Sokol Sadushi, i cili pak ditë më parë u zgjodh në krye të Gjykatës së Lartë ishte i ftuar në episodin e parë të podcast-it “Fol me Anila Hoxhën” në Top Albania Radio.
I pyetur nga gazetarja Anila Hoxha, Sadushi shpjegoi problemet e Gjyqësorit, teksa pohoi se gjykatat janë bërë jo pak herë shkak i krijimit të konflikteve apo përshkallëzimit të tyre.
Anila Hoxha: Sa është stoku i dosjeve në Gjykatën e Lartë?
Sokol Sadushi: Faleminderit Anila për ftesën, stoku i Gjykatës së Lartë është i lartë. Duke u nisur nga momenti kur ne filluam detyrën në vitin 2020 që gjetëm 36 mijë dosje tashmë jemi goxha optimist sepse ky numër është ulur ndjeshëm dhe ka arritur në rreth 25 mijë. Duke menduar që Gjykata e Lartë nuk ka qenë funksionale në tërësinë e saj me gjyqtarë por ka qenë pjesërisht dhe nga viti në vit është plotësuar, tashmë kemi arritur numrin e plotë prej 18 gjyqtarësh. Kjo ulje e ndjeshme është për t’u mbajtur në konsideratë, sepse tregon trendin që me këtë ritëm ndoshta për pak vite do të kemi një ulje shumë të theksuar të numrit.
Anila Hoxha: 25 mijë çështje zoti Gjyqtar janë mjaftueshëm dhe një stok i konsiderueshëm por sa prej tyre janë për pronat?
Sokol Sadushi: Në fakt, për pronat i kemi të ndërthurura sepse çështjet e pronave duhen parë në dy drejtime. Çështjet e pronave që është në konflikt shteti dhe çështjet e pronave që është ndërmjet individëve. Nëse do të fokusohemi tek çështjet me konlikt me palë të paditur organet shtetërore që janë të ndara midis Kolegjit Civil dhe Kolegjit Administrativ shkojnë përafërsisht rreth 2000 çështje. Ndërkohë që pjesë e konsiderueshme është një mosmarrëveshje që krijojnë midis vetë individëve.
Kjo është në fakt një shifër shumë e lartë duke menduar që pjesa më e madhe në konfliktet në fushën civile janë rreth 14 mijë në tërësinë e tyre ku përfshihen edhe konfliktet familjare, konfliktet tregtare etj. E zënë konfliktet e pronës.
Anila Hoxha: Midis qytetarëve ku secili ka një pretendim të caktuar për pronësinë, keni ju një fashë kohore se cilit vit i përkasin këto procese?
Sokol Sadushi: Po, për të gjitha kolegjet kemi një statistikë shumë të qartë të situatës në të cilën ndodhet Gjykata e Lartë. Konkretisht në Kolegjin Civil jemi duke përfunduar çështjet e vitit 2015 dhe së shpejti kalojmë në çështjet e vitit 2016. Në fakt janë shumë të hershme, kemi gjetur çështje që i përkisnin vitit 2010. Duhet të mendojmë që është bërë një punë kolosale në këtë vit. Vitet më të vështira dhe më të ngarkuara janë 2016 – 2017- 2018, pastaj ka një ulje të ndjeshme të tyre. Nëse ne fokusohemi tek këto tre vite jam i bindur se ky numër do të jetë në ulje.
Ka një numër të ndjeshëm të çështjeve të konflikteve të pronës brenda vetë individëve, ajo që të vjen keq është fakti që si ka mundësi të ketë kaq shumë konflikte dhe brenda familjes.
Anila Hoxha: A mund të quhet një shifër shqetësuese?
Sokol Sadushi: 2000 çështje me palë të paditur organet shtetërore, kam parasysh çështjet me ish-komisionin e hetimit të pronave apo me ish-agjencinë e kthimit të pronave tashmë me agjencinë e trajtimit të pronave, sigurisht edhe me pjesën e agjencisë shtetërore të kadastrës, duke pasur parasysh që bëhet fjalë për vitet 2016 e në vijim është një numër i konsiderueshëm por besoj që nuk është dhe aq i lartë sa numri i konflikteve mes individëve.
