Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialiste nëse shkojnë bashkë në zgjedhje, do të dalin fituese. Ka qenë Eduard Zaloshnja ai i cili ka publikuar dje një sondazh, përmes të cilit tregohet se qytetarët vijojnë të mbështesin koalicionin qeverisës.
Sipas sondazhit, nëse zgjedhjet do zhvilloheshin sot, për koalicionin qeverisës do votonin 57% e qytetarëve. Ky rezultat dëshmon qartë se më 18 qershor PS-LSI dalin fituese nëse shkojnë bashkë, pasi PDIU del me humbje. Teksa ditët e fundit kanë nisur aludimet dhe përplasjet sa i takon aleancave, sondazhi dëshmon qartë se koalicioni i majtë është i pathyeshëm.
Sipas tij, opozita aktuale mund të marrë 39 për qind të votave, ndërsa 4% e qytetarëve kanë qenë kundër dy koalicioneve. Sipas sondazhit, Partia Socialiste është ajo e cila gëzon popullaritetin më të madh. Edhe pse është krijuar ideja se ka shumë pakënaqësi te qytetarët për shkak të qeverisjes, sondazhi tregon se PS është partia më popullore.
Sipas sondazhit, PS merr 41 për qind të votave, PD merr 35 për qind të votave, LSI merr 12 për qind të votave, PDIU dhe LIBRA marrin nga 4% të votave. Zaloshnja ka bërë dhe një përkthim në vota të rezultatit të sondazhit. Sipas tij, mazhoranca ka humbje krahasuar me 2013. Në këtë vit, ajo mori 1.020.000 vota, por në 2017 kjo shifër sipas sondazhit shkon në 930 mijë, pra 90 mijë vota më pak.
Sa i takon ndarjes së votave brenda koalicionit situata është kjo: PS 670 mijë vota, 45 mijë vota më pak; LSI 190 mijë vota, 10 mijë më pak se në 2013; ndërsa PDIU merr 70 mijë vota, 55 mijë më pak se në 2013. Interesant është fakti se koalicioni PS-LSI del fitues edhe pa PDIU. Ndërsa shifrat tregojnë se pavarësisht tentativave për t’u rritur, çamët janë humbësit më të mëdhenj. Nga ana tjetër shihet se LSI ka qëndrueshmëri, pasi ka rënie vetëm me 10 mijë vota. Nga ana tjetër, PD vijon të ketë rënie.
Sipas sondazhit, ajo merr 570 mijë vota, ose 40 mijë më pak se në 2013. Ditët e fundit ka pasur deklarata se palët duhet të dalin të ndara në zgjedhje. Nëse kjo ndodh atëherë pasqyra është e qartë, ku PS dhe LSI janë ato që avancojnë në krahun e majtë.
Sondazhi u bë publik vetë nga Zaloshnja në emisionin “Top Story”, ku kishte dhe të ftuar. Avokati Spartak Ngjela deklaroi se PS dhe LSI nuk mund të dalin bashkë në zgjedhje. “LSI nuk ka asnjë mundësi që të bëjë koalicion me PS. Shenjat janë që nuk mund të ketë më koalicion. Nuk besoj që të kemi një koalicion PS-LSI”, thotë ai. Avokati mendon se PDIU krijoi një ekuilibër të ri brenda aleancës.
“Nuk lejoi që të krijohej krizë brenda mazhorancës. Ka ndihmuar në shumë probleme. I hoqi forcën politike Metës, që i ra në funksion të reformës në drejtësi”, deklaroi Ngjela. Sipas Ngjelës, shkruan “Sot” nga largimi i LSI-së, PS dhe koalicioni do të rritej me të paktën 7 për qind në krahasim me 2013-n.
“Jam i bindur që minimumi që PS dhe koalicioni në 2013 ka humbur rreth 7 për qind ngaqë ka afruar Metën”, u shpreh ai. Ngjela tha se në këto zgjedhje Kryeministri Rama do të përballet me shumë kundërshtarë, edhe brenda mazhorancës. “Nuk është vetëm opozita kundërshtare e tij. Ka edhe kundërshtarë të tjerë”, deklaroi ai.
ma.me