Një sondazh i ri arrin në përfundimin se vetëm rreth 1 në 10 amerikanë japin vlerësime të larta për mënyrën se si funksionon demokracia në Shtetet e Bashkuara ose sa mirë përfaqëson ajo interesat e shumicës së amerikanëve.
Shumica e të rriturve amerikanë thonë se ligjet dhe politikat për çështjet kyçe nuk përfaqësojnë atë që duan shumica e qytetarëve, për çështje që variojnë nga ekonomia dhe shpenzimet qeveritare te politika e armëve, imigracioni dhe aborti.
Sipas sondazhit të agjencisë Associated Press dhe Qendrës NORC për Kërkime për Çështje Publike, 53% e amerikanëve thonë se Kongresi po bën një punë të dobët në ruajtjen e vlerave demokratike, krahasuar me vetëm 16% që thonë se po bën një punë të mirë.
Gjetjet pasqyrojnë ndasitë e thella politike ndërsa vendi i polarizuar po vuan ende pasojat e pandemisë dhe ngadalësimit ekonomik nga inflacioni dhe frika e një recesioni.
Në intervista, të anketuarit ishin të shqetësuar më pak për ligjet e votimit dhe numërimin e fletëve të votimit – dhe më shumë për rezultatet. Në përgjithësi, rreth gjysma e vendit – 49% – thonë se demokracia nuk po funksionon mirë në Shtetet e Bashkuara, krahasuar me 10% që thonë se po funksionon shumë ose jashtëzakonisht mirë dhe 40% vetëm disi mirë. Rreth gjysma gjithashtu thonë se secila prej partive politike po bën një punë të dobët për të mbështetur demokracinë, duke përfshirë 47% që e thonë këtë për demokratët dhe akoma më shumë – 56% – për republikanët.
“Mendoj se asnjë prej tyre nuk po bën një punë të mirë vetëm për shkak të gjendjes së ekonomisë – inflacioni po na vret,” tha Michael Brown, një 45-vjeçar, baba i dy fëmijëve në Bristol të shtetit Kënektikat. “Tani për tani po bëj më shumë para se kam bërë dhe kam më shumë vështirësi se kam patur ndonjëherë.”
Një republikan i moderuar, ai është veçanërisht i zhgënjyer me Kongresin tani, duke i parë problemet që trajton si jo reflektuese të vullnetit të popullit.
“Ata po luftojnë për diçka që nuk ka të bëjë fare me ekonominë,” tha zoti Brown, duke veçuar hetimin e Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët për djalin e Presidentit Joe Biden.
“Hunter Biden – çfarë lidhje ka ai me ne?” pyet ai.
Sondazhi tregon se 53% e amerikanëve thonë se pikëpamjet e “njerëzve të zakonshëm” nuk përfaqësohen mirë nga qeveria, 35% që thonë se janë të përfaqësuar disi mirë dhe 12% shumë ose jashtëzakonisht mirë. Rreth 6 në 10 republikanë dhe të pavarur mendojnë se qeveria nuk po i përfaqëson mirë njerëzit si ata, krahasuar me rreth 4 në 10 demokratë.
Karalyn Kiessling, një studiuese në Universitetin e Miçiganit që mori pjesë në sondazh, sheh shenja shqetësuese. Zonja Kiessling, një demokrate, kohët e fundit u zhvendos në një zonë konservatore dhe u shqetësua kur mësoi se ata që përhapin teori konspiracioni që besojnë pretendimet e ish-presidentit Donald Trump se ai fitoi zgjedhjet e vitit 2020 do të shfaqeshin si vëzhgues në zgjedhje. Anëtarët republikanë të familjes së saj nuk identifikohen më me partinë dhe po kufizojnë angazhimin e tyre politik.
Zonja Kiessling sheh shumë mënyra të tjera për të marrë pjesë në një demokraci përveç votimit – nga të qenit aktiv në një parti politike, te të folurit në një mbledhje të qeverisjes vendore. Por ajo është e shqetësuar se rritja e indinjatës ndaj politikës po i bën njerëzit të mos marrin pjesë në këto angazhime.
“Unë mendoj se njerëzit janë më pak të gatshëm të përfshihen sepse çështjet janë bërë më të diskutueshme”, thotë zonja Kiessling, 29 vjeç.
Polarizimi ka transformuar disa shtete në njëpartiake, duke izoluar më tej njerëz si Mark Short, një republikan që jeton në Dana Point të Kalifornisë.
“Në Kaliforni, ndihem sikur e hedh votën time kot çdo herë”, tha zoti Short, 63 vjeç biznesmen në pension.
Sondazhi tregon se shumica dërrmuese e amerikanëve – 71% – mendojnë se kur hartohen ligjet dhe politikat gjëja më e rëndësishme është që të mbahet parasysh ajo që duan qytetarët, por vetëm 48% mendojnë se kjo është e vërtetë në praktikë.
Dhe pikëpamjet janë edhe më negative kur bëhet fjalë për çështje specifike: Rreth dy të tretat e të rriturve thonë se politikat mbi imigracionin, shpenzimet qeveritare, politika e abortit dhe politikat mbi armëmbajtjen nuk përfaqësojnë pikëpamjet e shumicës së amerikanëve, dhe pothuajse e njëjta përqindje thonë të njëjtën gjë për ekonominë si dhe çështjet e identitetit gjinor dhe LGBTQ+. Më shumë se gjysma thonë gjithashtu se politikat nuk pasqyrojnë gjerësisht atë që duan amerikanët për kujdesin shëndetësor dhe mjedisin./VOA/