Unë shtrova edhe pyetjen nga se vjen dhe ndoshta në radhë të parë është mos pasja e një koncepti të qartë apo një respekti për pronën dhe është çështje mentaliteti. Ku çdokush mendon që mund të bëhet pronar me të gjitha llojet e mënyrave dhe kjo ndoshta ka gjetur vend edhe për faktin se organet e administratës publike janë le të themi shkaktaret kryesore të kësaj situate. Pa përjashtuar organet gjyqësore, të cilat e kanë thelluar shumë më tepër këtë konflikt. Kjo është një situatë për të ardhur keq por ka një diçka që në fund të fundit konfliktet brenda familjes apo brenda fisit duhet të shmangen maksimalisht, mënyrat janë nga më të ndryshmet. Ne duhet të kemi respekt për vetveten dhe për njëri-tjetrin me qëllim që të mendojmë që prona që fitohet me djersë duhet të gëzohet. Arsyet janë sa sociale edhe ekonomike mes familjeve.
Anila Hoxha: Pse është e vështirë të gjykosh konfliktet e pronësisë?
Sokol Sadushi: Çdo lloj konflikti është i vështirë për t’u zgjidhur. Normalisht konfliktet e pronësisë janë në përmasa më të mëdha dhe e bëjnë akoma dhe më të vështirë edhe situatën. Unë mendoj që nisin edhe nga mënyra se si reagon shteti, që nga fakti se si shteti ka bërë pronar kë, që nga mënyra se si është zhvilluar procedura për t’i dhënë pronën dikujt. Pikërisht mos qenia korrekt e organeve shtetërore në zbatimin e dispozitave ligjore dhe nënligjore sa i përket dhënies së pronësisë. Problematikat që janë midis vetë familjeve shqiptare apo vetë qytetarëve shqiptarë dhe për më tepër mënyra se si gjykatat i kanë zgjidhur çështjet janë shkaku kryesor i të gjithë kësaj situate. Me fluksin dhe ritmin më të shpejtë të gjykimit të këtyre çështjeve ne themi se ka vajtur drejt uljes. Duke u nisur edhe nga fakti që Gjykata e Strasburgut ka mbajtur shumë qëndrime sa i përket çështjes së pronave në Shqipëri.
Ne jemi të bindur se ky problem nuk do të jetë më si ka qenë dhe si është. Numri prej 2000 çështjesh që unë përmenda nuk janë të gjitha thelbësore, disa ndoshta janë edhe teknikalitete që e bëjnë qytetatrin të rropatet në dyert e gjykatës.
Anila Hoxha: Ju i nderuar keni një karrierë të gjatë në gjyqësor, çfarë do të veçonit nga kjo fushë? Mund të përmendim ne problematikën ku shumë procese gjyqësore sjellin shkresa edhe para 45 dhe pretendojnë se shkresat janë të falsifikuara, ka pretendime nga më të ndryshmet deri kur ndonjëherë qytetarë që thonë në seanca gjyqësore që edhe anëtarë të grupeve kriminale ja kanë dalë mbanë që të falsifikojnë praktikën. Sa prezante është kjo? E keni vërejtur ju si një njeri i së drejtës?
Sokol Sadushi: Padyshim, këto janë fenomene që ne i ndjejmë, i kuptojmë dhe i shohim nga mënyra se si zgjidhen çështjet. Ndoshta një pjesë e krimeve që ndodhin në Shqipëri lindin për shkak edhe të mënyrës se si organet shtetërore dhe gjykatat zgjidhin çështjet. Unë e kam përqëndruar vëmendjen tek studentët që organet e administratës publike kanë një peshë shumë të rëndësishme në zgjidhjen e konflikteve. Ndodh që organet publike bëjnë një hetim të përciptë që përqëndrohet në një seancë në administrative ku mbyllet çdo gjë pa një ballafaqim të provave edhe të gjithë dokumentave shkresore. Duke patur në vëmendje që një pjesë prej tyre mund të kenë qenë edhe të falsifikuar dhe të gjitha këto krijojnë hapësirën për të përfituar dikush pronën në mënyrë të padrejtë. Tani unë mund të them se ka një efektivitet në gjykim, është e vërtetë që gjykatat kanë qenë shkaktare të një pjese të mirë të konflikteve por mos harrojmë që gjykatat kanë bërë një punë kolosale sa i përket evadimit të këtyre çështjeve.
