Kompania italiane IPR-Marketing ka zhvilluar baterinë e dytë të sondazheve në Shqipëri për televizionin Ora News. Kjo kompani zhvilloi sondazhe për këtë televizion edhe në vitet 2009 e 2013, para zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve. Në 2009-ën, rezultatet e zgjedhjeve u përputhën saktësisht me rezultatet e sondazheve tw saj, dhe në 2013-ën, pothuajse u përputhën saktësisht në nivel koalicioni.
Sonte, në televizionin Ora News, IPR-Marketing prezantoi rezultatet e sondazheve për tri bashki kryesore – Tiranën, Durrësin, Elbasanin. Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor të sondazheve është plus/minus 3%.
Sipas IPR-Marketing, në qoftë se zhvillohen sot zgjedhjet në bashkinë e zgjeruar të Tiranës, Erion Veliaj merr 50% të votave, Halim Kosova merr 33%, Gjergj Bojaxhi merr 11% të votave, dhe të tjerët marrin 6%.
Në sondazhin e para një muaji të IPR-Marketing, kuota e Veliajt ishte 15 pikë poshtë koutës së koalicionit që e mbështet atë, ndërsa sot është vetëm 10 pikë poshtë tij. Nga ana tjetër, kuota e Kosovës është pothuaj e njëjtë me të koalicionit që e mbështet atë. (Partite jashte koalicioneve marrin 4%)
Në bashkinë e zgjeruar të Durrësit, gara është më e balancuar. Vangjush Dako, sipas IPR Marketing, merr sot 54% të votave dhe Grida Duma merr 44% të votave. Epërsia e Dakos ishte vetëm 2 pikë në sondazhin e para një muaji të IPR-Marketing, ndërsa tani është 8 pikë.
Në bashkinë e zgjeruar Elbasan, Qazim Sejdini, sipas IPR Marketing, merr sot 66% të votave, ndërsa Ardian Turku merr vetëm 34% të votave. Kuota e Sejdinit është e përafërt me të koalicionit që e përkrah atë.
IPR Marketing do të zhvillojë në vazhdim edhe sondazhe të tjera, që me gjasa, do të na tregojnë një ndryshim të raportit të votave të mësiprme, sepse një pjesë e mirë e të anketuarve janë ende të lëkundur në të tria bashkitë e zgjeruara.
Erjon Veliaj fiton Bashkinë e Tiranës
Koalicioni i majtë në Tiranë është rritur me 3% që nga hera e parë e sondazhit të IPR Marketing ku gëzonte mbështetjen e 60% të të pyeturve. Tashmë koalicioni ASHE mbështetet nga 63% e qytetarëve të intervistuar. PS ka një rritje të lehtë nga hera e kaluar, nga 43% në 44%. Po ashtu edhe LSI e cila ka shkuar në 12.5% nga 11% që ishte më 13 Maj.
Partia Demokratike ka një rënie të lehtë me 1% duke marrë mbështetjen e 30.5% të qytetarëve të Tiranës, nga 31.5% që ishte më 13 Maj. Koalicioni i djathtë po ashtu ka rënie të mbështetësve. Nga 35.5% që ishte më 13 Maj, ka shkuar në 34%.
Erion Veliaj do të fitonte zgjedhjet nëse ato do të mbaheshin sot me një numër votash më të madh se sondazhin e parë. Ai merr 50% të votuesve të Tiranës. Veliaj shënon një rritje të përqindjes nga 45.5% që ishte në sondazhin e parë. Halim Kosova përkundrazi ka shënuar një rënie të mbështetësve në 33.5%. Kujtojmë se në sondazhin e parë, Halim Kosova merrte 35.5% të votave.
Rezultati mbetet surprizues për kandidatin e pavarur Gjergj Bojaxhi, i cili vijon të mbajë ritmin e sondazhit të parë. Pavarësisht se ka një rënie prej 1.5%, ai është në kuotën e 11% të votave, një rezultat që nëse konfirmohet ditën e zgjedhjeve, është spektakolar për një kandidat jashtë siglave kryesore të partive në Shqipëri. Më pas në listë janë Sazan Guri me 3%, Arben Tafaj me 1.5% dhe Dhimitër Muslia me 1%. Të pavendosurit këtë herë janë në shifrën e 17.9%, një shifër që mbetet ende e lartë. Gara e Tiranës për kryetarin duket se është e mbyllur, në favor të Veliajt, por ka edhe 17 ditë fushatë, që do të thotë se asgjë nuk është e sigurtë. Të presim e të shohim. Gjithashtu qytetarët e Tiranës i kanë dhënë përgjigje pyetjes së kush do të fitojë në rang republike dhe përgjigjet e tyre kanë qenë: ASHE – 59.2%, APPD – 12.5% dhe Nuk e di -28.3%. Vihet re se koalicioni i djathtë është në minimumin historik të tij, qoftë kjo edhe sipas një perceptimi të qytetarëve të Tiranës shprehur perms sondazheve. E djathta ka një detyrë: T’i rikthehet punës
Vangjush Dako fiton Durrësin, Grida Duma pëson rënie me 3%
51% me 49% ishte rezultati i Bashkisë së Durrësit në sondazhin e parë të IPR Marketing më 13 Majin e shkuar, duke premtuar kështu një garë të hapur dhe të fortë mes dy kandidatëve , Vangjush Dako i së majtës dhe Grida Duma e së djathtës. Në këtë sondazh të dytë elektorati durrsak ka ndryshuar dhe ka ndryshuar në favor të Vangjush Dakos.
