Nga Hamdi Jupe
E pashë për herë të parë në verën e vitit 1981, kur dhashë provimin pasuniversitar të filozofisë. Një burrë rreth dyzetë e pesë vjeç, me trup të drejtë, i veshur me sqimë, me flokë të prera shkurt që kishin filluar të merrnin paksa nuanca gri, me gjyzlykë me skelet metalik inoksi në sy, me një pamje gjithë fisnikëri.
Siç mësova më vonë, kur ishte kthyer nga studimet universitare në San Petërburg, filozofi i ri shqiptar nga një fshat i Korçës, krahas diplomës me nota të larta, kishte sjellë me vete edhe dyzetë kollare, natyrisht jo për tregti.
U ktheva në Dibër ku do të qëndroja edhe për gati dhjetë vjet të tjera si mësues. Atëherë nuk e dija se pas njëzetë vjetësh, pikërisht në fillim të vitit 2002, do të takoheshim përsëri nën të njëjtën “çati”, atë të ish – Komitetit Qendror, ai në postin e kryetarit të Kuvendit, ndërsa unë në atë të shefit të kabinetit të tij.
BOJKOTIMI I GAZETËS SË PARTISË
Gjatë vitit 1990 kishin ndodhur tronditje të mëdha që filluan me dy korrikun. Megjithatë, vendi nanuritej ende në dilemën e ujërave të turbullta: “as Lindje, as Perëndim”, jemi për “pluralizmin e mendimit, por jo për pluralizmin politik” etj.
Në gazetën “Zëri i popullit” ku punoja, më ngarkuan të organizoja një bisedë në redaksi me intelektualë të njohur me temë “Debati si domosdoshmëri për shoqërinë”. Në listën e intelektualëve të ftuar ishte edhe dr. Pëllumbi. Kishte botuar disa artikuj interesantë në shtypin e kohës, në të cilët theksohej nevoja e “reformave demokratike”, slogan ky i përdorur dendur atëherë.
Te porta po prisja të ftuarit, intelektualë të njohur si Sali Berisha, Fatos Nano, Luan Omari, Alfred Uçi etj., duke u dridhur nga emocioni nëse do të vinin apo jo. Ishte koha kur gazeta kryesore komuniste po humbiste terren dhe po braktisej prej intelektualëve. Ja ku u duk në trotuar profesor Serveti. U gëzova pa masë.
Ky është burrë për së mbari, mendova. Shenjë e mirë kjo për aktivitetin e planifikuar. Por isha gabuar.
Porsa u përshëndetëm, profesori foli: Më falni, por unë nuk mund të vij në bisedë. Kam humbur shumë orë mësimi në universitet dhe prandaj më duhet të shkoj.- Më dha dorën dhe u largua. Mbeta thellësisht i zhgënjyer. Prej të tjerëve edhe mund ta prisja të mos vinin, por për profesorin, jo. Çfarë kishte ndodhur? Mos vallë nuk ishte dakord të ulej në një tryezë me të ftuarit e tjerë, të cilët e dinte se kush ishin?
Më vonë e mësova. Në fillim të nëntorit, profesori i kishte dërguar një letër Ramiz Alisë ku i shtronte nevojën e reformave të thella demokratike. “… shoqëria jonë objektivisht po shkon drejt nevojës së pranimit të pluralizmit politik, përfshi edhe atë partiak…”(Pëllumbi: “Dritëhije të tranzicionit”) Alia ishte revoltuar aq shumë nga kjo kërkesë, saqë letrën e Pëllumbit ia kishte dorëzuar ministrit të Brendshëm, Isai, me shprehjen: “Ja se kush po na jep leksione për pluralizmin tani!”.
Këtë Isai ia kishte thënë Pëllumbit në një takim që kishte pasur me të. Me sa duket, kjo ishte arsyeja e vërtetë e pezmit dhe e refuzimit të tij ndaj gazetës së partisë, jo orët e mësimit, siç ishte shprehur. Mbeta i ngrirë në trotuar, në pritje të intelektualëve të tjerë të ftuar.
