Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur të martën, ditë zie në Kosovë, në nderim të ish kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, që ndërroi jetë në Turqi pas një sëmundje të rëndë.
“Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e martë, 22 gusht 2017, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës, pas vdekjes të Dr. Bajram Rexhepi, veteran i UÇK –së, ish kryetar i Komunës së Mitrovicës, ish kryeministër i Kosovës, ish ministër i Punëve të Brendshme, ish deputet i Republikës së Kosovës dhe kirurg.”, thuhet ndër tjerash në vendimin e presidentit Thaçi.
Me vendim të presidentit Thaçi, flamujt shtetëror ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit. (b.an)