniformë që shërbente në luftën e Dytë Botërore. Ai po ashtu kujton se çfarë e solli refugjatin e njomë gjerman në këto brigje. Pasi Gjermania marshoi në Austri në vitin 1938, hebrenjve në qytetin e lindjes së Kissinger iu thanë të qëndronin brenda shtëpive. Prindërit e tij u larguan për në Amerikë sapo mundën. “Kishte shtetrrethim dhe ushtarë gjermanë gjithandej”, thotë ai. “Ishte një përvojë traumatike që nuk m’u nda asnjëherë”. Edhe reminishencat e tij janë të zgjedhura me kujdes.