UDHËHEQËS I SË MAJTËS DEMOKRATIKE SHQIPTARE
Pëllumbi vazhdoi të angazhohej për reformimin e së majtës shqiptare, në kushtet e reja të pluralizmit politik të saposhpallur. Ai kishte pasur një traumë të madhe familjare në vitet e fundit të diktaturës, kur i kishin burgosur vëllanë, i shpallur “armik i popullit”, i akuzuar me grupin e Kadri Hazbiut.
Kuptohej gjendja psikologjike e tij në atë periudhë. Në këto rrethana, ai mund të bashkohej shumë lehtë me opozitën e sapokrijuar. Por ai qëndroi me të majtën, sepse si intelektual që ishte, e dinte që i përkiste asaj klase shoqërore, e cila do të ishte tani pjesë e pluralizmit politik shqiptar. Prandaj ajo duhej reformuar dhe aftësuar teorikisht dhe në terrenin praktik, për të konkurruar me sukses në betejat e ardhshme elektorale. E kush mund ta bënte më mirë se Dr. Pëllumbi këtë?
Ai vazhdoi të shkruajë dhe të flasë, duke u bërë kështu truri, por edhe tribuni i së majtës shqiptare. Ai foli edhe në Kongresin e Dhjetë dramatik të Partisë së Punës, ku lindi Partia Socialiste. Për këto arsye, kryetari i sapozgjedhur i partisë Nano, sapo doli në presidiumin e mbledhjes, theksi: “E pranoj postin e kreut të Partisë, me kusht që t’i zgjedh vetë shokët që do të kem në krah.
Këta janë: Servet Pëllumbi etj. etj. Në këtë mënyrë Pëllumbi nuk u kufizua në “ngastrën” teorike të filozofisë, por pranoi të marrë përsipër edhe rolin e udhëheqësit praktik të forcës së re politike, duke lëvizur në të gjithë Shqipërinë herë me këmbë e herë me makinë, edhe pse në moshë jo fort të re. Pëllumbi ishte ideologu i partisë së re socialdemokrate që po ngrihej mbi gërmadhat e Partisë së Punës.
Ai udhëhoqi përpjekjet për shkëputjen përfundimtare të saj nga e kaluara komuniste në vjeshtën e vitit 1991, kur u organizua Aktivi Kombëtar i Partisë, për të sanksionuar pikërisht këtë shkëputje me të vjetrën. Nuk ishte e lehtë të ndodhte kjo, sepse ishte ende e freskët propaganda komuniste pesëdhjetëvjeçare, por partia ia doli në krye. Meritë të veçantë për këtë ka profesor Pëllumbi.
“NUK JAM DAKORD ME DORËHEQJEN E NANOS”
Partia Socialiste e sapodalë nga pelenat, u paraqit keq në zgjedhjet parlamentare të 22 marsit të vitit 1992, me rezultat vetëm 26 për qind. Që do të humbiste, kjo pritej, por aq thellë, jo. Maxhoranca e re do të kishte dorë të lire të bënte veprime aventurore në dëm të vendit dhe të demokracisë, siç edhe ndodhi.
Kjo humbje kishte bërë të pllakoste zia në parti. I ngarkuar me emocione negative prej humbjes, në diskutimin tim në analizën e saj në KPD kërkova dorëheqjen e kryetarit Nano nga drejtimi i partisë. Kjo nxiti një debat që e shtyu mbledhjen edhe katër orë të tjera me diskutime rreth asaj në se duhet të ikte apo jo kryetari. Shumë e mbështesnin kërkesën e largimit.
Për të qetësuar disi situatën, në fjalën e tij Dritëroi ndër të tjera tha: “Tani, kështu do vazhdojë kjo punë, herë do fitojmë ne, herë do fitojnë ata. Kjo është demokracia”. Ishte një thirrje për vetëpërmbajtje në kushtet e traumës psikologjike të shkaktuar nga humbja. E mori fjalën edhe nënkryetari Pëllumbi, i shqetësuar nga drejtimi që po merrte mbledhja.
“Nuk jam dakord me dorëheqjen e kryetarit. E kam për nder të punoj me Nanon”, tha ai, në një mënyrë ndoshta të panatyrshme për të, por e nevojshme për të kapërcyer situatën e tensionuar.
