Kryeministri Rama e nis ditën me një urim për 5 Majin, ditën e “Dëshmorëve të Atdheut” duke publikuar foto të bustit për dëshmorët.
“Mirëmëngjes Shqipëri. Respekt përjetësisht”, shkruan kryeministri Rama, dhe ndan një foto të bustit për “Dëshmorët e Atdheut”, shkruan Rama.

Presidenti Ilir Meta, me rasatin e Ditës së Dëshmorëve nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, shpreh mirënjohjen dhe respektin për Dëshmorët e Atdheut të çdo epoke.
“Sot është dita e Qemal Stafës dhe e mijëra të rinjve dhe të rejave, që dhanë jetën për Lirinë e Shqipërisë. Lavdi e përjetshme, nderim, respekt dhe mirënjohjen më të thellë Dëshmorëve të paharruar të Atdheut, të çdo epoke”, shkruan Meta.

Përmes rreshtave të dedikuara për këtë ditë të rëndësishme, Ruçi shpreh respektin dhe nderimin për dëshmorët.
Kryetari i Kuvendit shkruan se ndihet krenar që kontribuoi që Kuvendi i Shqipërisë të përmirësonte ligjin “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, për të respektuar e nderuar më shumë dëshmorët, veprën, vlerat, familjet dhe pasardhësit e tyre..
Mesazhi i Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi:
“Çdo 5 maj, Shqipëria, si të gjithë kombet e qytetëruar nderon dëshmorët e saj. Respekti dhe nderimi për dëshmorët është shenjë e pjekurisë dhe fuqisë së një kombi. Respekti për të kaluarën është një investim për të ardhmen.
Sot përulem me respekt para dëshmorëve që ranë për pavarësinë e Shqipërisë.
Para patriotëve që kanë dhënë jetën për mbrojtjen e integritetit territorial, trojeve, lirisë e pavarësisë së atdheut.
Para 28 mijë dëshmorëve partizanë që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë. Sot kujtoj vizitën në familjen e pasardhësve të njerit prej tyre, i cili me kursimet e fituara nga jeta në mërgim bleu një maliher dhe doli malit partizan.
Përulem para kujtimit të luftëtarëve partizanë të huaj që ranë për çlirimin e Shqipërisë.
Para dëshmorëve të Shqipërisë që dhanë jetën duke luftuar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Para oficerëve e policëve dëshmorë të rënë në krye të detyrës, të cilët i kujtojmë e nderojmë bashkë me fëmijët dhe familjet e tyre.
Para vajzave e djemve të Shqipërisë që kanë dhënë jetën gjatë misioneve paqeruajtëse të NATO-s, në mbrojtje të lirisë së popujve të tjerë dhe të mbrojtjes së paqes e sigurisë nga terroristët.
Para dëshmorëve të kohës sonë që kanë rënë në krye të detyrës për mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga krimi dhe mbrojtjen e pronës publike nga fatkeqësitë natyrore.
Çdo kohë ka dëshmorët e saj dhe ne i nderojmë ata duke punuar çdo ditë për idealet e tyre, për Shqipërinë.
Dëshmorët nuk janë më fizikisht. Por me ne janë idealet dhe vepra e tyre. Nuk janë më nënat e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por janë mbesat, nipat e stërnipat e tyre. Janë fëmijët e oficerëve dhe policëve të rënë në krye të detyrës. Janë fëmijët, nënat, motrat e vëllezërit e vajzave e djemve të rënë për lirinë e kombeve të tjera, të rënë në luftën kundër terrorizmit e krimit, në luftën për mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës publike.
Unë ndjehem krenar që kontribuova që Kuvendi i Shqipërisë të përmirësojë ligjin “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, për të respektuar e nderuar më shumë dëshmorët, veprën, vlerat, familjet dhe pasardhësit e tyre.”,