Kandidati socialist është rritur me 3% duke shkuar në 54% të mbështetësve durrsakë ndërsa Grida Duma ka rënë me 3%, duke marrë 46% të votave. Një rezultat i mirë ky për kandidatin socialist, i cili thuajse nga një garë e barabartë, tashmë e sheh veten me një përqindje më të lartë duke e qetësuar pak nga hera e kaluar, ku performanca e kandidates demorkate kishte çuar garën pothuajse në barazim. Megjithatë pavarësisht thellimit të diferencës, ky nuk mund të jetë një rezultat dekurajues për Grida Dumën, e cila mund të rekuperojë në të njëjtën mënyrë këtë përqindje deri në 21 Qershor. Të pavendosur për këtë bashki janë 18.1% e elektoratit. Gara në Durrës mbetet e fortë. Kush mendon se mund ta parashikojë rezultatin, Durrësi ka surpriza për të gjithë ju.
Ashtu si kandidati i majtë, edhe koalicioni i majtë ka një rritje të lehtë prej 1.5%. Më 13 maj ASHE ishte në kuotën e 57%, ndërsa sot është në kuotën e 58.5%. E kundërta ka ndodhur me koalicionin e djathtë, i cili ka një rënie me 1%. Nga 41.5% ka shkuar në 40.5%. Rritje kanë shënuar edhe partitë kryesore të maxhorancës, PS dhe LSI, 42.5% dhe 10.5% respektivisht kurse në sondazhin e parë, këto parti kishin 41.5% për PS dhe 9% për LSI. Partia Demokratike nuk ka ndryshim nga sondazhi i parë pasi ka të njëjtën përqindje mbështetësish prej 36%.
Njësoj si në Elbasan, lideri më i pëlqyer edhe në Durrës, është Edi Rama me 57% të votave. E ndjekin Ilir Meta me 43.3% dhe më pas Lulzim Basha me 32.5%. Përsëri kemi një paraqitje të mirë të liderit të LSI, Meta i cili është lideri i dytë më i pëlqyer i durrsakëve. Lulzim Basha duhet të bëjë akoma më shumë punë me partinë e tij për t’i hyrë në zemër shqiptarëve, megjithëse siç e thamë, koha mund të jetë në favor të tij. Sali Berisha edhe në Durrës gjendet në kuota minimaliste të karrierës së tij me 28.2% të besueshmërisë.
Interesante është edhe një pyetje tjetër e sondazhit ku të anketuarve durrsakë i kërkohet se kush do t’i fitojë zgjedhjet në nivel kombëtar në kuadër të koalicioneve. 54.6% mendojnë se do t’i fitojë koalicioni i majtë ASHE dhe vetëm 16.3% mendojnë se do t’i fitojë koalicioni i djathtë.
Sejdini fiton Elbasanin me 66% të votave, kundrejt Turkut me 34%
Qazim Sejdini do të fitonte zgjedhjet nëse ato do të mbaheshin sot me një rezultat të thellë përballë alternativës së opozitës, ish deputetin Ardian Turku. Sejdini do të merrte 66% të votave të qytetarëve të Elbasanit, ndërsa Ardian Turku 34% të votave. Kjo është një diferencë e thellë në favor të së majtës dhe ndoshta është një rezultat që mund të shuajë edhe kritikat brenda së majtës që vinin kryesisht nga deputetë të këtij qarku. Një rezultat i keq ky për të djathtën e cila mbase duhet të bëjë më shumë për të rritur performancën e saj.
Koalicioni i majtë në Elbasan gëzon rreth 64.5% të elektoratit përballë 32% të koalicionit të djathtë. Gjithashtu edhe kjo diferencë është e konsiderueshme për dy koalicionet duke risjellë edhe njëherë në vëmendje rezultatin e Qershorit 2013. Bie në sy që të dy kandidatët marrin më shumë vota se koalicionet e tyre. Qazim Sejdini me 1.5% më shumë dhe Ardian Turku me 2% më shumë. Të pavendosur për të votuar janë 17,5%.
Pyetjes se kush do ti fitojë zgjedhjet në nivel kombetar, në sondazhin e Elvasanit të anketuarit I janë përgjigjur 57.7% koalicioni I majtë dhe 13.3% koalicioni I djathtë.