Ai vazhdoi të argumentojë me urtësi qëndrimin e tij, se humbja e thellë nuk ishte vetëm përgjegjësi e kryetarit etj. Gjëja më e lehtë në atë situatë ishte ta flakje tej kryetarin për humbjen, por kush tjetër do ta merrte përsipër ta drejtonte partinë-gërmadhë pas humbjes? Nëntë muaj më parë në Kongresin e Dhjetë, ishin bërë tri orë përpjekje për ta bindur ta merrte përsipër atë detyrë.
Kujt do t’ia varnim tani “këmborën” e rëndë të saj? Ky mendoj ishte mesazhi “midis rreshtave” i diskutimit të Pëllumbit. U binda që e kisha tepruar me kërkesën time. Kryetari kishte pak kohë në detyrë dhe partia ishte ende e hallakatur në fillimet e saj. Nano mbeti kryetar. Ishte herët për të kërkuar koka turku.
Mbledhja u mbyll pa “gjak”, por edhe Nano e mori një leksion të mirë: një parti që pretendon të vijë në pushtet, nuk drejtohet me “tra-la-la”. Ky ishte mesazhi i analizës. Pëllumbi kapi çastin historik dhe shpëtoi partinë nga pasojat e parashikuara.
ENERGJIA QË VJEN NGA POPULLI
Sa kohë ishte nënkryetar partie, Pëllumbi priste në zyrën e tij vazhdimisht njerëz të kategorive të ndryshme nga i gjithë vendi. Ata ishin burim informacioni dhe frymëzimi për të. Por edhe ata dilnin nga zyra e tij me një optimizëm të ri, në kushtet e pesimizmit të përgjithshëm të shoqërisë. Ishte e habitshme se si filozofi i katedrës së universitetit mbante kaq shumë lidhje me njerëzit e “vulgut”.
Ai mbante në sirtarin e tavolinës disa skeda dhe, sa herë i dukej se bashkëfolësi jepte një fakt ose një ide interesante, e hidhte atë në një skedë të posaçme, me mendimin se do t’i vlente një ditë për një fjalim, diskutim ose një vendim që do të merrej. Këtë punë bënte rregullisht edhe kur lexonte gazetat, aq sa kishte njerëz që e ironizonin: “Ama, do fitojmë pushtetin me skedat e profesorit tani!”.
Profesori nuk tutej, e kishte metodë pune. Çdo fakt dhe ide interesante e hasur në to e frymëzonte për punë. Pse jo, edhe për studimet e ardhshme politike, filozofike e sociologjike që zunë vend në librat e tij. Në tetëmbëdhjetë libra të botuar prej tij gjatë gjashtëmbëdhjetë viteve pas vitit 2000, e ke të vështirë të dallosh se ku mbaron politikani dhe ku fillon filozofi dhe anasjelltas.
Aq të ndërthurua janë ato me njëra–tjetrën. Ndër këta njerëz që priste në zyrën e tij kishte edhe nga ata që propozonin të ngrihemi në protesta revolucionare dhe ta rrëzojmë me dhunë “qeverinë e poshtër” të Berishës etj. Ky ishte rreziku kryesor i radikalizmit të së majtës, veçanërisht pas burgosjes së liderit të saj Nano, gjë që do ta çonte atë në humnerë. Jo, thoshte profesori, dhuna është e papranueshme në demokraci, prandaj do presim të vijnë zgjedhjet dhe atje do ta ndryshojmë situatën me anë të votës.
PRAKTIKISHT “NJËSHI” I PARTISË
Nga korriku i vitit 1993, kur u arrestua kryetari i partisë Nano e deri në fund të vitit 1996, Pëllumbi praktikisht ishte kryetari faktik i partisë. Drejtimi i saj nga burgu ishte i vështirë, veçanërisht në periudhën e paraburgimit, kur takimet me të ishin të pamundura. Në këto situata u duk mençuria e Pëllumbit si udhëheqës politik, duke drejtuar me pjekuri partinë dhe duke e shpëtuar atë nga qorrsokakët e ekstremizmit, ku po përpiqej ta fuste Berisha, me “delfinët” e tij brenda udhëheqjes së partisë. Pëllumbi udhëhoqi në emër të opozitës Referendumin historik kombëtar për kushtetutën më 6 nëntor 1994, duke korrur një fitore madhështore me 53 përqind të votave, në rrethana ekstremisht të vështira. Ishin vetëm 24 ditë për të zhvilluar fushat përballë makinerisë së shtetit që u vu në shërbim të Berishës.
