Klaudia Pepa, balerina e talentuar shqiptare apo “signorina wow”, sikurse e kanë quajtur anëtarët e jurisë së spektaklit “Amicci”, sot konkurron në natën finale si pretendente për çmim të parë. Në 16 shkurt 2015 Klaudia Pepa refuzoi bluzën, sepse donte të ecte përkrah konkurrentëve të tjerë tek “Amicci”. Sonte në mbrëmje, gara e saj tek “Amicci” do të bëjë që të rrahin fort zemrat e shumë shqiptarëve dhe jo vetëm. Në faqen e saj në “Facebook” vetëm pak orë para ndarjes së çmimit të madh shkruan: “Për ne shqiptarët dielli lind andej nga perëndon.
Perëndimi ynë fillon me Italinë të cilën e ka pasur dhe e ka si yll udhërrëfyes në rrugën e përparimit. Popujt, njëlloj si njerëzit kanë fatet e tyre. Disa i përkëdhel, disa i udhëheq, disa të tjerë i vë në provë, madje i dënon. Te këta të fundit bën pjesë dhe populli ynë, i cili në këtë rrugë sprove është gjymtuar, por njëkohësisht dhe është kalitur. Shqiptarët dhe italianët janë dy popuj miq. Ujërat e Adriatikut që lagin dy brigjet tona e bekojnë këtë miqësi. Artistët janë misionarë vizionarë të kësaj miqësie. Ata flasin me gjuhën e vlerave dhe përcjellin mesazhin e dashurisë dhe solidaritetit.
Ky mesazh qëndron me këmbë të vendosura tek e sotmja, me peshën e rëndë të së shkuarës dhe me vizion nga e ardhmja. Të gjithë kemi ardhur në këtë botë si krijesa të Zotit, pavarësisht nga etnia, kombi, raca apo besimi, sepse të gjithë i rëndojmë njëlloj kësaj toke nga e cila kemi lindur e ku do të shkojmë. Çfarë mund të ndajmë si dhuratë të ndërsjellë përveç miqësisë dhe dashurisë?
Kush ka dashuri në shpirt ka pasurinë më të madhe, e cila ia lumturon të sotmen dhe ia siguron të ardhmen. Mjerë ai të cilit i mungon kjo vlerë dhe që në duart e pastra të engjëllit rrit thonjtë e djallit. Klaudia vjen nga ai vend të cilin fati e dënoi me të shkuarën, por vizioni i këtij populli është me sytë nga e ardhmja. Kjo e ardhme u takon njerëzve të talentuar. Unë jam një ndër ta. E rëndësishme është çfarë bëjnë dhe jo nga vijnë. “Amicci” është arenë e talenteve, të cilat i mban në gjirin e vet njëlloj si deti perlat që nuk harron që papastërtitë t’i flakë brigjeve”.
Mënyrat e votimit për Klaudia Pepën janë katër:
1- Nëpërmjet internetit, nga adresa “Wittytv”. Për të votuar duhet të bëni regjistrimin në adresën e Mediaset-it. Mjafton vetëm adresa juaj e “e-mail”-it dhe një kod që arrin në postën e “e-mail”-it.
2- Nëpërmjet aplikacionit në “smart-phone” që shkarkohet falas “Mediaset connect”. Regjistrimi bëhet nëpërmjet aplikacionit.
3- Nëpërmjet sms-ve në numrin 47300 në kodin e Klaudias, që do të jepet “live” në finale. Kostoja e sms-ve është € 0.16 dhe mund të votoni 5 herë.
4- Nëpërmjet Twitter, duke taguar adresën e “Amicc”-it me hashtag#AmicciUfficiale dhe me kodin e Klaudias. Që votat të jenë të vlefshme duhet të bëni konformizmin e llogarisë suaj, duke dërguar në nr. 34241114455 emrin që përdorni në Twitter. /Shekulli/









