Opozita zhvillon këtë të martë (10 shkurt) protestën kombëtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Pas njoftimit nga ana e demokratëve, Policia e Shtetit ndërmori një plan masash për mbarëvajtjen e protestës e cila do të mbahet në orën 18:00 përpara Kryeministrisë.
Gazetarja Lusi Përgjegji në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Mirëmëngjes Shqipëri” bëri me dije rreth 1530 forca policore do të jenë në gatishmëri për të siguruar gjithë mbarëvajtjen e protestës, autobote dhe gjithashtu gaz lotsjellës në rast se do të ketë përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Përgjegji thekson se pas njoftimit të marrë nga opozita, Policia e Shtetit i është drejtuar me një shkresë PD-së ku i ka kërkuar përcaktimin e orarit të përfundimit të protestës. Po ashtu, në shkresën e Policisë, PD-së i kërkohet moslejimi i personave të maskuar gjatë protestës kombëtare, pasi kjo do e vështirësonte punën për identifikimin e tyre në rast se këta persona përfshihen në akte dhune apo përplasje.
“Opozita ju drejtua sërish Policisë së Shtetit për ta njoftuar për protestën që do mbajë në orën 18:00. Dhe kësaj here PD nuk ka vendosur një orar kur do përfundojë protesta. Policia e shtetit i është drejtuar me një shkresë zyrtare PD-së që të përcaktojë qartë orën e përfundimit të protestës dhe ju ka bërë të qartë edhe njëherë se nuk do të lejohen në protestë persona të maskuar pasi kjo do e bënte të vështirë për policinë e shtetit të identifikojë personat që shkaktojnë akte dhune apo përplasje.
Do jenë në terren 1530 forca policore në gatishmëri për të siguruar gjithë mbarëvajtjen e protestës, autobotet dhe gaz lotësjellës”, deklaroi Përgjegji. Kjo e fundit sqaroi ndërkaq se, që prej mbrëmjes së djeshme (9 shkurt) është ndaluar parkimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa duke nisur nga dita e sotme në orën 13:00 do të ndalohet dhe qarkullimi i tyre.
Policia e Tiranës ka njoftuar masat e sigurisë dhe kufizimet në trafik në prag të protestës së thirrur nga Partia Demokratike për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit dhe sigurinë publike.
Sipas njoftimit zyrtar, kufizimet do të jenë në dy faza:
Nga dje, ora 23:45, eshte ndaluar parkimi dhe qarkullimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, konkretisht në segmentin nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.
Sot (ditën e protestës), nga ora 15:00, do të bllokohet totalisht qarkullimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (nga Ministria e Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”).
Gjithashtu, nga ora 15:00 do të jenë të pakalueshme edhe rrugët lidhëse:
Rruga “Ukraina e Lirë”
Rruga “Papa Gjon Pali II”
Rruga “Ismail Qemali”