Ishte një betejë “përjetë a vdekje” që u fitua nga opozita në mënyrë spektakolare. Pata rastin ta shoqëroj si gazetar në disa takime me popullin në rrethe. Prej tyre merrte besimin se opozita do të fitonte. Humbja e detyroi Berishën “e pathyeshëm” të deklaronte: “Kur flet sovrani, të tjerët heshtin”.
Referendumi ishte i pari dhe i fundit deri më sot në historinë 109–vjeçare të shtetit shqiptar. Zgjedhjet parlamentare të 26 majit të vitit 1996 ishin një test tjetër për opozitën e udhëhequr nga Pëllumbi. Në dy votime të mëparshme, ato lokale dhe të referendumit, kishte fituar opozita. Edhe në vendet e tjera të lindjes ish–komuniste po vinin në pushtet forcat e majta. Kjo e terrorizonte Berishën, prandaj ai organizoi manipulimin e zgjedhjeve me të gjitha format dhe mjetet e mundshme. Profesori u kërcënua disa herë, deri në eliminim fizik gjatë fushatës. Kjo situatë që të kujtonte fashizmin, e detyroi opozitën të bojkotonte zgjedhjet, duke çuar kështu në diskreditimin e plotë të Berishës në sytë e botës. Parlamenti i manipuluar, ku Berisha kishte futur 131 militantë të vetët, pati vetëm nëntë muaj jetë dhe u shpërnda nga presioni i protestave popullore.
“MOCIONI” OSE: BUSTI I MARKSIT DHE BUSTI I KAÇIT
Por punët nuk po shkonin gjithnjë “vaj” në partinë kryesore të opozitës. Kriza e përgjithshme e shoqërisë në mesin e viteve nëntëdhjetë, por edhe interesa meskine të individëve të caktuar brenda partisë, nxitën përçarjen e saj me anë të të ashtuquajturit “mocion” kundër udhëheqjes.
Qëllimi i elementëve arrivistë ishte largimi i Pëllumbit dhe drejtuesve të tjerë nga kreu i partisë me akuza se “mban bustin e Marksit në zyrë” etj., etj., për t’i hapur udhë në të vetes së tyre. Gurët bien mbi pemën me kokrra nga rrugaçët e lagjes. Mocionistët kërkonin heqjen e bustit të Marksit dhe vendosjen në vend të tij të “bustit të Kaçit”. Ky debat për “mocionin” e rraskapiti partinë dhe e nxori atë jashtë boshtit kryesor të aksionit politik si opozitë.
Në kongresin e jashtëzakonshëm të organizuar në vjeshtë të atij viti (1996), Pëllumbi shprehu qëndrimet e tij konsekuente dhe u largua nga të gjitha funksionet drejtuese të partisë, i bindur se ai nuk kishte bërë asnjë gabim dhe se i qëndronte parimeve të tij politike, ku kryesori është morali (“Edhe politika do moral”) Partia gati u asfiksua nga ky konflikt rraskapitës dhe vetëm protestat e qytetarëve për paratë e humbura në firmat piramidale e shpëtuan atë nga vdekja klinike.
Pëllumbi u rikthye në pozicionin e deputetit të popullit dhe më vonë të Kryetarit të Kuvendit, detyrë që e kreu me përkushtim deri në fund. “Pije me lëng!” Kryetari më thirri në zyrë dhe më dha një dosje të hollë plastike me disa fletë letre brenda saj. “Merre lexoje”, tha duke ma hedhur mbi tavolinë, sikur po më jepte një gjë të neveritshme.
Në dosje ishte një kopje e letrës që kryetari i Kontrollit të Shtetit u drejtonte njëherësh tre autoriteteve të larta: Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit. Në letër flitej për një abuzim prej më shumë se 3 milionë USD të bërë nga Albtelekomi.
