Fillon kalvari për njerëzit që bënë Kumanovën. Ka nisur procesi gjyqësor kundër të arrestuarve në “konfliktin e Kumanovës”, ndërsa prokuroria do të fillojë të marrë deklarata nga të arrestuarit në burgun e Shutkës, kurse më pas do të vazhdojë edhe në burgun e Prilepit dhe Manastirit. Sipas mediave maqedonase, avokatët janë ankuar për shkak se prokuroria deri më tani nuk u ka afruar asnjë detaj lidhur me përmbajtjen e aktakuzës me arsyetim se pa i grumbulluar deklaratat e të arrestuarve, një gjë e tillë nuk është e mundur. Ndërkohë që ekspertë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të angazhohen në përgatitjen e mbrojtjes së shqiptarëve të arrestuar gjatë këtij konflikti, por edhe për dëmet që pësuan banorët e lagjes.
Angazhimi i tyre do të bëhet përmes Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve. Në konfliktin e Kumanovës humbën jetën tetë policë dhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur, ndërsa mbetën të plagosur dhjetëra të tjerë. 30 prej grupit të armatosur u dorëzuan. Zyrtarisht, në këtë rast janë ngritur padi ndaj 33 personave.