Sot është 22 maj. Pas një muaji do të shkojmë në votime. Në bazë të Kodit Zgjedhor, sot fillon zyrtarisht fushata elektorale. Pra që sot do të shohim në lajme apo kronika televizive, sesi do të matet me sekonda koha e mitingjeve, takimeve e dëgjesave të kandidatëve e kryetarëve të partive. Politika shqiptare do të hyjë nën kronometrim. Kohor, të kuptohemi. Jo financiar, as etik. Do të jenë po ato fjalë, po ato premtime, veçse “me masë”. Mbi të gjitha, do të harxhohen shumë para.
Shqipëria përgatitet të hyjë në një fushatë zgjedhore zyrtare, ku njëra palë, ajo në qeveri, po fillon të ndjejë seriozisht lodhjen nga pushteti, kurse pala tjetër nuk arrin të fitojë asgjë nga pozita e fjetur e kundërshtarit. Po hyjmë gjithashtu në një fushatë ku paratë për fitimin e një bashkie, nuk do të justifikonin kurrsesi buxhetin e asaj bashkie, për të gjitha vitet e mandatit. Po hyjmë në një fushatë të pasur, që konsumohet në rrugët, qyetet e fshatrat e një vendi të varfër.
Fushata elektorale “jozyrtare” ka identifikuar deri tani disa pika të nxehta. Tirana, Shkodra e Durrësi duken shesh-betejat më të gjalla, më me ritëm dhe natyrisht, me më shumë interesa në lojë. Mbi të gjitha, duket një fushatë e lodhjes së përgjithshme. Janë të lodhur më së pari shqiptarët me politikën (ndaj kemi një fushatë relativisht të qetë), por janë të lodhur edhe vetë politikanët me punën që bëjnë (ndaj palët hyjnë me kuota relativisht të ulëta në garë). Berisha deklaroi mbrëmë se nuk do të jetë pjesë e fushatës, e kjo është një garanci e vogël për më shumë qetësi dhe më pak tension elektoral. Të shohim kush do ta presë shiritin më i karikuar pas 30 ditëve. Për momentin, falë Zotit, po flitet, nuk po bërtitet.
Skënder Minxhozi