Ky institucion publik kishte bërë më shumë se 40 herë këmbime valutore me shuma të mëdha parash me një bankë greke në Tiranë dhe në të gjitha rastet, disa prej të cilave edhe brenda një dite, gjithmonë kishte humbur Albtelekomi. Kontrolli kishte konstatuar se humbja ishte rreth 3,3 milionë USD. Dukej qartë që ishte një rast i pastër korrupsioni nga drejtuesit e Telekomit.
U llahtarisa kur e mbarova së lexuari. Shkova menjëherë te Kryetari dhe e pyeta se çfarë do bënim me materialin. -E lexove? – E lexova. Pije me lëng pra! – tha ai, akoma i nervozuar në një mënyrë të tillë që nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë të flasë ashtu. Ngela i ngrirë para tij me materialin në dorë. Ç’ishte kjo e folur kështu? Ai e kuptoi që duhej dhënë një sqarim, prandaj e mori fjalën prapë:
– Letra u ka vajtur edhe Presidentit, edhe Kryeministrit. Le të merren ata me atë punë.
Ne si Parlament nuk kemi struktura hetimore. Ne vetëm ligje miratojmë. Kishte një shkallë të lartë nervozizmi në fjalët e tij. Ky vinte nga fakti se këto veprime korruptive bëheshin nga njerëz nën hijen e pushtetit të Partisë Socialiste, për të cilën kishte luftuar ai dhe socialistët e tjerë të ndershëm për vite me radhë. “Për të vjedhur, do vjedhim edhe ne socialistët, por jo sa këta, demokratët” (Deklaratë e një deputeti socialist në televizor).
Me sa dukej, edhe ai vetë sapo e kishte lexuar materialin, prandaj ishte ende nën efektin e emocioneve të forta negative të krijuara prej tij. Ma kishte dhënë letrën ta shikoja, sepse nuk e mbante dot i vetëm pezmin e shkaktuar prej saj. Artisti i Popullit që qan për bukën e gojës Me kryetarin Pëllumbi shkuam për vizitë në spital, ku ishte shtruar i sëmurë Artisti i Popullit K. R. Sapo hymë në dhomën e tij, të shoqëruar nga drejtori i spitalit, artisti na u drejtua: Ju lutem, na lini pak vetëm, se kam një muhabet me Servetin.
– U habitëm nga fjalët e tij dhe vështruam nga Kryetari.
– Dilni, dilni, – tha ky, – ne jemi burra të vjetër dhe kemi sekretet tona. Dolëm nga dhoma dhe po prisnim në korridor, derisa na thirri Kryetari të hynim. Qëndruam ca kohë dhe u kthyem në Kuvend. Kryetari më thirri në zyre. E more vesh përse ju nxori jashtë artisti?, pyeti. Nga ta marr? -i thashë.
– Ju e patë që ai na nxiori nga dhoma. Po, – tha profesori – Ai ju nxori dhe atëherë më bëri një kërkesë të panatyrshme. Më tha: “Të lutem më ndihmo të gjej ca para, se e kam gruan pa bukë në shtëpi. Nuk po pyes për veten, se e di që do vdes, po kam hallin e saj”.
– U habita nga kjo kërkesë. M’u duk sikur më ra tavani mbi kokë, por e mblodha veten. Mendova se një njeri në hall, mbi tetëdhjetë vjeç, i shtruar në spital mund të bëjë edhe kërkesa të tilla. Prandaj të kam thirrur. Të shikosh çfarë mund të bëjmë ne si Kuvend për të nxjerrë ndonjë fond për të. Atij i takon pension i posaçëm si artist i shquar, dreqi ta marrë dhe unë do merrem me këtë çështje pranë qeverisë.
Por ai është keq sot dhe kjo punë më ngeli mua në shpinë tani. Me rrogën time po lajmë një kredi që kemi marrë për shtëpinë dhe nuk tepron gjë. Më erdhi e papritur kjo kërkese prandaj thirra drejtoren e financave për të parë se çfarë mund të bënim si Kuvend për ta ndihmuar artistin. Mos e diskuto!, – tha ajo menjëherë sapo më dëgjoi.