Në aspektin e pronave po ashtu edhe në çdo aspekt tjetër elementi kriminal përfiton dhe është e kuptueshme por këtu është roli vigjilent që duhet të ketë organi publik dhe në mënyrë të veçantë gjykata për të parandaluar dhe për të ndëshkuar.
Anila Hoxha: Sa është koha mesatare për të zgjidhur një proces civil pronësie dhe përmendëm deri diku edhe institucionet që nuk funksionojnë në këtë fushë, a mund t’i veçojmë ne se cilat janë?
Sokol Sadushi: Duke qenë më tepër i profilizuar në fushën e së drejtës administrative, mund të them se Gjykata Administrative e shkallës së parë ka një lloj efektiviteti që është për t’u vlerësuar. Sepse nuk shkon më tepër se dy muaj zgjidhja. Por kjo nuk ndodh në gjykatën e juridiksionit të zakonshëm, ku për shkak të procedurave, mentalitetit, të mënyrës se si sillen palët, një lloj neglizhence që tregojnë gjykatat proceset zgjaten shumë. Çështjet mund të marrin më shumë se një vit por është shumë. Qytetatrët kanë një avantazh, që të nisin një procedurë për të konstatuar gjykimin e çështjes përtej këtij afati dhe për të dëmshpërblimin sa i përket tejkalimit të afatit për gjykimin e çështjes. Këto mekanizma lehtësojnë situatën e efektivitetit në gjykim.
Organi që ndeshet më shpesh në konflikt gjyqësor, tashmë është Agjencia shtetërore e kadastrës sepse ka përmbledhur të gjitha organet e mëparshme të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme. Natyrisht nuk lëmë mënjanë edhe Këshillin e Ministrave i cili është organi që bën shpronësimin përfundimtar të pronës së qytetarit dhe ka konflikte jo të pakta edhe në këtë aspekt.
Anila Hoxha: Gjykata e lartë ka shpallur një vendim unifikues, që thotë se nuk varet procesi civil nga ai penal. Mund ta shpjegojmë thjeshtë për qytetarët?
Sokol Sadushi: Nuk mund të pranojmë në mënyrë kategorike që proceset civile, penale, administrative apo disiplinor pengojnë njëri-tjetrin. Ligji parashikon që kur një proces është i varur nga një process tjetër pa përfundimin e të cilit nuk mund të përfundojë procesi konkret padyshim që çështja mund të mbetet pezull dhe kjo është në funksion të drejtësisë së zgjidhjes së çështjes. Por jo domosdoshmërisht një process civil është i varur nga një penal. Dokumenti i falsifikuar nuk është e thënë që të zgjidhet patjetër me një vendim gjyqësor të formës së prerë sepse po e kanalizove çështjen në marrjen e një zgjidhje përfundimtare nga gjykata penale për një vendim lidhur me falsifikim të dokumetit atëherë çështja do të mbetet ndoshta e pazgjidhur për shumë vite. Në gjykatën civile e ke të mundur, sepse vetë gjykata kur i paraqitet një dokument i falsifikuar të pretendohet nga pala falsiteti i këtij dokumenti dhe gjykata nëpërmjet ekspertizës të përcaktojë nëse kemi të bëjmë me falsifikim.
Anila Hoxha: Nga njëra anë ne kemi problematikën e ish-pronarëve dhe nga ana tjetër kemi kaosin e krijuar nga institucionet për mbivendosje pronash pothuajse në të gjithë vendin, kemi tjetërsime pronash, falsifikime dhe kështu me radhë kemi çështje të pazgjidhura. Mund të ketë një zgjidhje kjo situatë?
Sokol Sadushi: Ka një zgjidhje, ju përmendët të gjitha këto fenomene që më shumë i përkasin viteve të mëparshme sepse nuk ishte procesi i digjitalizimit. Ky problem nuk ekziston më sepse digjitalizimi i të gjithë procesit të pronave dhe në mënyrë të veçantë mënyra se si noterët punojnë për të shitur një pronë, për tjetërsimin e një prone tashmë janë evidentuar maksimalisht./tch
Nga gjyqtaret e gjykates se larte ka midis tyre qe jane te koruptuar. Nje prej tyre eshte edhe gjyqtari Asim Vokshi, po keshtu mund te kete edhe te tjere, qe ja kane hedhur vetingut me djallezi dhe servilizma.