–Kjo është një punë që s’bëhet. Nuk ka asnjë hapësirë ligjore për këtë. Iu luta ta shikonte edhe një here me kujdes se nuk kisha çfarë përgjigje t’i jepja Kryetarit, por ajo nuk luante nga vendi.
Ishte në prag të pensionit dhe e regjur me vaj e me uthull për punët e financave publike. Pastaj, pasi u mendua pak, tha me ndrojtje:
– Shiko, ka vetëm një rrugë për të nxjerrë ca para, por kjo bëhet me urdhër të kryetarit. Cila është rruga?, – e pyeta.
Kryetari të të japë ty dy rroga mujore shpërblim për punë “shumë të mirë” që ke bërë në shërbim të institucionit, futja kot domethënë – tha ajo.
– Ti i merr ato para dhe ia çon artistit. Duket si diçka që nuk shkon, e kuptoj, por bëj be që nuk ka asnjë rrugë tjetër të mundshme. Shkova te kryetari dhe ia thashë zgjidhjen. Kërkoi t’i çonim urdhrin për firmosje. Mora paratë dhe ia çova artistit. Ai më falënderoi me lot në sy. Nuk dihej nëse do të dilte më i gjallë prej andej.
Merreni atë shtatore dhe kushtojani ndonjë ministri a deputeti! Jo të kohës së Migjenit, por të shekullit të njëzetëenjëtë. I raportova kryetarit se e kisha kryer detyrën. Më ke shpëtuar nga një hall i madh, – tha i lehtësuar. Kanë kaluar shtatëmbëdhjetë vjet që atëherë dhe urdhri për shpërblimin tim për punë “shumë të mirë” ndodhet në arkivin e Kuvendit.
Është “shpërblimi” më i bukur i jetën sime. Se mos e gjejnë ata të komisionit parlamentar të antikorrupsionit se na morën në qafë. Gërmo, Tare, gërmo, se atje ke për ta gjetur qenin e ngordhur të “korrupsionit aktiv dhe pasiv në bashkëpunim”.
E shkrova këtë artikull për profesorin si politikan, burrë shteti dhe njeri në këtë tetëdhjetepesëvjetor të lindjes së tij. Por kjo zë vetëm dhjetë për qind të aktivitetit të tij mbi gjashtëdhjetëvjeçar. Nuk po hyj në “çairet” e filozofisë, të cilat janë “pronë e patundshme” e tij, se ngecem brenda e nuk dal dot më prej tyre.
Le të merren të tjerë me atë fushë të veprimtarisë studimore kolosale, nëse ka njerëz të tillë sot në Shqipëri. I uroj jetë të gjatë në këtë përvjetor dhe mirë u pjekshim te kodrat e Liqenit Artificial për të vazhduar ecjen sportive në ajër të pastër në këto ditë behari të mes të dimrit.
(Nga libri: “Shënimet e gazetarit”)
TETËMBËDHJETË LIBRA PËR GJASHTËMBËDHJETË VJET
“Të mendosh ndryshe” 2001
Sprova në sociologjinë politike” 2002
“Gjurmime sociologjike” 2002
“Edhe politika do moral” 2005
“Pluralizmi politik: përvojë dhe sfidë” 2006
“Bashkëbisedim për politikën” (Libri 1) 2007
“Demokracia dhe zëri i moralit” 2008
“Globalistika: refleksione filozofike për një epokë” 2009
“Filozofia e aktualitetit” 2010
“Fjalor filozofik” 2011
“Bashkëbisedim për politikën” (Libri 2) 2011
“Bashkëbisedim për politikën” (Libri 3) 2012
“Integrimi dhe nacionalizmi” 2013
“Etikokracia: refleksione mbi teorinë dhe praktikën e demokracisë” 2013
“Kultura filozofike dhe misticizmi: (vlera & antivlera)” 2014
“Përmbysja e Komunizmit” 2015
“Pluralizmi i dytë: ese-analiza-intervista” 2015
“Përvoja ime në Partinë Socialiste: ditar politik: (1991-1996)” 2016